Karambol tek Ura e Bënçës, vdes gruaja 43 vjeçe
Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një gruaje 43-vjeçare ka ndodhur dje në mesditë në aksin rrugor Tepelenë-Memaliaj, pranë Urës së Bënçës, në vendin ku ndodhen varrezat publike të qytetit të Tepelenës. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, autobusi me targa GJ7326A, me drejtues mjeti shtetasin Besnik Hajdini, është përplasur me automjetin tip "Mercedes Benz" me targa TR5153F, me drejtues mjeti shtetasin Belul Zaimi, lindur në Përmet dhe banues në Tiranë. Bëhet e ditur se si rezultat i kësaj përplasjeje janë plagosur udhëtarët e autoveturës, përkatësisht Belul Zaimi, drejtuesi i automjetit, Donika Zaimi, bashkëshortja e tij, si edhe bashkëshortët Gramoz e Pranvera Elmazi, të afërm të drejtuesit të mjetit. Sipas policisë, aksidenti ndodhi në rrethanat e një shiu të rrëmbyeshëm, kur vetura lëvizte në drejtimin nga Përmeti në Tiranë, ndërsa autobusi në drejtimin tjetër. Të plagosurit në këtë aksident janë transportuar me urgjencë në spitalin e Tepelenës, ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore. Mësohet se pak minuta pas mbërritjes në spital, shtetasja Donika Zaimi, 43 vjeçe, ka gjetur vdekjen. Ndërsa shtetasit Belul Zaimi, Gramoz Elmazi dhe Pranvera Elmazi, pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Tepelenës janë transportuar për në spitalin rajonal të Gjirokastrës për ndërhyrje më të specializuar dhe sipas burimeve spitalore, aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Nga pasagjerët e autobusit nuk ka pasur të lënduar. Ndërkaq, grupi hetimor ka kryer veprimet e para hetimore dhe nga dëshmitë e marra në vendngjarje ka rezultuar se shkaku i aksidentit është humbja e kontrollit nga ana e drejtuesit të veturës.