Autostrada Levan-Vlorë, do të nisë qarkullimin në dy korsi, në maj të vitit 2009
- Kryeministri Berisha inspekton punimet e autostradës Levan-Vlorë
Kryeministri Berisha inspektoi sot punimet për ndërtimin e autostradës Levan- Vlorë, me 4 korsi, financim i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankës Evropiane për Investime.
Gjatë bashkëbisedimit me drejtuesit e firmës ndërtuese, Kryeministri u kërkoi që, duke aplikuar punën me tre turne dhe shtimin e mjeteve, të përfundojnë punimet dhe të nisë qarkullimin në dy korsi, në maj të vitit 2009. Kryeministri shprehu bindjen se kompania ndërtuese ka të gjithë potencialin për ta arritur këtë objektiv.
“Interesi për portin e Vlorës, - u shpreh Kryeministri - po rritet çdo ditë dhe kjo e bën edhe më të domosdoshme përfundimin e shpejtë të rrugës.”
Pas vizitës që bëri në Apoloni, Kryeministri tha se gjatë ndërtimit të autostradës do të bëhet kujdes të mos cenohet kjo zonë arkeologjike.
“Rruga ka një gjurmë të re, si dhe do të bëhet një studim i dytë lidhur me by-pass-in e Fierit, pasi ai përbën një shqetësim shumë madhor për zonën arkeologjike të Apolonisë. Nëse trafiku lëkund themelet e zbulimeve arkeologjike, ne do të gjejmë një variant, ndonëse më të kushtueshëm, që kalon përmes kodrave të Koshovicës për të dalë në anën tjetër. Apolonia është një pasuri që nuk mund të kërcënohet, por të përfshihet në trashëgiminë botërore,” u shpreh Kryeministri.
Në përfundim të vizitës në disa vepra infrastrukturore, Kryeministri u shpreh se “në këtë rrugëtim patëm mundësi të shohim të gjitha dimensionet e vendit dhe të qeverisë, nga autostradat me 4 korsi, tek rrugicat e fshatit, tek shkollat e reja 9-vjeçare dhe të mesme. Qeveria është e përkushtuar, me të gjithë diapazonin dhe spektrin për të ndryshuar Shqipërinë dhe jetën e shqiptarëve. Në realitet kjo po ndodh dhe të fundit që do ta kuptojnë këtë janë mediat jo sepse janë të dënuara, por sepse ashtu duhet, do të mbeten gjithnjë avokate të atyre që nuk janë bërë.”