Malaj-Bode, sherr për çmimet e naftës
Niveli aktual i karburanteve në tregun vendas ka shkaktuar dje debate të forta në Kuvendin e Shqipërisë mes deputetit të Partisë Socialiste, Arben Malaj, dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode. Opozita e shikon me dyshim nivelin aktual të çmimeve, duke fajësuar qeverinë me neglizhencën e saj disamujore, kur dhe nafta ka prekur majat. Ish-ministri i Financave në kohën e qeverisjes socialiste, Malaj, ka bërë disa krahasime me dy periudha të ndryshme, duke nxjerrë në pah rezultatin se, shoqëritë e karburanteve janë duke fituar në kurriz të konsumatorëve. "Në korrik kur çmimi i naftës në bursa ishte 147 dollarë për fuçi, në vend litri i saj kushtonte 160 lekë. Tani çmimi për fuçi është 47 dollarë, ndërsa në tregun tonë kemi naftë që shitet me 130 lekë. Diferenca nga llogaritjet e bëra është 60 lekë të fituara për çdo 100 lekë. Nga kjo del se qeveria është e lidhur me klanet e caktuara në tregun e karburanteve dhe se i intereson ky raport. Nuk ka sesi të shpjegohet ndryshe ky nivel çmimesh", u shpreh i shqetësuar Malaj, i cili njëherësh është nënkryetar i Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat. Reagimi i ministrit të Financave, Bode, ishte tepër i qetë. "Nuk jemi në kohën e komunizmit, kur qeveria caktonte drejtimin e çdo sektori në treg. Po jua them prerë. Nuk kemi për të ndërhyrë në treg. Nuk jemi ne ata që përcaktojmë fatet e tregut të karburanteve. Çdo luhatje e çmimit varet nga kërkesë-oferta. Nëse është ashtu si thoni ju, pra në 100 lekë fitohet 60 lekë, pse nuk provoni të hyni në treg? Ndoshta dilni të fituar!", iu drejtua Bode opozitës. Debati i djeshëm e ka zanafillën te deklarata e deputetit të PD-së, Bujar Leskaj, mbajtur një javë më parë në Kuvend, i cili tha se, shtatë kompani karburantesh kanë lidhur marrëveshje të fshehtë me njëra-tjetrën, me synim kontrollin e tregut dhe fiksimin e çmimit të naftës.
Tregu
Edhe pse përbëhet nga më shumë se 32 operatorë, pra importues dhe mbi 100 subjekte të tregtimit me pakicë, tregu i karburanteve në vend perceptohet nga konsumatori si një formë monopoli. Vet importuesit e naftës e hedhin poshtë këtë fakt me pretendimin e liberalizimit të tregut dhe pjesëmarrjes së gjerë të subjekteve që importojnë karburant. Për një kohë të gjatë, "Shqip" ka trajtuar çështjet që lidhen me sektorin e karburanteve në vend, duke sjellë në vëmendjen e opinionit publik problemet dhe abuzimet me tregun. Nga një vlerësim i bërë pak ditë më parë, duke marrë për bazë çmimet e naftës në bursa, referencat dhe taksat që paguhen në doganë, përfshi dhe normat e fitimit, doli në fund se, në treg nuk duhet të kemi një litër naftë më të shtrenjtë se 105 lekë, kur në fakt aktualisht shitet me 120 lekë.