E Diel, 1 Nëntor 2026

“Autostrada Ibrahim Rugova”



Vetëm disa ditë më parë, në zyrën e të parit të shtetit, rrethuar nga statujat e bronzta të figurave nacionale, Skënderbeut e Nënës Terezë, mbi koncepte intelektuale dhe morale, m’u dha rasti i shkëlqyer që të diskutoja për trashëgiminë nacional-kulturore të shqiptarëve, si dhe për ekzistimin e një modeli të papërsëritshëm politik të ndërtuar mbi këto premisa në fundvitet ’80-të të shekullit të kaluar. Tashmë kisha shkruar një libër për një ikonë të tretë, e cila tashmë rrinte përbri tyre në zyrë, prijësin e vizionarin politik të Dardanisë, dr. Ibrahim Rugovën, njeriun i cili duke u nisur nga paradigma të tipit nacional-kulturor modeloi një program politik me parabazë nacionale, i cili u shndërrua shpejt në model politik për Evropën e fundshekullit XX. Prandaj, çfarëdo që mund të thosha ose që do të mund t’i them në këtë tekst janë vetëm rimarrje e konceptit themelor për filozofinë e papërsëritshme politike të njeriut, i cili i shërbeu vendit të tij dhe i fali një model përfaqësimi të papërsëritshëm. Por, duke qenë i rrethuar nga figura-model, sikur është heroi nacional i shqiptarëve, Skënderbeu, i cili krijoi projektin mesjetar evropian të shqiptarëve, ose Nëna Terezë, e cila dha modelin e shëmbëlltyrës morale gjithandej nëpër botë, nuk mund të mos e vëreja një dimension të veçantë në filozofinë politike të Rugovës: rikthimin në shenjat origjinare, si dhe përdorimin e trashëgimisë nacional-kulturore, paradigmave të saj, si premisa për projekt nacional. Ai, ta zëmë, e rimori projektin evropian mesjetar të Skënderbeut si model të përfaqësimit politik, edhe pse nuk i referohej veçan, ndërsa e shihte shëmbëlltyrën morale në modelin e Nënës Terezë, dhe i zbulonte kësisoj shenjat e identitetit nacional e të rolit të shqiptarëve në kapërcyell të shekujve, duke nënvizuar edhe rolin e tyre në ndërtimin e vlerave qytetëruese perëndimore. Vendi i tij, sikur thoshte shpesh, ishte jo vetëm vend në të cilin ndodhnin përthyerjet e mëdha të qytetërimeve, por edhe vend nëpër të cilin kalonin projekte të rëndësishme që i lidhnin këto qytetërime. Ai gjurmonte në histori dhe e krijonte përmasën reale të veprimit politik. Andaj, edhe ideja për ndërlidhjen e Durrësit me Prishtinën, e hedhur në vitet e hershme ’90 (me sa kujtoj, në 1994) nga Presidenti Rugova, është kërkesë për të promovuar integrimin shpirtëror e fizik të shqiptarëve dhe krijimin e baraspeshës historike në Evropën Juglindore, por duke e artikuluar një strategji të drejtpeshuar politike. Çfarë mund të thuhet tani për njeriun, i cili i rikthehej traditës së mirë të popullit të vet dhe i kërkonte parimet universale në kodin e sjelljes së tij? Ose, çfarë mund të diskutonim në ato momente reflektimi të thellë për figurën nacionale të dr. Rugovës në kohën kur Qeveria e Republikës po fillonte shpronësimin e pronarëve në segmentin Vërmicë-Prizren, nga do të kalonte traseja e autostradës Prishtinë – Durrës? Si mund të mos e pranonim se pavarësisht emërtimit formal (dikush tha se autostradave u vihen numra dhe ne e kemi edhe sot parasysh këtë) të mos flisnim për projektin e tij për autostradën që i lidh shqiptarët dhe i cili, po e ritheksoj, “teksa dukej utopik, ishte shumë largpamës”, ndërlidhej me një emër në krye të herës: me atë të dr. Rugovës? Si mund të mos propozonim (tek e fundit, a është e domosdoshme të propozonim, teksa shqiptarët prej kohësh e quajnë atë “Autostrada e Presidentit Rugova”), pra si mund të mos propozonim që shqiptarët të mësoheshin me kuptimin simbolik që autostrada të njihej me emrin e prijësit e vizionarit, një ide monumentale e tij dhe një projekt i LDK-së për zhvillimin e etnisë në Evropën Juglindore? Kjo u theksua në konferencën e rregullt me media të LDK-së dhe pati jehonë të madhe. Por, çfarë nënkuptonte në të vërtetë për dr. Rugovën ideja e autostradës dhe cili ishte konstelacioni politik në të cilin ajo ide është shpallur? Ideja e tij për autostradën Prishtinë-Durrës është shpallur në kohën kur në Shqipëri tashmë ishte tejkaluar dehja nga të prekurit e demokracisë, ndërsa në Kosovë gjithçka rrezikohej nga mungesa totale e saj, madje në kohën kur ende ishte i vakët kujtimi për kërkesat e tipit maksimalist, sikur ishte formula e njohur “Duam bashkim me Shqipërinë”. Ideja për një rrugë e cila do t’i lidhte të dyja vendet pa paragjykimin nëse kjo rrugë do të kishte jo vetëm kuptim real, por më tepër simbolik e shpirtëror, rrezikonte të mos kuptohej (sikur shumë propozime të tjera) ose madje edhe të përqeshej. Por, sikundër ndodh shumë herë brenda fatit historik të popujve, duhet kohë për t’u vërejtur një parashikim i cili i tejkalon përmasat e pritjes kolektive dhe të të njohurit të tyre për strategjinë integruese. Fakti se jo rrallë thoshte: “Nëpër vendin tim kalojnë rrugë të rëndësishme evropiane, sikur ishte rruga antike Via Egnatia”, sado i pazakontë mund të duket, kishte qëllimin e përkufizimit kulturor të hapësirave shqiptare në Evropën Juglindore dhe peshën e tyre në histori. Andaj, edhe ideja për ndërlidhjen e Durrësit me Prishtinën, dhe më tej me hapësirat ballkanike është kërkesë për të promovuar ide nxitëse të integrimit shpirtëror të shqiptarëve dhe të krijimit të baraspeshës historike në Evropën Juglindore, por duke e artikuluar një strategji të drejtpeshuar politike. Por, kërkesa për autostradën Durrës-Prishtinë, sado pragmatiste të duket, është e ndërlidhur po kështu me një analizë të detajuar të tipit të diplomacisë vepruese. Ajo buron nga shqyrtimi i opsioneve të mundshme të zgjidhjes së çështjes shqiptare në Evropën Juglindore, por nëse euforikët synonin ta ndërlidhnin fatin e tyre me ëndrrën për bashkim fizik kombëtar, ai e shihte atë të realizuar në mundësinë për integrime, prandaj përqendrimi i tij në kërkesën për Kosovën shtet të pavarur e sovran është refleksion i një strategjie dominuese mbi pritjet e zakonshme. Le të saktësojmë, prandaj, edhe një herë krejt në fund të këtij teksti: Ibrahim Rugova e lexonte shumëfish sfidën e antikitetit, besonte në traditën e popullit të vet dhe e ndërtonte modernitetin e tij përmes rikrijimit të shenjave nacionale. Ishte i papërsëritshëm në aftësinë për ta gjykuar jo vetëm momentin politik, por edhe vizionin për të ardhmen. Ideja për autostradën që i lidh shqiptarët, ide e cila bart vulën e tij, qoftë si ide, qoftë si përpjekje për ta jetësuar atë, tashmë është duke u realizuar. Kuptimi simbolik për emërtimin e kësaj rruge “Autostrada Ibrahim Rugova”, prandaj, nuk është më vetëm simbolik. U përket shqiptarëve gjithandej që ta njohin si vizion të tyre për të ardhmen.

* Zëdhënës i LDK-së

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›