E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëzhguesit e huaj nisën monitorimin që dje në bulevardin e Tiranës

Mbyllen përgatitjet dhe skemat e monitorimit të 439 monitoruesve të OSBE/ODIHR-it. Sot shpërndahen nëpër rrethe. Z. Grosruk kalonte i qetë paraditen në kafenenë e hotelit

Albert Gjoka

Ende pa filluar punën konkrete në terren për të vëzhguar procesin e zgjedhjeve, monitoruesit e huaj të misionit afatshkurtër e kanë nisur punën me incidentin që ndodhi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Pas akteve të përgjakshme që paraprinë apo që ndodhën gjatë fushatës, përplasja mes PS-së dhe forcave të policisë duket se ka shënuar edhe fillimin e procesit të monitorimit, pasi shumë prej vëzhguesve e kanë ndjekur konfliktin në rrugën kryesore të kryeqytetit, duke e regjistruar me aparatet e tyre. Tre hotelet kryesore të Tiranës ishin mbushur plot me vëzhgues të huaj që po akomodoheshin. Në Hotel Tirana International dje po jepeshin udhëzimet e fundit për misionin e OSBE/ODIHR-it, pasi sot të gjitha ekipet do të shpërndahen nëpër Shqipëri. Koordinatori special që drejton misionin afatshkurtër të ODIHR-it, austriaku Grosruk, dukej më i qetë teksa rrufiste kafenë në mjediset e jashtme të Hotel Sheratonit. Ndërkaq, monitorues të tjerë i takoje dje nëpër rrugët e kryeqytetit, duke parë përgatitjet direkte në sheshet ku u mbajtën mitingjet elektorale të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Disa prej tyre blinin guida apo broshura informuese nëpër Tiranë, apo kishte nga ata që ishin rehatuar nëpër kafenetë luksoze të kryeqytetit.
Vëzhgimi
Ashtu siç është bërë e ditur edhe nga organizatat ndërkombëtare apo përfaqësitë e vendeve të BE-së në Tiranë, këto do të jenë zgjedhjet më të monitoruara ndonjëherë në historinë e demokracisë në vendin tonë. 550 vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it dhe të organizatave të huaja nisin punën sot në mëngjes për të vëzhguar mënyrën e realizimit të procesit dhe pritet të monitorojnë ditën e diel procesin e votimeve. Numri i përgjithshëm i vëzhguesve shqiptarë dhe të huaj arrin mbi 5450, të cilët po ndjekin procesin që mbaron me shpalljen e rezultateve. Janë mbi 4800 qendra votimi në të gjithë vendin ku shqiptarët do të shkojnë në votime ditën e diel. Pra, sipas përllogaritjeve, çdo qendër e ka një vëzhgues; ose çdo vëzhgues i huaj monitoron më pak se 10 qendra votimi.
Organizatat
Procesi i monitorimit të zgjedhjeve nuk është vetëm në dorën e institucionit të specializuar për kontrollin dhe certifikimin e proceseve të tilla. Përveç ODIHR-it dhe OSBE-së, në këto zgjedhje kanë dërguar përfaqësuesit e tyre edhe Asambleja Parlamentare e OSBE-së, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, Asambleja Parlamentare e NATO-s. Po ashtu, të gjitha përfaqësitë diplomatike të vendeve anëtare të BE-së kanë përfaqësuesit e tyre në ekipin e ODIHR-it, por edhe monitoruese që do të ndjekin nga afër zgjedhjet për interesat e vendeve të tyre. Edhe ambasadorët janë regjistruar si vëzhgues. Vetëm Ambasada Amerikane ka 34 monitorues. Ndërkaq, dje mbërriti në Tiranë kongresisti amerikan, Alcee Hastings, bashkëkryetari i Komisionit Amerikan të Helsinkit, i cili është edhe zëvendësshef i misionit afatshkurtër të ODIHR-it, që drejtohet nga austriaku Grosruk.

Në orën 14:00 të ditës së hënë jepet deklarata që cakton fatin e zgjedhjeve

Ora 14:00 e ditës së hënë, në mjediset e Hotel Tirana International, do të shënojë edhe momentin kur do të jepet vlerësimi paraprak, por tejet i rëndësishëm për procesin zgjedhor. Burimet zyrtare të ODIHR-it në Varshavë dolën dje me një njoftim për median, ku jepen të gjitha detajet e konferencës që do të bëjë vlerësimin e parë të zgjedhjeve që mbahen nesër në të gjithë Shqipërinë. Sipas saj, “deklarata paraprake do të mbahet nga zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Volfgang Grosruk, i cili është edhe koordinatori special i misionit të vëzhguesve afatshkurtër, i ndjekur edhe nga Korien Xhonker, kryetare e Delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës; Brus Xhorxh, kryetar i Delegacionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s; ambasadorja Odrei Glover, që kryeson misionin afatgjatë të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it. Ashtu siç është bërë e ditur edhe më parë, deklarata paraprake që do të përvijojë standardet e zgjedhjeve do të lexohet nga ambasadori Grosruk, i njohur si mik i kryeministrit Berisha dhe mbështetës i PD-së. Por, zëvendës i tij do të jetë kongresisti amerikan, Hastings, i cili është treguar tejet kritik me qeverinë në lidhje me procesin e prodhimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit. Vonesat në nisjen e tij dhe problemet që kanë dalë gjatë këtyre muajve janë bërë shkas që mijëra qytetarë të mos kenë të drejtën kushtetuese të ushtrimit të së drejtës së votës më 28 qershor.

TË DHËNAT E VËZHGIMIT

439 – Numri total i vëzhguesve të OSBE/ODIHR-t për zgjedhjet
40 – Numri i vëzhguesve afatgjatë të OSBE/ODIHR-t që erdhën më 8 maj
320 – Numri i vëzhguesve afatshkurtër të OSBE/ODIHR-t që erdhën dje
37 – Numri i vëzhguesve të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së
22 – Numri i vëzhguesve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës
5 – Numri i vëzhguesve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s
550 – Numri në total i vëzhguesve të huaj që do të ndjekin zgjedhjet
5450 – Numri total i vëzhguesve të huaj dhe shqiptarë në zgjedhje

TË DHËNA PËR VOTIME

4800 – Numri i qendrave të votimit në të gjithë vendin
66 – Numri i Komisioneve të Zonave Zgjedhore (KZAZ)
3.1 milionë – Numri i zgjedhësve të regjistruar

27 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›