E Diel, 1 Nëntor 2026

Autoriteti i Konkurrencës nuk gjen abuzime me çmimet

01/03/2011  Gazi monopol i një kompanie, por në rregull me ligjin

Rritja e çmimit të bukës është monitoruar vetëm në rrethin e Korçës

Pavarësisht rritjes së vazhdueshme të çmimit të gazit të lëngshëm, rezulton se kjo tregti nuk është shndërruar në monopol, por se luhatja e çmimit vjen nga luhatjet e çmimit në tregun europian, rritja e të cilit ndikon në rritjen e çmimit edhe për qytetarët shqiptarë. Gjatë vitit të kaluar Autoriteti i Konkurrencës, duke u bazuar në ankesat e ardhura nga operatorët e importit të gazit të lëngshëm si dhe në shqetësimet e paraqitura nga Organi Shtetëror i Autorizuar (OSHA), bën me dije se ka kryer një hetim të thelluar në tregun e ngarkim-shkarkimit dhe depozitim të gazit të lëngshëm të naftës (GLN) në rrugë bregdetare. “Nga hetimi i bërë nga ky autoritet, - thuhet në raportin vjetor të dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë, - u konstatua se importi i gazit të lëngshëm në rrugë detare realizohej vetëm në dy porte: përkatësisht në portin e Vlorës dhe në Porto-Romano”, të dhënë me koncesion nga shtetit shqiptar me eksluzivitet në zonat përkatëse gjeografike. Në përfundim të këtij hetimi komisioni konkludoi se “ndërmarrjet e hetuara nuk kanë abuzuar me pozitën dominuese dhe vendosi mbylljen e hetimit të thelluar për këto ndërmarrje”.

Kompanitë telefonike

Në lidhje me vendimet administrative gjobat) të vendosura nga Komisioni i Konkurrencës, në raportin për vitin 2010 ky autoritet thekson se për kompaninë “AMC”, sh.a., përfundimisht me vendim të formës së prerë të gjykatave vendimi i Komisionit të Konkurrencës nr. 59, datë 9.11.2007, “Për vendosje gjobe ndaj ndërmarrjes AMC, sh.a. dhe Vodafone Albania, sh.a.”, vetëm për pjesën që i përket AMC-së është lënë në fuqi. Bëhet fjalë për gjobë të vendosur në vitin 2007, që kap shifrën 211 552 000 lekë. Nga ana e Autoritetit të Konkurrencës mësohet se “janë ndjekur procedurat përkatëse për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit e më pas i është drejtuar zyrës së përmbarimore të Tiranës për ekzekutimin e këtij vendimi”.

Çmimi i bukës

Autoriteti i Konkurrencës, duke u bazuar në informacionin e marrë nga media mbi rritjen e çmimit të bukës, ka bërë një hetim paraprak në tregun e prodhimit dhe tregtimit të bukës në qarkun e Korçës. Komisioni i Konkurrencës, duke marrë shkas nga ky rast, në zbatim të politikës dhe ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, u bëri thirrje shoqatave të biznesit që në veprimtarinë e tyre të mbrojnë interesat e anëtarëve sipas ligjit dhe të mos ndikojnë në vendosjen e praktikave të bashkërenduara e të koordinuara për rritje të menjëhershme të çmimeve, fiksim çmimesh apo ndarje tregu.

Security

Pranë Autoritetit të Konkurrencës janë paraqitur dy ankesa nga ndërmarrjet e shërbimit të ruajtjes dhe sigurisë fizike për hartimin e kritereve të përgjithshme dhe të veçanta për kualifikim, të cilat nuk paraqiten në ligjet e Republikës së Shqipërisë.

Shitje nën kosto

Pranë Autoritetit të Konkurrencës ndërmarrja “Klar”, sh.p.k. ka depozituar pretendime mbi mosrespektim të marrëveshjes së eksluzivitetit dhe shitje nën çmim eksluziv të “Segafredos” nga ana e ndërmarrjes “CONAD Albania, sh.p.k., gjë që rezultoi se nuk ishe i vërtetë pretendimi i ndërmarrjes “Klar”.

Tregu i komunikimeve

Në shtator 2010 operatori “Albtelekom” paraqiti ankesën e tij për operatorin “AMC”, i cili kryen bllokimin e qarqeve ndërkombëtare të interkonjeksionit dhe bllokimin e një sërë trukesh për llogari të trafikut të operatorëve të tjerë alternativë.

Universiteti “Pavarësia”

Universiteti “Pavarësia” në Vlorë thekson se “prej një muaji i vetëquajturi universitet “Reald” në Vlorë dezinformon publikun me anë të reklamave mediatike, ku pretendon se ushtron veprimtari ligjore si IAL në dy ciklet e studimit, duke përfshirë “master professional” dhe “master shkencor”. Pas kontrollit nga AK-ja rezulton se akuza qëndron.

Gjobat për vitin 2010

Në përfundim të shqyrtimit të të gjitha ankesave që janë paraqitur pranë këtij institucioni, Autoriteti i Konkurrencës ka ndëshkuar me gjoba shkelësit. Shuma e gjobave të vendosura për vitin 2010 është mbi një milion lekë të reja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›