E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitari: Pashë në veturë një trup të djegur

"Qafë Gjashta",


Njerëzit e thirrur nga prokuroria pohojnë se kishin parë një person të lidhur të keqreajtuar që dukej si polic


TIRANË- Gjashtë dëshmitarë të organit të akuzës të shoqëruar nga policia, rrëfyen ngjarjen e 4 marsit të vitit 1997 të ndodhur në vendin e quajtur Qafë Gjashta, në procesin gjyqësor mbi vrasjen dhe djegien e trupit të oficerit të policisë Gjergj Mehmeti.


Me kërkesë të prokurorit Adnan Xholi, gjykata mori në pyetje dëshmitarin Hysni Hysi, babai i Armando Hysit, që pasditen e 4 marsit shoqëronte për në fshatin Qafë Gjashtë të pandehurin Edmond Sejko i njohur me emrin "Bubeqi" e Fatos Mahmutajn i plagosur nga shkëmbimi i zjarrit mes tyre dhe policisë.


Sipas Hysit, djali i të cilit kishte marrë disa plumba në makinën që po ngiste, ngjarja ka nisuar pasi policia kishte qëlluar në drejtim të mjetit të tyre, ku mbeti i plagosur Mahmutaj. "Mëngjesin e 4 marsit të vitit 1999 kam mësuar për vrasjen e një taksisti. Në drekë, rreth orës 13:30 i kam thanë djalit Armandos që të shkonte në fshatin Metoq për të marrë karburant.


Ai më ka treguar se rrugës ka gjetur Fatos Mahmutajn dhe Edmond Sejkon. Kur kanë arritur në afërsi të Qafë Gjashtës, Mondi i ka thënë të ndalonte se kishte një problem.


Për dy minuta, djali ka kthyer kokën dhe ka parë disa persona që e kanë marrë, që kishin ardhur me dy makina pa targa. Di që për pak sekonda këta persona kanë qëlluar në drejtim të makinës, nga breshëria e armëve është prishur xhami i parë dhe i prapëm i makinës, është shkatërruar bagazhi, plumbat kanë arritur deri në kroskot, ndërkohë që u plagos edhe Fatosi. Këta persona i kanë thënë djalit tim të largohej që aty.


Armandi ka shkuar tek dajat e tij, që ndodheshin në Qafë-Gjashtë, ku që aty ka mësuar për ngjarjen më pas",-ka0 thënë Hysi para gjykatës. Më pas ka rrëfyer dëshmitari Altin Cali, banor i Qafë-Gjashtës, ku ka treguar se ditën e ngjarjes kishte parë një person që digjej në makinën e tij në afërsi të karburantit.


"Ditën e ngjarjes kanë qenë më shumë se 3 mijë veta në Qafë Gjashtë. Kur shkova pranë tyre kam parë një automjet të djegur, brenda të cilit kishte kocka të skeletit të djegur, ndërsa, tek lapidari ishte një person i marrë peng, vërdallë tij ishte komiteti i shpëtimit të Sarandës. Personi i marrë peng dukej i keqtrajtuar dhe mora vesh se kishte qenë polic"-ka treguar për gjykatën Cali.


Më pas, në sallë kanë dëshmuar edhe dëshmitarët e tjerë, Sokrat Çakalli, Odisea Lapaj, Kujtim Zyma, Shpëtim Haxhiu dhe Katerina Memo, kjo e fundit ish-kuzhinierja e Spitalit, e cila e kishte ushqyer për disa ditë pengun Eduart Aliaj.


Ndërkohë, dëshmitarët e tjerë kanë provuar para gjykatës thjesht faktin e ngjarjes së ndodhur, ku mbeti i vrarë dhe më pas i djegur polici Gjergji Mehmeti, u morr peng Eduart Aliaj dhe u plagos Sokol Bizhga.


Seanca e djeshme gjyqësore, ishte e 36-a që po zhvillohet ndaj të pandehurve: Vladimir Sinani, Eduart Çipa, Alqi Paguni, Admond Sejko, Agron Qurku, Aleksandër Bala, Mikel Këndezi, Nestor Sinani, Arben Këndezi dhe Ristan Lapa, të akuzuar si autorë të ngjarjes.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›