Autostrada Tiranë- Elbasan, Berisha shtyp butonin e ndërtimit
TIRANË- Në shenjë simbolike, Kryeministri Sali Berisha shkeli butonin e detonimit për shpërthimin e një tjetër projekti të rëndësishëm të qeverisë, pikërisht autostradës Tiranë-Elbasan. Berisha mori pjesë në ceremoninë e nisjes së punimeve për ndërtimin e Autostradës Tiranë- Elbasan dhe tunelit të Kërrabës, si pjesë e kësaj autostrade. Punimet për këtë autostradë do të realizohen nga Kompania greke AKTOR dhe parashikohet të përfundojnë brenda 18 muajve. Kjo autostradë ka një gjatësi prej 31.7 km, me një tunel 2.4 km të gjatë, 21 viadukte, 7 mbikalime, 4 nënkalime. Gjatë fjalës së mbajtur, Berisha premtoi se pranvera e vitit 2011 do të shënojë edhe mbarimin e punimeve duke u mundësuar udhëtarëve shkurtimin me së paku 50 minuta të distancës së Tiranës me Elbasanin. Në ceremoninë ku ishin të pranishëm edhe dy kandidatët e mazhorancës për qarkun e Elbasanit dhe Korçës, përkatësisht Durim Hushi dhe Andrea Mano, Berisha tha se ajo mbi-përgjysmon distancën e qarqeve të tjera, veçanërisht Korçës, rretheve të tjera të Elbasanit, Dumresë dhe së shpejti dhe Beratit, me kryeqytetin e vendit. Berisha nënvizoi gjithashtu se autostrada Tiranë- Elbasan është projekti i dytë infrastrukturor më i rëndësishëm ndërkombëtar dhe segmenti më nevralgjik i Korridorit të 8-të. “Sot ne po inaugurojmë autostradën dhe Tunelin e Kërrabës, me një gjatësi rreth 31 km. Por ky është gjithashtu projekti i dytë infrastrukturor më i rëndësishëm ndërkombëtar. Ky është segmenti më nevralgjik i korridorit të 8-të, korridor ky që do lidhë Egnatian me rrugët e mëndafshit dhe do përfundojë në largësitë e mëdha të Azisë. Por ky është segmenti më i kushtueshëm, më i rëndësishëm, më nevralgjik për Boshtin e Jugut...”, tha dje Berisha. Duke mos iu shmangur fushatës elektorale, Kryeministri Berisha veçoi gjithashtu edhe kontributin që Lulzim Basha ka dhënë për ndërtimin e kësaj rruge. “...Shpreh bindjen time se një pranverë tjetër shumë e afërt, pranvera e vitit 2013, do të bashkojë Tiranën me Elbasanin dhe se me këtë akt madhor do të presin shiritin dy qytetarët e parë të Bashkisë së Tiranës dhe Bashkisë së Elbasanit; Zoti Lulzim Basha, të cilin unë dua ta falënderoj në mënyrë të posaçme, sepse ishte ai që në vitin 2009, me fushatën e tij elektorale ndjeu, përjetoi forcën, fuqinë e ëndrrës së qytetarëve të Elbasanit. Ai u angazhua për këtë edhe me Princin e Emirateve të Bashkuara Arabe, me ministrin e Jashtëm. Ai shpejtoi dhe garantoi financimin e kësaj vepre. Unë dua të falënderoj të gjitha vendet e Gjirit, Bankën Islamike të Zhvillimit, e cila iu përgjigj kërkesës së qeverisë shqiptare për shndërrimin në realitet të kësaj ëndrre me shpejtësinë më të madhe”, - tha Berisha. Kryeministri falenderoi edhe punën e kandidatit të mazhorancës për Bashkinë e Elbasanit, Durim Hushi. ”Dua të falënderoj z. Durim Hushi, për punën e shkëlqyer që po bën në qytetin e Elbasanit, për promovimin e kësaj vepre të rëndësishme. Por edhe zotërinjtë Andrea Mano dhe të gjithë qeveritarët e tjerë vendorë, sepse njësoj si me diamantet, po pastrojmë pluhurin që grupi antitunel hodhi në parlamentin shqiptar kundër kësaj vepre ëndërr të shqiptarëve”, tha ai. Berisha iu drejtua edhe kryetarit të opozitës, Edi Rama. “... kryetari i opozitës, nëse do jetë deri atëherë, do të thotë se Berisha udhëton me reaktivë e jo më me helikopter. Nuk kam ç’ti bëj, i ka mbetur mendja te rrugët e vjetra...”, shtoi ai. Po dje, Berisha ishte edhe në Gjirokastër, ku prezantoi kandidatin e Aleancës për Qytetarin, Genci Sinoimeri. Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se në 4 vitet e ardhshme qeveria e tij do bëjë gjithçka për restaurimin e Gjirokastrës dhe afrimin e saj me Tiranën.