E Diel, 1 Nëntor 2026

Autostrada Tiranë-Durrës, 25 me 1 raporti i posterave të PD me partitë e tjera

PD konkurron Obamën për postera dhe flamuj në fushatë
Partia Demokratike nuk ka pushtuar vetëm Tiranën por edhe autostradën Tiranë-Durrës. Raporti i posterave të PD me partitë e tjera ka qenë 25 me 1, që do të thotë se Partia Socialiste ka patur vetëm tre postera të vendosura përgjatë autostradës Tiranë-Durrës, ndërsa Partia Demokratike ka patur 75 të tillë. Pra fushat e PD është shtrirë edhe nëpër rrugë nacionale, ku duket se kërkon që tu tregojë të gjithë votuesve shqiptarë se kjo është e vetmja forcë politike për të cilën ata mund të votojnë, dhe se nuk ka ndonjë forcë tjetër e cila mund ti fitojë këto zgjedhje. PD po shfaq një fushatë mjaft agresive duke treguar se në këtë fushatë ajo është e vetmja forcë politike e cila do ti fitojë këto zgjedhje, dhe se partitë e tjera janë thjeshtë parti formale të cilat të bëjnë të mendosh se dhe këto parti kërkojnë të fitojnë. Por më interesante është fushata që po zhvillohet në bashkinë e Vorës ku vetëm pak ditë më parë lideri i PD, Sali Berisha ishte për të zhvilluar miting elektoral në këtë zonë. Në të dyja kahet e rrugëve të cilat të çonin drejt bashkisë së kësaj qyteze ishin të mbushura vetëm me flamuj blu, ndërsa zyra elektorale e PD në këtë bashki ishte madhështore e cila dukej sikur ishte dhe më e madhe nga zyra elektorale që pati presidenti i SHBA-ve Barak Obama. Ndërsa në njësinë bashkiake numër tre ku zyrat elektorale të PD dhe PS janë vetëm 10 metra larg njëra-tjetrës dukej sikur zyra e socialistëve rrinte hapur vetëm sa për ti bërë oponencë në dukje zyrës së demokratëve për faktin se përveç dy tre flamujve rozë, të gjithë zonën e dominonin ata blu, të cilët dukej sikur tregonin edhe një herë se këto zgjedhje kanë marrë fund dhe janë të fituara nga PD, por partitë e tjera le të rrinë sa për tu dukur se edhe ato janë në këto zgjedhje. Në qoftë se do të shikohen me vëmendje zhvillimet e fushatave të të gjitha forcave politike, në Tiranë do të shikohet fare qartë se PD në këto zgjedhje dhe në këtë fushatë po konkurron me veten e saj, dhe në rast se kjo parti do të dilte forca e dytë në vend atëherë normalisht që do të dilte sikur PD do të kishte humbur ndaj vetes së saj. Gjithashtu është për tu evidentuar fakti se të gjithë këta postera nuk kanë qene nga ata të vegjlit që mund ti shohim çdo ditë nëpër muret pallateve, apo të vendosur në shtylla por janë postera gjigandë të cilat duken sikur konkurrente të vetme kanë posterat e dy kompanive të mëdha telefonike, siç janë ato të Vodafonit dhe ë AMC. Disa zëra nga PD thonë se këtë fushatë marramendëse ku shpenzimet janë super miliardere po vijnë nga firma të ndryshme të cilat kooperojnë brenda dhe jashtë vendit, ndërsa disa të tjerë deklarojnë se zhvillimi i kësaj fushate nuk e ka kaluar akoma të 13 milion lekë të rinj që kishte miratuar KQZ për zhvillimin e fushatës së PD dhe se buxheti shqiptar është i paprekur, por edhe kjo duket si një kafshatë e cila nuk kapërdihet lehtë, po të kemi parasysh se vetëm në Tiranë kjo fushatë i ka kaluar ato 13 milionë lekë rreth dhjetë herë. Kryeministri Berisha pati deklaruar para disa kohësh se administrata shtetërore është e gjitha në dietë, mbase kjo tregon se nga po dalin gjithë këto para, pra me sa duket të gjitha ato kursime që paskan bërë ministrat dhe administrata shqiptare po përdoren tani në kohë fushate. Ndër të tjera duhet thënë se është e gjithë administrata shtetërore e cila është hedhur në fushëbetejë për fushatë, sepse në qoftë se i kërkon në zyrat e tyre për të marrë ndonjë prononcim qoftë edhe për arsimin nuk gjen asnjë drejtor drejtorie në zyrë sepse edhe ai ka dalë për të bërë fushatë dhe për të mbushur numrin nëpër mitingjet e PD. Si përfundim fushata e PD i ka kaluar të gjitha rekordet për zhvillimin e një fushate, kjo fushatë e PD, ua ka kaluar jo vetëm fushatave të partive Evropiane, por edhe fushatës së presidentit amerikan Obama, për nga posterat dhe nga reklamat që po i bën vetes dhe liderit të saj Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›