Kryeministri Berisha përuron rrugën dhe shkollën e re në fshatin Drizë, në qarkun e Fierit
Gjatë vizitës në qarkun e Fierit, Kryeministri Berisha u ndal në fshatin Drizë, të komunës Qendër, ku përuroi fillimin punimeve të dy objekteve të rëndësishme për komunitetin e kësaj komune.
Fillimisht, Kryeministri përuroi fillimin e rikonstruksionit të rrugës të fshatit Drizë. Rruga, e ndarë në dy lote, është investim i buxhetit të shtetit me vlerë 17 milion lekë.
Kryeministri theksoi se edhe rindërtimi i kësaj rruge bëhet i mundur në sajë të nismës së qeverisë për të asfaltuar të gjitha rrugët dytësore në mbarë vendin.
“Në qarkun e Fierit, - u shpreh Kryeministri - janë në zbatim me dhjetëra projekte dhe një prej tyre është rindërtimi i rrugës së fshatit Drizë brenda të gjitha standardeve europiane. Rindërtimi i saj bëhet me nismën tonë për të asfaltuar rrugët dytësore.”
Më pas, Kryeministri Berisha përshkoi këtë rrugë në ndërtim deri tek shkolla 9-vjeçare e fshatit Drizë, që nis rikonstruksionin. Kryeministri, duke përuruar fillimin e punimeve për rindërtimin e saj, theksoi se shkolla, më parë e braktisur, do të jetë e standardeve bashkëkohore dhe do t’i shërbejë fëmijëve të të gjithë komunitetit.
“Pasi na kanë raportuar se shkolla ishte e braktisur, ne po ndërtojmë me përparësi një shkollë të re, me të gjitha mjediset moderne, me një kopsht si pjesë e saj dhe si e tillë e do t’i shërbejë të gjithë fëmijëve të këtij komuniteti,” u shpreh Kryeministri.
Rindërtimi i shkollës, investim i buxhetit të buxhetit të shtetit, me vlerë 74 milion lekë, do të përfundojë brenda 50 ditëve.
Kryeministri Berisha shoqërohej nga ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi dhe drejtues të pushtetit lokal.