Zgjedhjet, 5700 policë do të angazhohen për mbarëvajtjen e procesit
Rreth 5700 efektiva të Policisë së do të angazhohen për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor që do të zhvillohen të dielën në mbarë vendin. Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash nga strukturat përgjegjëse për menaxhimin e situatës në zgjedhjet e përgjithshme të së dielës. Krahas dispozitave të parashikuara në ligjin "Për Policinë e Shtetit" edhe KQZ-ja, si institucioni që administron procesin elektoral, ka miratuar udhëzime të posaçme ku parashikohen detyrat e strukturave policore dhe forcave të ushtrisë gjatë periudhës zgjedhore. Udhëzimet e komisionit elektoral përcaktojnë që rendi dhe siguria gjatë zgjedhjeve ruhet nga Policia e Shtetit. Kjo e fundit bashkëpunon ngushtësisht me KQZ-në lidhur me përmbushjen e detyrave gjatë procesit, si ruajtja e selive të KZAZ-ve nga momenti kur në to mbërrijnë materialet e votimit e deri në datën e zgjedhjeve.
Shkulen kangjellat e dritareve në KZAZ-në Nr. 54
Në shkollën 9-vjeçare “Avni Rustemi” në kryeqytet, ku është i ngritur Komisioni Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve Nr. 54, dje ka ndodhur incidenti i parë. Një person ende i paidentifikuar, gjatë orëve të para të mëngjesit, ka shkulur nga vendi kangjellat mbrojtëse të katër dritareve të kësaj palestre, ku është ngritur vendi i numërimit të votave dhe i gjithë sistemi i vëzhgimit të procesit me kamera dhe monitorë. Gjatë orëve të paradites anëtarët e kësaj KZAZ-je kanë vënë re mungesën e hekurave mbrojtëse dhe kanë sinjalizuar organet kompetente, ndërsa rreth orës 13:00 të mesditës Ndërmarrja Nr. 3 e Bashkisë së Tiranës ka bërë të mundur vendosjen e hekurave të reja mbrojtëse duke siguruar edhe ambientin e rëndësishëm ku janë vendosur të gjitha pajisjet dhe materialet e zgjedhore. Nga kontrolli i bërë ka rezultuar se në vendin e numërimit të votave nuk mungonte asnjë pajisje dhe se gjithçka ishte në vend.
27 Qershor 2009