Dekreti i Flukseve, hap pas hapi plotësimi i kërkesës për punë në Itali
Anilejda Shëmbitraku
Nesër nis zyrtarisht aplikimi për dekretin e flukseve, një mundësi punësimi për emigrantët në Itali. Është bërë publik modeli i plotësimit të kërkesës nga Ministria e Brendshme italiane. Gazeta “Albania” publikon të sqaruar, hap pas hapi, plotësimin e kërkesës për punë. Nga 17 janari, nesër, mund të niset përpilimi i kërkesave që duhen paraqitur më pas nga 31 janari.
Kategoritë
Procedura për paraqitjen e kërkesave është e ndarë në tri kategori. Për punonjësit e të gjithë sektorëve të punës së varur (bëjnë pjesë edhe bashkëpunëtorët familjarë), që vijnë nga vende që kanë lidhur marrëveshje dypalëshe me Italinë dhe kanë kuota të rezervuara, kërkesat mund të paraqiten duke filluar nga ora 08:00 e ditës së 31-të pas datës së botimit të dekretit në Gazetën Zyrtare. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe punonjësit që vijnë nga Shqipëria. Për të bërë një shembull: Nëse dekreti botohet më 31 dhjetor në Gazetën Zyrtare, kërkesat e shqiptarëve duhet të paraqiten nga ora 08:00 e 31 janarit 2011. Për bashkëpunëtorët familjarë që vijnë nga vende që nuk bëjnë pjesë në listën e vendeve që kanë nënshkruar marrëveshje me Italinë, kërkesat do të fillojnë të paraqiten nga ora 08:00 e ditës së 33-të pas botimit në Gazetën Zyrtare. Për të gjitha kategoritë e tjera të punonjësve, kërkesat do të mund të paraqiten nga ora 08:00 e ditës së 34-rt pas botimit në Gazetën Zyrtare. Në këtë ditë duhet të paraqiten edhe kërkesat e konvertimit të leje-qëndrimeve për studime, për stazhe dhe/ose formim profesional, për punë sezonale në leje-qëndrime për punë të varur dhe të leje-qëndrime CE për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga vende të tjera në leje-qëndrime për punë të varur e të pavarur.
Procedura
Edhe këtë herë punëdhënësit mund ta paraqesin kërkesën vetëm nëpërmjet Internetit dhe prenotimet mund të bëhen derisa të ketë vende, duke u renditur sipas kohës së paraqitjes së kërkesës. Pra, një i ashtuquajtur “click day”, në program në shkurt të vitit 2011, kur edhe njëherë do të fitojnë më të shpejtët dhe ata më me fat, duke lënë jashtë pjesën më të madhe të ndërmarrjeve dhe familjeve që do të marrin pjesë në këtë garë. Qeveria italiane nuk do ta pohojë kurrë, por ky është një lëshim i vogël, i pamjaftueshëm, ndaj atyre që kërkonin një pajisje të përgjithshme me dokumente qëndrimi. Edhe pse mes mijëra vështirësive, kush ndodhet në Itali pa leje qëndrimi dhe ka një kërkesë për punësim që hyn në kuotën e flukseve, mund të kthehet në atdhe dhe të shkojë sërish në Itali i pajisur me një vizë të rregullt për punë.
Moduli I
Në këtë modul sqarohet e gjithë rruga që duhet të bëjë aplikuesi deri në plotësimin e kërkesës. Rruga e aplikimit për Dekretin e Flukseve 2010 fillon me regjistrimin, plotësimin e kërkesës online dhe nisjen e saj në destinacion.
Moduli 2
Ka të bëjë me regjistrimin e kërkuesit. Aplikanti lidhet me faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme italiane. Klikon në linkun “Dekreti i flukseve” dhe fut të dhënat që kërkohen për regjistrimin.
Moduli 3
Menjëherë pas regjistrimit, aplikuesit i dërgohet një e-mail konfirmimi. Në këtë e-mail ndodhet dhe linku ku aplikuesi duhet të klikojë për të konfirmuar regjistrimin e tij.
