E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, kontroll të rreptë skedinave sportive

Koha kur shqiptarët humbnin miliona lekë nëpër baste, ndërsa shteti nuk siguronte asnjë të ardhur, duket sikur ka përfunduar. Me rritjen e detyrimeve tatimore dhe me përcaktimin e normës së fitimit mbi shumat e luajtura, ngërçi i krijuar me vite do të marrë fund. Ky është në thelb qëndrimi i ministrit të Financave, i cili hodhi poshtë propozimin e deputetit të PR-së, Albert Faruku, lidhur me rishikimin e nenit 44. Me parë, ministri kishte replikuar me opozitën, e cila braktisi sallën e Kuvendit me pretekstin se qeveria nuk merr në konsideratë disa sugjerime për kriteret e licencimit të lojërave të fatit. Debati me opozitën u përqendrua në detyrimin për të paguar marrjen e licencës për kazinotë e mëdha, të cilat nga 10 milionë euro, qeveria e uli në 3 milionë. Me anë të Braçes, opozita sugjeroi tarifën prej 1 miliard lekësh për çdo licencë. Votimi e rrëzoi kërkesën, duke sjellë largimin e opozitës nga Kuvendi. Më tej, ministrit Bode i është dashur të sqarojë dhe deputetin e PR-së, i cili sugjeroi rishikimin e nenit ku thuhet se, organizatori i bastit sportiv duhet t‘i garantojë lojtarit një normë fitimi të paktën 50 për qind mbi shumën e vendosur. Sipas Bodes, kjo normë e re është vendosur që të shmangë humbjet e shumta, të cilat dërgoheshin jashtë vendit. "Koeficienti në skedina përcaktohet nga qendrat jashtë Shqipërisë, të cilat diktojnë lojën për filialet në vend. Kjo nuk mund të lejohet. Tashmë lojtarit do t‘i jepet mundësia që me skedina të ketë mundësi fitimi, të paktën 50% të shumës së vendosur", u shpreh Bode. Edhe pse të pashpjeguar mirë, deputetët votuan pro ligjit "Për lojërat e fatit", ndërsa ministri Basha abstenoi njërin nen të ligjit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›