E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autostrada Durrës-Kukës, kompanitë private garë për pikat e karburantit



Për herë të parë, qeveria do të zhvillojë një tender për lejimin e ushtrimit të aktivitetit të shitjes së hidrokarbureve nga një shoqëri private. Plani është për të lejuar atë shoqëri private që jep ofertën më mirë gjatë garës konkurruese që pritet të zhvillohet së shpejti. Duke qenë se Rrëshen-Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës konsiderohet rrugë e re, sipas VKM-së, miratuar në korrik 2008, ajo duhet t‘u nënshtrohet procedurave konkurruese për ngritjen e stacioneve të shitjes së naftës dhe gazit. Projekti nuk parashikon vetëm shitjen e karburantit, por dhe ofrimin e disa shërbimeve të nevojshme për udhëtarët e rrugëve të gjata. Deri nuk jepen detaje për tenderin, nëse do të jetë vetëm një shoqëri apo disa të tilla, duke qenë se rruga është rreth 60 kilometra e gjatë. Sipas vendimit të qeverisë, pika 3, procedurat për dhënien e së drejtës për ndërtimin e stacioneve të shitjes së karburanteve, gazit të lëngshëm, të naftës, për automjete dhe vajrave lubrifikante, në zonat e shërbimit në rrugët e reja, kombëtare e vendore, kryhen sipas rasteve, nëpërmjet konkurrimit, në bazë të legjislacionit në fuqi. Këto procedura realizohen nga ministria përgjegjëse për transportin, kur stacionet do të ndërtohen në autostradë, rrugë interurbane kryesore, rrugë interurbane dytësore dhe rrugë vendore, ku ent pronar është Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, dhe nga organet e qeverisjes vendore, kur stacioni do të ndërtohet në rrugë urbane kryesore, rrugë urbane dytësore dhe rrugë vendore, ku ent pronar është organi i qeverisjes vendore. Shqipëria ka një numër jashtëzakonisht të madh pikash karburanti, të cilat janë rreth 1200 në të gjithë vendin. Ky numër bëhet akoma më i madh në qoftë se krahasohet me numrin e popullsisë, nga ku rezulton 2,667 banorë/pikë karburanti dhe me sipërfaqen e vendit tonë me 4.17 pika karburanti çdo 100 km2. Këto të dhëna në rajon dhe në BE janë shumë më të ulëta (mesatarja e BE është 4000 banorë/pikë karburanti dhe 3.2 pika karburanti/100 km2).

USAID-i financon projekte elektronike në mbështetje të biznesit shqiptar

Qeveria e Shteteve të Bashkuara, përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Zyra e Zëvendëskryeministrit nënshkruan dje një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit (TIK). Përmes kësaj marrëveshjeje, USAID-i ka rënë dakord të ofrojë asistencë teknike në mbështetje të përmirësimit të sektorit të TIK-ut në Shqipëri. Qeveria e Shqipërisë do të sigurojë krijimin e kushteve të kërkuara për zhvillimin e sektorit TIK në vend. Memorandumi u nënshkrua në Këshillin e Ministrave dhe në ceremoni morën pjesë përfaqësues të kompanive që ofrojnë shërbime telekomunikimi, që ofrojnë shërbime zëri, transferim të dhënash dhe shërbime interneti në mbarë vendin. Drejtoresha e Misionit të USAID-it në Shqipëri, Roberta Mahoni, tha se “USAID-i beson se shtyrja përpara e Shqipërisë drejt integrimit evropian mbetet në varësi të ndërtimit të një infrastrukture TIK të klasit botëror, që të mund të përdoret prej qytetarëve, biznesve dhe qeverisë”. Zhvillimi i sektorit TIK është një motor i rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë kombëtare. Përveç kësaj, nëpërmjet projektit të internetit në shkolla dhe në një sërë projektesh të tjera që lidhen me ofrimin e shërbimeve të qeverisë për qytetarët, siç janë prokurimet elektronike, tatimet elektronike dhe regjistrimi i biznesit në kohë reale (online), Qeveria e Shqipërisë po përdor teknologjinë e informacionit dhe të komunikimit për të përmirësuar arsimin dhe eficiencën e operacioneve të qeverisë, në mënyrë që t’u mund t’u shërbejë më mirë qytetarëve. Memorandumi i Mirëkuptimi do të mundësojë vazhdimësinë e një fokusi afatgjatë të USAID-it që të kontribuojë në përmirësimin e infrastrukturës së Shqipërisë me një theksim të veçantë në lehtësimin e zhvillimit të teknologjisë moderne, të politikave dhe të procedurave për zbatim në fushën e shëndetësisë, të arsimit, të zhvillimit ekonomik dhe të qeverisjes vendore.

BE, 20 milionë euro për linjën Serbi-Greqi

Studimet e fundit kanë dalë me konkluzionin se mungesa e linjave transmetuese për energjinë elektrike, si dhe kapaciteti i tyre ndikojnë në ecurinë e tregtisë rajonale mes vendeve të Ballkanit. Për këtë shkak, Bashkimi Europian ka bërë gati fondin 20 milionë euro për ndërtimin e linjës energjetike mes Serbisë dhe Greqisë. Projekti parashikon fuqizimin e kapacitetit për linjat e tensionit të lartë dhe shtrihet nga Leskovaci, Serbi, e deri në Greqi, ku parashikohet një depërtim përmes Shqipërisë. Lajmin e ka konfirmuar ambasadori i Komisionit Europian për Serbinë, Josep Lloveras, referuar agjencisë "Beta". "Ky rajon ka mundësi të mëdha zhvillimi, por i nevojitet një sistem elektrik i fuqishëm për bizneset e këtyre vendeve. Linja e re elektrike do të lidhë Leskovacin me disa zona të tjera të Serbisë, Shqipërisë dhe Greqisë", deklaroi Lloveras. Ministri serb i Energjisë, Petar Skundric, shtoi se linja elektrike do të kontribuojë në afat të gjatë për stabilizimin e rajonit me energji elektrike. Projekti i ri energjetik parashikon të fuqizojë së tepërmi rolin e Serbisë në rajon, ndërsa Shqipërisë i duhet të përfundojë sa më shpejt ndërtimin e linjave 400 kilovolt Tiranë-Podgoricë, të nisura me kohë, por që ende nuk kanë përfunduar.

27 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›