E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autostrada e re që lidh Lushnjën me Fierin merr një tjetër jetë

Përgjaket sërish autostrada Lushnjë-Fier. Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur natën duke u gdhirë e diela, me vdekjen e një 36-vjeçari nga Tirana. Aksidenti ka ndodhur në autostradën Lushnjë-Fier, në afërsi të fshatit Gorre, në kilometrin 11 të autostradës. Sipas burimeve zyrtare të policisë së qarkullimit rrugor në Komisariatin e Lushnjës, mësohet se ka humbur jetën 36-vjeçari Arben Hoxha, lindur në Berat dhe banues prej disa vitesh në Tiranë. Ai ishte duke udhëtuar nga Fieri në drejtim të Tiranës me automjetin e tij të tipit "Mercedes Benz" me targa TR2117N, ku për shkak të shpejtësisë së madhe dhe mungesës së ndriçimit në rrugë, ka humbur kontrollin e mjetit, në afërsi të fshatit Gorre. Për pasojë makina ka ecur për disa sekonda në anësore të rrugës dhe është përplasur më pas me një mur betoni. Përplasja ka qenë fatale. Mjeti ka pësuar dëmtime në pjesën e përparme dhe një pjesë e makinës ka shtypur trupin e 36-vjeçarit, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.

Rastësisht, drejtuesit e dy makinave që përshkonin këtë segment rrugor kanë parë skenën e aksidentit dhe kanë lajmëruar policinë e qarkullimit. Ardhja e këtyre të fundit, edhe pse disa minuta më vonë, ka qenë e kotë, pasi babai i dy fëmijëve e kishte humbur jetën. Policia ka marrë trupin e 36-vjeçarit dhe e ka transportuar në morgun e spitalit të Lushnjës, ndërsa ka larguar më pas automjetin e tij nga autostrada.

Ekspertizat e para të specialistëve të qarkullimit rrugor mendojnë se 36-vjeçari e ka humbur kontrollin e mjetit për shkak të përgjumjes, ndërkohë që shpejtësia e lëvizjes ka qenë e madhe. Policia nuk ka dalë ende në një version përfundimtar të shkakut të aksidentit, por deklarohet se një shkak më shumë ka qenë edhe mungesa e ndriçimit në rrugë. Autostrada Lushnjë-Fier është kthyer në një makth për drejtuesit e makinave, kryesisht gjatë orëve të natës. Kjo për faktin e mungesës së ndriçimit, por edhe të mbikalimeve e nënkalimeve. Numri i aksidenteve vetëm gjatë këtij viti në këtë segment autostradal është mbi 25, kurse 9 persona kanë humbur jetën që nga janari deri më sot në aksidentet e ndodhura në autostradën më të re Lushnjë-Fier. Me këto shifra, rruga e re Lushnjë-Fier është duke "konkurruar" fort me rrugën Tiranë-Lezhë, që njihet tashmë si "autostrada e vdekjes".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›