Autostrada Tiranë-Elbasan, banorët e Berzhitës në protestë

Banorë të komunës Bërzhitë kanë protestuar sot duke kërkuar shpronësimin e tokës nëpër të cilin kalon aksi rrugor Tiranë-Elbasan.
Banorët kanë treguar për “Ora News” se toka nuk i është vlerësuar me çmimin e tregut ndërsa shumica e pronarëve nuk figurojnë fare në listën e shpronësimeve.
“Çmimi i ofruar nga qeveria është fiktiv dhe ka dalë nga minimumi i çmimit të vërtetë të tokës” deklaron për “Ora News” një banor.
“Dëmshpërblimet duhet të jepen parapagim ashtu siç e përmban edhe ligji, pa filluar punimet ndërsa punimet po vijojnë pa na ofruar asnjë zgjidhje” shton më tej banori
Banorët theksojnë se në lidhje me këtë problem u janë drejtuar edhe autoriteteve shtetërore por ende nuk kanë marrë një përgjegje.
Ata theksojnë se nuk janë kundër ndërtimit të rrugës, por kundërshtojnë çmimin prej 3 mijë lekësh të vjetra të ofruara nga qeveria për shpronësimin e tokës.
Banorët kanë kërkuar që të negociohet për një çmim më të mirë, që t`i afrohet çmimit të tregut, të cili sipas tyre, është minimumi dhjetëfish më i lartë.
“Këtu në tokë do të vdesim të gjithë. Mua më ikin 2 dylym tokë. Këtu do të vdes në tokën time ” thekson një banor. “Vijnë këtu dhe na prishin të mbjellat. Kishim mbjellë ullinj. Të paktën të na kishin lajmëruar 6 muaj përpara dhe t`i kisha mbjellë në një vend tjetër” thekson një banor tjetër.
“3 mijë lekë janë poshtëri, është marrje nëpërkëmb e dinjitetit. Çmimi i tregut është 80 mijë lekë të na jepet minimum 50 mijë lekë për tokën” shton në tej ai.
Banorët kërcënojnë se do të bllokojnë punimet e rrugës nëse nuk i jepet një zgjidhje problemet të tyre. "Herën tjetër protesta nuk do të jetë kaq paqësore nëse nuk na ofrohet një zgjidhje" shton më tej një banor.