E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkolla e re “Kristaq Shtëmbari” në Fier, një tjetër tregues i arritjeve të qeverisë në arsim

- Kryeministri Berisha: Në buxhetin e ardhshëm, fondet për moshën digjitale 2-3 herë më të mëdha

Kryeministri Berisha përuroi përfundimin e shkollës së re 9-vjeçare “Kristaq Shtëmbari” në Fier. Shkolla, e konceptuar sipas standardeve më të mira europiane, është financim i buxhetit të shtetit 84 milion lekë dhe është e pajisur me sistemin e ngrohjes, me kabinetin e informatikës dhe 3 mjedise moderne sportive. Duke vlerësuar edhe faktin se në shkollën e re klasat nuk do të kenë më shumë 25-30 nxënës, Kryeministri tha se kjo është një tjetër arritje dhe premtim i mbajtur i qeverisë.

Duke u takuar me nxënës dhe mësues të shkollës, Kryeministri tha se ata e meritojnë një shkollë të standardeve të tilla, e cila mban edhe emrin e “Mësuesit të popullit” Kristaq Shtëmbari, një nga mësuesit më të shquar të Fierit dhe të të gjithë zonës.

Kryeministri vizitoi ambientet e brendshme të shkollës dhe në bashkëbisedim me të rinjtë iu përgjigj interesimit të tyre në kuadër të nismës së qeverisë “Shqipëria në moshën digjitale”. Kryeministri tha se së shpejti qeveria do të marrë disa vendime shumë të rëndësishme në drejtim të liberalizimit të tregut elektronik.

“Një student nga Fieri,- tha Kryeministri - më dërgoi një mesazh në lidhje me premtimin për ADSL-të. Ai do të mbahet, madje ne do t’i kalojmë ato shumë shpejt dhe do të marrim disa vendime shumë të rëndësishme për liberalizimin e tregut të komunikimit elektronik, krahas ADSL-ve të ketë edhe teknika të tjera, në mënyrë që ta ulim minimalisht çmimin marrjes së internetit në shtëpi. Një hapi tjetër shumë i rëndësishëm, pas plotësimit të shkollave me kabinete informatike. do të jetë krijimi i mundësive që ju të keni kompjuter edhe në shtëpi.”  

Në zhvillim të nismës “Shqipëria në moshën digjitale”, Kryeministri Berisha bëri të ditur së në buxhetin e vitit të ardhshëm, fondet për moshën digjitale do të jenë 2-3 herë më të mëdha.

“Ne jemi shumë të vendosur për moshën digjitale, sepse ajo është mosha më vitale e kohës, në të cilën njerëzit përfitojnë shërbimet më të mira, më të lira e më të shpejta, mosha për të cilën ia vlen të investosh shumë më tepër. Unë ju garantoj se në buxhetin e vitit që vjen do të ketë fonde 2 ose 3 herë më të mëdha për moshën digjitale se ky që shkoi dhe ju do të shndërroheni në mësues të motrave e vëllezërve më të mëdhenj, madje edhe prindërve tuaj se askush nuk duhet të privohet nga mosha digjitale.”

Drejtuesit e shkollës dhe familjarë të mësuesit të Popullit Kristaq Shtëmbari falënderuan Kryeministrin Berisha për vëmendjen e qeverisë, duke i dhënë një fytyrë të re dhe moderne kësaj shkolle.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›