BE-ja: Kushtetuesja të vendosë para se të zbatohet ligji
Bashkimi Europian i rekomandon qeverisë shqiptare, se ligji duhet të pajtohet me kërkesat kushtetuese dhe standardet ndërkombëtare
Bashkimi Europian nxit qeverinë shqiptare që të sigurojë pavarësinë e institucioneve kushtetuese
TIRANË - Zbatimi i ligjit të lustracionit është problemi kryesor, që shqetëson sot Bashkimin Europian, kur flitet për Shqipërinë. Pas mbledhjes së Komitetit për Ballkanin Perëndimor në Bruksel, sërish, BE-ja përmes një deklarate zyrtare të shpërndarë dje nga Ambasada Çeke në Tiranë, i kërkon qeverisë shqiptare që të rikonsiderojë efektet ligjore dhe politike të ligjit për lustracionin. "Bashkimi Europian i kujton qeverisë shqiptare që, ligji i ri për lustracionin ngre shqetësim në disa aspekte që lidhen si me procedurën, ashtu edhe me përmbajtjen e ligjit. Një konsultim i gjerë dhe me konsensus do të kishte qenë rruga e duhur për të kaluar ligjin", - thuhet në deklaratën zyrtare të Bashkimit Europian. Në deklaratën e përbashkët, Bashkimi Europian nxit qeverinë shqiptare që të sigurojë në ligjin për lustracionin edhe pavarësinë e institucioneve kushtetuese, në veçanti Gjykatën Kushtetuese, gjyqtarët dhe prokurorët. Bashkimi Europian i rekomandon qeverisë shqiptare se ligji duhet të pajtohet me kërkesat kushtetuese dhe standardet ndërkombëtare. Në këtë kontekst, Bashkimi Europian konsideron që Gjykata Kushtetuese duhet të jetë në gjendje të marrë vendim mbi kushtetueshmërinë e ligjit, para se ligji për dosjet të zbatohet. Në të njëjtën kohë, Bashkimi Europian thekson rëndësinë e garantimit të një dialogu politik gjithëpërfshirës. Ky organizëm shprehet i gatshëm që të dërgojë në Shqipëri ekspertë, që t'u japin këshilla dhe asistencë autoriteteve shqiptare, me qëllim që të gjenden rrugët për të arritur një objektiv legjitim, siç është ai i trajtimit të së kaluarës në pajtim të plotë me standardet. Thuajse në çdo paragraf të saj, Bashkimi Europian nënvizon rëndësinë e zbatimit të ligjit dhe pavarësisë së sistemit gjyqësor, si pjesë e kritereve politike për anëtarësim në Bashkimin Europian. Në të njëjtën kohë, BE-ja kujton se do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet lidhur me këtë ligj.
Ambasadori i OSBE-së, Bosch, shprehet për domosdoshmërinë e anulimit të ligjit
OSBE-ja: Kuvendi të mos ngrejë Autoritetin e Kontrollit
TIRANË - Në të njëjtën linjë më Bashkimin Europian ishte dje edhe Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch. Në një deklarim për mediat, Ambasadori i OSBE-së ka kërkuar ndalimin e zbatimit të ligjit, që tashmë ka hyrë në fuqi. Organizata e Sigurimit dhe e Bashkëpunimit Evropian në Tiranë, i ka kërkuar Kuvendit që të mos marrë asnjë veprim për zbatimin apo ngritjen e Autoritetit të Kontrollit të Figurave. Bosch bëri thirrje që të mos bëhet asnjë veprim pa u dhënë vendimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese, që po shqyrton kushtetueshmërinë e këtij ligji. Ai garantoi se ekspertë të OSBE-së dhe Këshillit të Europës do të vijnë së shpejti në Shqipëri, për t'u informuar rreth ligjit të miratuar nga qeveria për dosjet e pastërtisë së figurës së zyrtarëve. Përfaqësuesi i OSBE-së në Tiranë garantoi se ekspertët do të punojnë për problemet që shfaq ligji në përbërjen e tij. Në deklaratën e tij për mediat, Bosch i ka kërkuar qeverisë shqiptare që të mos hartojë më ligje të njëanshme. Bosch ka kërkuar konsultë edhe mes qeverisë dhe grupeve të interesit.