Vendimi, qeveria pajis mepasaporta shërbimi ILDKP-në
Këshilli i Ministrave zgjeron rrethin e zyrtareve që pajisen me pasaporta shërbimi dhe diplomatike
TIRANË- Qeveria ndryshon për të disatën herë vendimin "Për lëshimin e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit".
Ashtu si edhe herët e tjera, Këshilli i Ministrave ka zgjeruar rrethin e subjekteve që përfitojnë jo vetëm pasaportë shërbimi, por edhe diplomatike. Kështu, sipas vendimit të djeshëm, pasaportë diplomatike do t'i jepet edhe inspektorit të përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, që deri më tash pajisej vetëm me pasaportë shërbimi.
Pasaportat diplomatike u jepen përfaqësuesve të lartë të shtetit, duke filluar nga Presidenti i Republikës e deri tek deputetët dhe familjarët e tyre.
Po dje, Këshilli i Ministrave, përmes vendimit të marrë, ka zgjeruar edhe më tej rrethin e atyre zyrtarëve, që kanë të drejtë të pajisen me pasaportë shërbimi.
Në këtë mënyrë, Këshilli i Ministrave vendosi dje që, të drejtën për t'u pajisur me pasaportë shërbimi ta ketë edhe Inspektori i Lartë i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive; ndihmësinspektori i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive; Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve Mbështetëse në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive;
Drejtori i Marrëdhënieve me Autoritetet Përgjegjëse, me Publikun dhe Administrimin e Deklaratave në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive; këshilltari për marrëdhëniet me jashtë në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive; Kryetari i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet.