E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE: Mos zbatoni ligjin për dosjet

Zbatimi i ligjit për lustracionin, duhet të pezullohet deri sa Gjykata Kushtetuese të marrë vendim

"Ekziston mundësia për një përplasje të madhe partiake-politike mbi ligjin e lustracionit"

TIRANË- Ligji për lustracionin nuk duhet të zbatohet, deri sa Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim për këtë çështje.


Pas përfundimit të vizitës së dy reporterëve, Jako Lakso dhe David Uilshire, Këshilli i Europës reagon zyrtarisht lidhur me përmbajtjen e ligjit shumë të përfolur për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë. Në njoftimin zyrtar të KE-së thuhet qartë se, zbatimi i këtij ligji duhet të pezullohet, deri sa organet kompetente të gjykojnë mbi kushtetueshmërinë ose jo të këtij ligji. "Jaako Laakso (Finlandë, UEL) dhe David Ëilshire (Mbretëria e Bashkuar, EDG) kaluan dy ditë në Tiranë, duke diskutuar ligjin e ri dhe mënyrën sesi u morën vendimet mbi delegacionin e Shqipërisë në APKE.

Ata nxitën Gjykatën Kushtetuese dhe qeverinë që të dërgojnë ligjin tashmë të miratuar të lustracionit në Komisionin e Venecias të Këshillit të Europës, për të siguruar që ai është plotësisht në përputhje me detyrimet e Shqipërisë si shtet anëtar i Këshillit të Europës. Sipas raportuesve, një rrugë për të shmangur krijimin e një krize, mund të ishte vonesa e implementimit të ligjit të lustracionit, derisa Gjykata Kushtetuese të ketë shqyrtuar kushtetueshmërinë e tij dhe Komisioni i Venecias të ketë pasur mundësinë ta marrë në konsideratë atë",- thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të Europës


Në këtë deklaratë citohet edhe njëherë kërkesa e bërë publike nga dy raportuesit e KE-së se, ligji shqiptar i lustracionit duhet të shqyrtohet nga Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës.


"Bashkëraportuesit e Komitetit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për Shqipërinë, kanë bërë të qartë se ekziston mundësia për një përplasje të madhe partiake-politike mbi ligjin e ri shqiptar të lustracionit para zgjedhjeve të qershorit dhe nxitën të gjithë palët të bëjnë ç'është e mundur për të shmangur këtë",- thuhet në njoftimin për shtyp të KE-së.


Lidhur me mënyrën sesi u vendos për delegacionin e Shqipërisë në APKE, bashkëraportuesit ritheksojnë se është në dorën e secilit prej 47 shteteve anëtare për të marrë vendime të pavarura, duke pasur parasysh nevojën për të respektuar detyrimet e tyre ndaj Këshillit të Europës, dhe për të punuar sipas rregullave të tyre të brendshme.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›