Moduli 4
Pas konfirmimit të regjistrimit aplikuesi futet në zonat që janë të rezervuara vetëm për personat e regjistruar dhe shikon kërkesat për punë. Zgjedh kërkesën që i intereson dhe plotëson të gjitha të dhënat online.
Moduli 5
Pas regjistrimit, futjes në zonën e rezervuar vetëm për aplikantët e regjistruar, plotësimit të faqes numër 1 dhe 2 të kërkesës për punë. Mund të riktheheni dhe të shikoni kërkesat e tjera për vende të lira pune.
Moduli 6
Paraqet mundësinë e aplikuesit për punë që bashkë me kërkesën të nisë dhe një kërkesë të dytë, ku i kërkohet ofruesit të punës që të sigurojë leje-qëndrimin për efekt punësimi të emigrantit.
Moduli 7
Pas përfundimit të të gjitha procedurave të përmendura më lart, aplikuesi për punë bëhet gati të nisë kërkesën. Kujdes! Nuk duhet të ketë asnjë lloj gabimi në aplikim, ndryshe kërkesa juaj nuk do të pranohet dhe nuk do të keni mundësi riaplikimi.
Moduli 8
Pas regjistrimit të kërkesës për punë mund të shkoni në një pjesë tjetër të linkut, ku ju udhëzohet që të përgatisni nisjen e kërkesës suaj brenda afateve që janë parashikuar në Dekretin e flukseve 2010.
Datat për nisjen e kërkesës
31 janar
Nga ora 08:00 duhet të nisë paraqitja e kërkesave për punësimin e punonjësve nga vendet që kanë lidhur marrëveshje me Italinë dhe që renditen në nenin 2 të Dekretit të Flukseve. Në këtë datë punëdhënësit duhet të paraqesin kërkesat për 4 500 shqiptarët me banim në Shqipëri që parashikon dekreti.
2 shkurt
Nga ora 08:00 duhet të nisë paraqitja e kërkesave për punësimin si bashkëpunëtorë shtëpiakë të punonjësve nga vendet që nuk kanë marrëveshje me Italinë (sipas nenit 3 të Dekretit).
3 shkurt
Nga ora 08:00 duhet të nisë paraqitja e të gjitha kërkesave të tjera të parashikuara në nenet 4, 5 dhe 6 të Dekretit të Flukseve. Me këtë sqarim bien edhe dyshimet mbi datën e paraqitjes së kërkesave për konvertim të lejeve të qëndrimit të imigrantëve me prejardhje nga vendet me kuota të rezervuara: kërkesat për konvertimet duhet të paraqiten të gjitha më datë 3 shkurt 2011.
DEKRETI I FLUKSEVE 2010
Konvertimi i lejeve në leje punësimi
Hyrje për punë të varur dhe bashkëpunim shtëpiak
Në kuadrin e kuotave të hyrjes për punë parashikohen 52 080 vende për punë të varur, të rezervuara vetëm për shtetasit jokomunitarë të vendeve të mëposhtme: 4500 Shqipëria; 1000 Algjeria; 2400 Bangladeshi; 8000 Egjipti; 4000 Filipinet; 2000 Gana; 4500 Maroku; 5200 Moldavia; 1500 Nigeria; 1000 Pakistani; 2000 Senegali; 80 Somalia; 3500 Sri Lanka; 4000 Tunizia; 1800 India; 1800 Peruja; 1800 Ukraina; 1000 Nigeria; 1000 Gambia; 1000 vende të tjera jo në BE që arrijnë marrëveshje me Italinë. Kujdes! Kur të mbarojnë kuotat e rezervuara për qytetarët jokomunitarë që vijnë nga vendet e mësipërme, nuk është e mundur të paraqiten kërkesa duke shfrytëzuar kuotat e tjera të parashikuara nga Dekreti i Flukseve.
