Autoriteti i Kontrollit, PD-ja nuk depoziton emrat
Shtyhet miratimi i emrave për autoritetin e kontrollit. PD-ja, ende e paqartë për emrat që do të zgjedhë
TIRANË- Mazhoranca ka dështuar në përpjekjen e saj të parë për të ngritur në mënyrë të njëanshme Autoritetin e Verifikimit të Figurave, si institucioni që do të zbatojë ligjin e shumëpërfolur të "dosjeve".
Megjithëse e kishte përfshirë në rendin e ditës, Komisioni Parlamentar i Ligjeve, si komisioni përgjegjës, nuk ka mundur që të diskutojë për këtë çështje. Shkak është bërë mungesa e emrave që duhet të propozoheshin nga ana e partive politike që, në bazë të ligjit, u lind e drejta për të bërë propozime. E ndërsa dihet se partitë opozitare nuk do ta ushtrojnë këtë të drejtë, pasi e konsiderojnë ligjin antikushtetues, kandidatë nuk janë paraqitur as nga ana e mazhorancës, megjithëse kjo e fundit, me forcën e kartonëve vendosi që autoriteti në fjalë të votohet në seancën plenare të ditës së hënë.
Burime pranë PD-së bëjnë të ditur se ende nuk është depozituar asnjë emër në Kuvend, edhe pse pranohet se janë përcaktuar emrat që do të përfaqësojnë këtë spektër politik në këtë autoritet, porse zyrtarisht, kandidatët nuk kanë marrë ende mbështetjen e duhur brenda PD-së. Ndërkohë që procesi i ngritjes së autoritetit mbahet peng edhe nga mospërfshirja në të e opozitës, e cila në bazë të ligjit ka të drejtë të ketë dy përfaqësuesit e saj në të.
Për këtë arsye, mazhoranca përpara se të dorëzojë emrat e vet, duhet të mendojë edhe për të përzgjedhur, ndoshta në mënyrë krejt formale, edhe dy emra nga shoqëria civile, kjo në bazë të parashikimit që bënë ligji. Por, duket se këtu qëndron edhe ngërçi që ka bllokuar procesin, pasi ligji nuk bën një parashikim të qartë se kur skadon afati që ka në dispozicion opozita për të propozuar emrat e vet dhe për t'u hapur rrugë propozimeve nga ana e shoqërisë civile.
Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që vonesat në këtë drejtim të jenë të lidhura dhe me qëndrimin që kanë mbajtur institucionet ndërkombëtare, siç është edhe Këshilli i Europës, i cili ditët e fundit dërgoi në Shqipëri një mision të vetin faktmbledhës për vetë tërësinë e ligjit të pastërtisë së figurave.
Vetë ligji në fjalë, parashikon se Autoriteti do të jetë organ i përhershëm mbikëqyrjeje dhe kontrolli i pastërtisë morale të figurave të funksionarëve publikë.
Autoriteti do të jetë i përbërë nga 5 anëtarë, dy përfaqësues të shumicës parlamentare, dy të pakicës dhe kryetari me konsensus.
Gjithashtu, mazhoranca i ka paraprirë edhe bojkotit të opozitës, pasi ka përcaktuar në ligj se, në rast se vendi i një a më shumë anëtarëve mbetet vakant për mungesë propozimesh, ose për pamundësi zgjedhjeje, Kuvendi emëron anëtarin përkatës midis të paktën 2 kandidaturave të propozuara nga shoqëria civile.