E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti i ri, Pallati i Drejtësisë dhe Financës në qendër të Tiranës

SHKRUAN: Jonida Tashi 30-04-2011 09:53

Rikonstruksion nga e para për qendrën e Tiranës. Zemra e kryeqytetit, që është qendra tashmë e copëtuar e Tiranës, për shkak të rikonstruksioneve të Bashkisë, do të zmadhohet për të përfshirë më shumë arterie rreth saj. Ky është projekti i prezantuar dje nga Bashkia e Tiranës për qendrën “Tirana XXI”, në të cilin paraqiten mjaft ndryshime të tjera për qendrën e kryeqytetit. Drejtuesit e Bashkisë, nënkryetarja Albana Dhimitri dhe administratori i përgjithshëm Dritan Agolli u shprehën se “ky projekt synon të fuqizojë Tiranën dhe ta shndërrojë atë në kryeqendrën e rajonit, në kryeqendrën e identitetit kulturor të të gjithë shqiptarëve”. Në fakt, ideja e këtij projekti ka lindur me Planin e Qendrës në vitin 2004 dhe u zhvillua me tej me Planin e Ri Rregullues më 2008-ën. Por, sipas projektit të Bashkisë së Tiranës, zona ku do të zhvillohet qendra “Tirana XXI” është në veri të Unazës ekzistuese deri te lumi Tirana, në lindje dhe perëndim kufizohet nga rrugët “Siri Kodra” dhe “Jordan Misja”. Sipas dy përfaqësuesve të Bashkisë së Tiranës, qendra e re do të jetë porta hyrëse dhe kryqëzim i rrugëve të hyrjes në qytet. Ata kanë bërë të ditur se parku i ri i qendrës që do të ketë një sipërfaqe prej 150 mijë metra katror, dhe ky do të jetë kulmimi i saj më i rëndësishëm. Ndërkohë qendra e re “Tirana XXI” do të ketë 20 piazza publike (hapësira publike), ku parku “T” do të jetë kështu piazza e 21-të e saj. Qendra do të ketë korridore të gjelbëruara që lidhin piazzat me sheshin qendror të saj, parkun. Ndër institucionet publike të rëndësishme që do ngrihen në qendrën e re të Tiranës do të jenë edhe zyrat e bashkisë së re, si dhe qendra e re e shërbimeve ndaj qytetarëve, si një koncept i zgjeruar i modelit të Qendrës së Informimit Qytetar (shërbime me një ndalesë), që funksionon pranë Bashkisë së Tiranës që prej vitit 2002. Po ashtu, shërbimet dhe zyrat teknike e të zhvillimit të Bashkisë do të vendosen në këtë zonë, për t’i dhënë një nxitje më të madhe zhvillimit të saj. Gjithashtu, në qendrën e re do të ndërtohen edhe Pallati i Drejtësisë dhe Pallati i Financës. Pallati i Drejtësisë do të jetë një hapësire e denjë për organizimin e veprimtarisë së pushtetit tonë gjyqësor. Kurse Pallati i Financave do të përfaqësojë dhe mundësojë funksionimin e Bursës së Tiranës dhe do të jetë vendi transaksioneve më të mëdha financiare në nivel rajoni si dhe i projekteve dhe investimeve vendase dhe të huaja. Sipas projektit të Bashkisë, qendra e re e “Tiranës XXI” do të jetë vendi kulmor i selive rajonale të korporatave dhe organizatave më të mëdha dhe me peshë në zhvillim. Gjithashtu, në qendrën e re të Tiranës do të ngrihet edhe qendra rajonale e BE-së dhe do të ndërtohet edhe terminali i ri verior. “Në të do të ngrihet edhe Qendra Rajonale për Ballkanin Perëndimor, për Bashkimin Europian, një organizëm që synon të rrisë dhe zhvillojë marrëdhëniet e rajonit me Bashkimin Europian, të nxisë këmbimet, eksperiencat, rrjetet e partneritetit, zhvillimin e projektet, aksesin dhe këmbimet me BE-në, për të gjitha vendet e rajonit. Një qendër e vendeve, së shpejti anëtarë të Bashkimit Europian, me modele të tilla zhvillimi”, - shpjeguan drejtuesit e Bashkisë. Por, ndërtesat e reja në qendër nuk do të mbarojnë me kaq, pasi qendra e re do të ketë edhe Lagjen e Restoranteve, dedikuar kuzhinës shqiptare dhe rajonit, si dhe do të përmbajë Teatrin bashkëkohor, Odeonin e muzikës dhe Odeonin e filmit. Distrikti do të kulmojë me promenadën e dyqaneve elitë, që ndërthuren edhe me hapësirat e atelieve të stilistëve shqiptar si dhe Galerisë së modës dhe të medias.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›