E Diel, 1 Nëntor 2026

Topoja dhe Semani do të kenë mbështetjen e fuqishme të qeverisë për modernizimin e infrastrukturës, zhvillimin e bujqësisë dhe turizmit

Gjatë takimit me banorë të komunave Topojë dhe Seman, në Fier, Kryeministri Berisha tha se qeveria do të rrisë ndjeshëm mbështetjen jo vetëm për modernizimin e infrastrukturës, por edhe për fermerët e kësaj zonë të rëndësishme bujqësore për vendin.  “Qeveria do të mbështesë fuqishëm modernizimin e infrastrukturës, ndërtimin e shkollave të reja, zhvillimin e fermave dhe të turizmit  të kësaj zonë të mrekullueshme,” u shpreh Kryeministri.

Duke përgëzuar kryetarin e komunës për menaxhimin e përgjegjshëm e të ndershëm të veprave publike, Kryeministri tha se fondet e qeverisë për këtë komunë janë shtuar disa herë dhe investimet janë në vlerën 70 milion lekë, duke përmendur inaugurimin e ujësjellësit në Shën Pjetër, që përmirëson furnizimin me ujë të 4 mijë banorëve, qendrën komunitare sipas një konceptimi modern dhe shkollën 9-vjeçare në Topojë. “Jam këtu, - u shpreh ai - për t’ju dhënë fjalën se qeveria do të bëjë investime shumë më të  mëdha në këtë zonë. Komuna duhet të bëjë projektet dhe qeveria do t’i financojë.”  

Kryeministri Berisha siguroi se qeveria do të mbështesë financiarisht edhe ndërtimin e rrugës të fshatit Sema i Ri dhe të rrugës prej 6 kilometra, që e lidh atë me plazhin dhe i kërkoi kryetarit të komunës të përgatisë projektet për këto dy rrugë. Kryeministri tha gjithashtu se do të shqyrtohet rruga e Semanit dhe do të bëhet rrugë e standardeve ndërkombëtare. Një tjetër projekt i rëndësishëm infrastrukturor për zonën, tha Kryeministri, është ndërtimi i një porti të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit. “Ne të gjithë bëjmë detyrat tona ndaj burrave, grave e të rinjve të kësaj zone.”  

Në përgjigje të shqetësimit të fermerëve në lidhje me ndotjen e shkaktuar nga nafta, Kryeministri theksoi se në mënyrë të prerë u ka kërkuar drejtuesve të Albpetrol-it dhe Armo-s të marrin masa për parandalimin e ndotjeve, në të kundër do të përballen me masa deri në mbyllje.

“Disa muaj më parë, - tha Kryeministri - thirra në takim drejtorët e Armo-s dhe Albpetrol-it dhe u kam thënë prerë ose parandaloni ndotjen, ose do të përballeni me mbylljen. Unë do të bëj analizën dhe ju garantoj se do të mbyll çdo pus që ndot territorin. Neve na duhet nafta, por, një mijë herë më shumë, na duhet shëndeti juaj. Unë do t’i qëndroj këtij vendimi. Do të bëjmë   kontrolle nga Ballshi, deri këtu dhe kudo që do t’i gjejmë jashtë standardit, do t’i mbyllim.”

Duke nënvizuar faktin se kjo është një zonë e fuqishme bujqësore, Kryeministri tha se qeveria do të vazhdojë të rrisë ndjeshëm ndihmën për fermerët. 

“Unë jam i vetëdijshëm, - u shpreh Kryeministri - se çmimi i naftës jua vështirëson shumë punën, po ashtu edhe ai i plehrave. Për ne, rruga më e thjeshtë do të ishte të subvencionimin akcizën e naftës. Vitin e parë, fondi që ne vendosëm për ju ishte 500 milion, këtë vit, 1 miliard dhe do të bëhet 2 miliard lekë. Por ne jepnin paratë, por nafta nuk vinte tek ju, për shkak se tollonat shndërroheshin në letra korrupsioni. Ndaj këtë fond, ne do ta përdorim sërish për ju, por për të t’ju ndihmuar në farëra, fidanë, dru frutorë, në vaditje, për të dhënë kredi të buta, për të parë mundësitë për t’i transformuar serat me mazut. Përdorimi i tij do të jetë i ndershëm dhe të përfundojë tej ju dhe jo në xhepa të tjerë.”

Po ashtu, Kryeministri ritheksoi se qeveria nuk do të ndërmarrë asnjë masë që do të dëmtonte prodhimin vendas.

“Ne mund të ulnim taksën e importit për grurin dhe miellin, por prodhimet tuaja do të mbeteshin në fushë. Ndonëse më e leverdishme për qeverinë është ulja e tyre, por ne nuk e bëjmë. Vërtet me këto taksa fitojmë 15 milion, por, nga ana tjetër, me rritjen e pensioneve, pagave e ndihmës ekonomike, ne humbim të paktën 60 milion euro. Nuk e bëjmë, sepse në vend të parë kemi mbrojtjen e prodhimeve tuaja. Ne duam që ju t’i shisni ato. Ne kemi vendosur rimbursimin e TVSH-së dhe 6% nuk është pak, sepse po kaq kthehet në të gjithë Europën. Në total, me rimbursimin 6% të TVSH-së, fermerët shqiptarë fitojnë së paku 60 milion euro,” u shpreh Kryeministri.

Nga ana e tij, Kryetari i Komunës së Topojës Sotir Zarka e falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë investimeve në këtë zonë. Ai tha se vitin e fundit në këtë zonë, falë koordinimit dhe mbështetjes me fonde nga ana e qeverisë, si dhe mirë menaxhimit të të ardhurave nga komuniteti, janë investuar rreth 70 milionë lekë të reja në ujësjellës, shkolla, rrugë, rrjete vaditës dhe kullues, etj..

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›