E Diel, 1 Nëntor 2026

Autostrada 2010

I mirëseardhur ishte njoftimi datës 19 Janar se në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është aprovuar vendimi i Komitetit Ndërministror për ta shpallur fitues konsorciumin “Bechtel & Enka” për ndërtimin e autostradës Morin-Prishtinë-Merdare. Të gjithë ata që e dinë rëndësinë e saj, pa marrë parasysh koston e madhe të saj me vëmendje e kanë pranuar këtë lajm. Përfitimet e mëdha në të gjitha fushat si ekonomike dhe gjeostrategjike të rrugës i arsyetojnë ato në të gjitha aspektet, pasi të fillojë funksionalizimi i saj. Ka disa çështje teknike që duhet pastruar para fillimit të punimeve, gjegjësisht nënshkrimit të kontratës me ekzekutuesin kryesor të punimeve.Pas vitit 1999 kishte kjo shoqëri kohë të hulumtonte, të analizonte të planifikonte me baza shkencore trasenë e rrugës duke angazhuar dhe paguar të gjithë ekspertët e fushave që e tangojnë këtë problematikë, e jo të kemi dilema se nga duhet të kalojë kjo rrugë sot kur vetëm është zgjedhur ekzekutuesi. Janë shpenzuar miliona të shumta nga buxheti i Kosovës në vitet e pasluftës, vetëm për projektimin e kësaj rruge, rezultoi se ato projekte kishin mangësi të mëdha (gjeo-mekanike). Iu nevojitën qeveris aktuale gati dy vite të kompletohet projekti, e sot dilet me propozime të reja për devijimin e trasesë së autostradës. Ndoshta propozimi i ri është më i leverdisshëm nga aspekti ekonomik, ka shumë arsye hapësinore konstruktive përse duhet të pësojë ndryshime traseja e rrugës por të gjitha këto do të duhej të parashiheshin me kohë para shpalljes së fituesit. Kjo do të rrisë koston e investimit pasi me improvizime nuk bëhen këto investime kapitale për çdo shtet, e lere ma për shtetin më të varfër në Evropë, Kosovën. E kam obligim moral qytetar të theksoj rëndësinë e angazhimit të ekspertëve të  planifikimit hapësinor, të cilëve as që u është lejuar të shohin projektin e mëparshëm (viti 2005), pasi rrugët kanë ndikime të mëdha në hapësirë dhe janë ndotësit të mëdhenj të mjedisit. Ekspertiza e tyre do të ishte kryesore në këto çështje,posaçërisht caktimi definitiv i trasës së autostradës. Të gjitha këto elemente do të duhej të ishin të inkorporuara në propozim Planin Hapësinor të Kosovës 2010-2020, ende të paaprovuar, e që duhet të jenë në pajtim edhe me planet e komunave që do të ndikonin në funksionalizimin e tërësisë territoriale të një shteti të ri si është Kosova.Arsyetimet hapësinore të bëra këtyre ditëve, nga ana e Ministrit të MTPT, janë të paqendrueshme, ndoshta ashtu e kanë informuar ekspertët e tij, por jo edhe ekspertët e planifikimi hapësinor. Publikisht ai deklaron se traseja e re e propozuar nga fituesi i projektit do të jetë e favorshme edhe për Gjakovën. Si mundet të ketë leverdi popullata e Gjakovës të kyçet në autostradë te nyja e Orllatit kur e ka kyçjen në autostradë shumë ma afër (Prizrenin). është krejt çështje tjetër atraktiviteti turistik i udhëtimeve, me vizura magjepsëse në Ballkanin e nëpërkëmbur, që i ofron në të ardhmen për popullatën e Rrafshit të Dukagjinit dhe të tërë Kosovës rruga e liqenit artificial të Fierzës me trajekt deri në det.Nuk bën të ndryshohet traseja e rrugës sipas arsyetimeve formale të ndonjë grupazhi apo konsorciumi pa pasur arsye të fortë teknike dhe ekonomike (fizibiliteti). Kjo kërkon një punë të mundimshme teknike, e cila kërkon kohë në përpilimin e projektit të ri, përndryshe kjo shoqëri do të ketë dëme të mëdha në aspektin ekonomik dhe social. Kishte shumë dilema se si do të realizohet ky projekt madhor për të gjithë ne (autostrada Morin-Prishtinë-Merdare). Rëndësia e saj, duke filluar nga aspekti gjeostrategjik e gjer te ai kryesori ekonomik dhe mbarëkombëtar, është e tepërt për t’u diskutuar, pasi të gjitha analizat nga aspekti i planifikimit hapësinor tregojnë një gjë të tillë. Të gjithë indikatorët hapësinor tregojnë një qasje konstruktive për ndërtimin e kësaj rruge shumë të rëndësishme për Kosovën dhe për Evropën JugLindore në tërësi pa marrë parasysh “prishjen e dhimbshme” të disa monopoleve të huaja greko-sllave.  A duhet punuar sipas sistemit “projekto-ndërto” rasti i Shqipërisë, i cili ende nuk është përfunduar dhe kushtoi shtrenjtë, por rrethanat e brendshme atje ishin tmerrësisht ndryshe, të pakrahasueshme me rrethanat e sotme në Kosovë. është e pamundur, shumë e vështirë të caktohet kostoja përderisa nuk dihet tërë projekti dhe terreni kah duhet të kalojë rruga. Eksperienca e shumicës së shteteve të ndryshme në botë (edhe në kontinentin e Afrikës), vërtetojnë se së pari duhet të përpilohet projekti, se ka duhet të kalojë rruga (traseja), ndikimet pozitive dhe negative të ndërtimit në të gjitha fushat e jetës,sa do të kushtoi me tolerancën e lejueshme ligjore, burimet e financimit, për të mos lejuar manipulimet e ndryshme shumë të dëmshme. Një mospunë kronike me të cilën ballafaqohet e tërë shoqëria kosovare natyrisht është prezentë edhe në MTPT (Ministria e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit). Një mënyrë e veprimeve tona të bazuara ekskluzivisht në interesat partiake lokale dhe personale,duke izoluar ekspertët e panumërt në Kosovë,do t’i hakmerret kësaj shoqërie në të ardhmen. Të mos lejohet që të manipulohet i tërë një popull me veprime të ulëta me të cilët do të pëson e tërë shoqëria kosovare. Për të gjitha çështjet kryesore duhet me pas transparencë të duhur nga ana e vendimmarrësve në Qeverinë tonë,gjatë gjithë procesit të ndërtimit të autostradës,që nga kontraktimi i punëve deri në përfundimin e tyre pas 36 muajve....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›