Vetëvaret me çarçaf te shkallët e pallatit
Një 36-vjeçar është gjetur i vetëvarur në shkallët e pallatit të tij në Laprakë të Tiranës. Renato Latifi, lindur në Lushnjë dhe banues në Tiranë, dyshohet se vuante nga probleme të depresionit. Ai i ka dhënë fund jetës rreth orës 17.00 në ambientet e banesës ku jetonte me një çarçaf. Por, për kryerjen e këtij akti ka zgjedhur hyrjen e pallatit. Pikërisht aty ku e shikonin të gjithë, ai i ka dhënë fund jetës, ndërkohë që është gjetur nga kalimtarë të rastit. Policia është njoftuar se ngjarja kishte ndodhur te pallatet "Hawai" dhe menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Komisariatit Nr. 2, të cilët kanë kryer veprimet hetimore. Sipas policisë, mbetet i dyshimtë fakti pse ai është vetëvarur në atë vend dhe mbrëmë janë marrë në pyetje disa të afërm të tij në lidhje me motivet e mundshme të ngjarjes. Megjithatë, ende nuk është konfirmuar një motiv i saktë.