Hyrja e bashkëpunëtorëve familjarë dhe e kujdestarëve
Është parashikuar një kuotë e mëtejshme prej 30 000 vendesh për shtetasit jokomunitarë që nuk u përkasin vendeve të përmendura më sipër (për shembull rusët) vetëm për të punuar si bashkëpunëtorë familjarë, kujdestarë të moshuarish ose fëmijësh.
Hyrja e punonjësve të përgatitur jashtë
Gjithashtu është rezervuar një kuotë për shtetasit jokomunitarë që kanë ndjekur programe formimi dhe arsimimi në vendet e tyre (4000 vende) dhe një kuotë prej 500 vendesh për punonjësit e varur ose të pavarur me origjinë italiane (që kanë prindër, gjyshër ose stërgjyshër italianë) me banim në Argjentinë, Uruguai, Venezuelë ose Brazil, të futur në listat e punonjësve të krijuara pranë konsullatave përkatëse italianë.
Konvertimi në leje për punë
Përveç hyrjeve për punë, Dekreti i Flukseve ka parashikuar mundësinë e konvertimit të 11 500 leje-qëndrimesh në po aq leje për punë, të ndara si në vijim:
Mund të konvertohen në leje për punë të varur:
3000 leje-qëndrime për studim;
3000 leje-qëndrime për përgatitje profesionale/stazhe;
4000 leje-qëndrime për punë sezonale;
1000 leje-qëndrime CE për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga shtete të tjera të Bashkimit Europian.
Mund të konvertohen në leje për punë të pavarur:
500 leje-qëndrime CE afatgjata që u janë lëshuar shtetasve jokomunitarë nga shtete të tjera të Bashkimit Europian.
Shqiptarët që kanë punuar në Greqi nuk mund të marrin më pension
Dëmi ekonomik i shkaktuar nga pensionet e emigrantëve në Greqi shkon deri në 40 milionë euro
Organizmi më i madh grek i sigurimeve shoqërore, IKA, me anë të një qarkoreje të re, ka ndërprerë menjëherë pensionet e shtetasve të huaj që i kanë përfituar ato duke punuar vetëm disa vjet në Greqi, por që jetojnë tani në vendet e prejardhjes së tyre. Këtë lajm e ka publikuar e përditshmja greke “Ta Nea”, e cila sqaron se pas kontrolleve të kryera nga specialistë të këtij organizmi, është konstatuar se shumë të huaj, në përgjithësi të moshuar nga Shqipëria, Bullgaria, Rumania dhe Gjeorgjia që emigronin në Greqi, me vetëm një vit e gjysmë punë përfitonin të drejtën e pensionit dhe shtesa të tjera. Ndërsa deklaronin se jetonin në Greqi dhe merrnin pensionin e plotë prej 600 eurosh, në të vërtetë jetonin në vendet e prejardhjes së tyre.
Përfituesit
Numri i këtyre të siguruarve shkonte mbi 10 000 vetë, ndërsa dëmi përllogaritet në 40 milionë euro. Sipas gazetës, ishin krijuar edhe disa zyra, të cilat, me një shpërblim prej 1000 eurosh, bënin të mundur nxjerrjen e dokumenteve për pension, ku përfituesit deklaronin adresa të rreme brenda shtetit grek. Sipas qarkores së re, nëse këta të huaj duan të marrin pensionet e tyre, duhet që të jetojnë në Greqi të paktën për një periudhë kohore prej pesë vitesh nga dita e daljes në pension. Policia do të kontrollojë shpeshherë vërtetësinë e adresës, ndërsa do të kërkohet prej përfituesve edhe deklarata e të ardhurave dhe shpenzimeve.
Edhe organizmi tjetër i sigurimeve shoqërore, OGA, nga i cili përfitojnë pensionet homogjenët grekë nga Shqipëria, ka kryer muajt e fundit kontrolle për vërtetësinë e të dhënave të pensionistëve, shumë prej të cilëve jetojnë në Shqipëri, por përfitojnë rregullisht pensionin minimal të këtij organizmi.
17 Janar 2011