E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vulat rezervë, KQZ shtyn përfshirjen në manualin e numëruesve

SHKRUAN: Fejzi Braushi 30-04-2011 09:49

Mënyra e përdorimit të vulave rezervë nga Komisionet e Qendrave të Votimit do të përcaktohet me një udhëzim të veçantë të KQZ. Për këtë qëllim, në manualin e trajnimit të anëtarëve të Grupeve të Numërimit të Votave, me propozim të anëtarëve të majtë, çështja e trajtimit të fletëve të votimit, që janë me vulë rezervë nuk është përfshirë. Kjo deri në një moment të dytë, kur vendimi i KQZ-së për prodhimin e vulave rezervë të marrë formë të prerë. Ndërkohë që nga sa trajtohet në manual, ambientet e grupeve të numërimit të votës pritet të kthehen në “stadiume”, pasi çdo kandidat, qoftë për kryetar, ashtu edhe për anëtarë të Këshillit Bashkiak apo komunal, do të ketë të drejtë të vëzhgojë procesin e numërimit të votave.

Vulat

Çështja e vulave rezervë është bërë edhe një herë dje objekt i diskutimeve të gjata, që në disa raste kaluan edhe në debate të forta mes kryetarit dhe nën/kryetares së KQZ-së. Shkak është bërë pikërisht këmbëngulja e nënkryetares së KQZ-së, për të mos përfshirë në Manualin e Trajnimit të anëtarëve të GNV-ve pikën që trajtonte pikërisht çështjen e vlerësimit të fletës së votimit. Sipas Manualit, një fletë votimi duhet të konsiderohej e vlefshme, pasi anëtarët e GNV-ve të shikonin nëse ajo kishte dy vulat, atë të kryetarit dhe sekretarit të KQV-së, ose vulën rezervë. Sipas Subashit, numëruesit nuk duhet të trajnoheshin për një gjë të tillë, pasi vendimi nuk kishte marrë fuqi ligjore, pasi nuk dihej se cili do ishte vendimi i Kolegjit. “Ai vendimi i KQZ-së nuk ka marrë formë të prerë. Duhet të presim pesë ditët dhe pastaj të veprojmë. Ndaj mendoj se duhet ta shtyjmë deri sa të marrë vendimi formë të prerë”, - u shpreh Subashi, ndërsa ka kërkuar edhe konsensusin e përfaqësuesve të djathtë për këtë pikë. Por, sipas kreut të KQZ-së, Arben Ristani, vendimi i KQZ-së për vulat rezervë është në fuqi dhe së dyti pavarësisht nëse do të ketë një vendim të Kolegjit, komisionerët duhet të trajnohen njësoj për vulat rezervë, sepse në çdo rast KQZ në bazë të Kodit mund të vendosë të prodhojë vula rezervë edhe ditën e zgjedhje. Pavarësisht kundërshtimeve, kryetari i KQZ-së ka dhënë konsensusin e vet që kjo pikë të mos përfshihej në këtë moment në manual, por të vendosej në një moment të dytë, ndërsa për përdorimin e vulës rezervë ai ka qenë i gatshëm dhe ka udhëzuar administratën që të hartojë një udhëzim të posaçëm. Pavarësisht këtij kompromisi në parim, dy përfaqësuesit e majtë Artan Lazaj dhe Dëshira Subashi kanë votuar kundër manualit.

VNV

Ndërkohë, që një pikë tjetër e këtij manuali që ka krijuar jo pak kundërshtime në sallë, ka qenë ajo që përcaktonte se të gjithë kandidatët, qofshin ata për kryetar, por edhe për anëtarë këshillash, të mund të ndiqnin nga afër si vëzhgues procesin e numërimit të votave. Shqetësimi ka qenë i përfaqësuesve të djathtë, të cilët kanë paralajmëruar se në këtë mënyrë ambientet e sallave ku do të bëhet numërimi i votave mund të shndërrohen në ambiente ku nuk mund të punohet lirshëm. Sipas Niazi Kosovrastit, numri i madh i kandidatëve për këshilltarë mund të bënte që për t’u sistemuar të gjithë si vëzhgues, do të kërkohej që numërimi i votave të bëhej në stadiume. Ndaj ai, ka propozuar që kjo pikë të ndryshojë duke lejuar vetëm kandidatët për kryetar. Me logjikën e tij është bashkuar dhe anëtari i KQZ-së, Hysen Osmanaj, i cili për këtë shkak ka theksuar se është kundër manualit, pavarësisht se në fund, për shkak të mungesës së votave të duhura dhe për të mos u bërë shkak për rrëzimin e manualit, ka votuar pro.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›