E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autostrada pëson dëmtime dhe rrëshqitje

Kukës-Morinë/ Pavarësisht se ka vetëm pak kohë që është ndërtuar, ky aks ka dëmtime serioze


Lëvizja e tokës ka bërë që asfalti të çahet, ndërsa gurët përshkojnë gjithë gjatësinë e tij
KUKËS - Kanë filluar problemet me segmentin e autostradës Kukës-Morinë, pjesë e autostradës Durrës-Morinë, aks i cili ka vetëm pak kohë që është ndërtuar.


Gjithandej kësaj rruge, që cilësohet dhe e standardeve të larta në ndërtim, shihen dëmtime serioze në tabanin e saj, por dhe në anësore dhe pjesët e tjera përbërëse. Në shumë vende të këtij aksi rrugor vërehen shembje të tokës, çarje të asfaltit dhe cedime të tabanit, duke e deformuar rrugën në shumë pjesë të saj.


Në jo pak vende çarjet e asfaltit dhe dëmtimet e thella, po kthehen në burim rreziku për automjetet e shumta që kalojnë përgjatë këtij aksi. Sinjalet e para të këtij dëmtimi u dhanë në afërsi të repartit ushtarak të Kukësit, ku mëse 60 metra linear rezulton të kenë pësuar çarje asfalti për shkak të lëvizjes së tokës dhe cedimit të plotë të bazamentit.


Një lëvizje e tillë e tokës ka bërë që të shkaktohen probleme edhe në veprat e artit, kryesisht mure mbajtëse dhe mure anësore, ndërsa gurët e skarpatave të pasiguruara sipas parametrave të përcaktuara për rrugë të tilla janë "mysafirë të paftuar" të automjeteve që befas gjenden para tyre të kërcënuar nga rreziku që ato sjellin nga rënia nga lart.


Po ashtu dëmtime serioze vërehen edhe në afërsi të fshatit Morinë, vetëm tre kilometra larg doganës, ku janë dëmtuar afro 20 metra bankinë, që kanë pësuar rrëshqitje.


Specialistët janë shprehur se e gjitha kjo mosqëndrueshmëri në disa vende të këtij aksi ka ardhur për shkak të mosstabilizimit të bazamentit të rrugës, ndërsa ende askush nuk po merret me zgjidhjen e këtij problemi, ndërkohë që dëmtimet mund të shtohen akoma më tepër për ta bërë aksin të pakalueshëm, çka përveçse do t'i bënte drejtuesit e automjeteve të ballafaqoheshin me rreziqe, do të çonte dëm të gjitha parate e hedhura në këtë aks.


Me sa duket, edhe për këtë aks rrugor nuk ka pasur një studim të mirëfilltë gjeologjik ose nuk është zbatuar projekti si duhet, pasi nëse kryhen gjithë punimet sipas parametrave të duhur duke ndërhyrë deri në thellësi të tabanit, nuk ka përse të ngjasin rrëshqitje të tilla dhe cedime të bazamentit të rrugës.


Specialistët: Shpejtësia, një shkak për punimet e dobëta


I pyetur nga gazeta, një specialist, duke parë edhe problemet e hasura në Kukës - Morinë, shpjegon se rrëshqitja e bazamentit së një rruge shkaktohet nga dy arsye: ose nga rrëshqitja e dheut nën të, ose nga mosngjeshja e tokës.


Në këtë rast, pamjet tregojnë se edhe muret mbajtëse kanë probleme, çka nënkupton se ato ose nuk kanë cilësi të mirë të betonit, ose nuk janë vendosur në parametrat e duhura. Ndërsa për rrëshqitjen e gurëve dhe dherave të sipërm, kompania ndërtuese duhet të vërë rrjeta mbajtëse që e shpojnë malin tej e tej dhe që nuk lejojnë dherat dhe gurët të bien në asfalt.


Shpejtësia e punimeve mund të jetë një shkak për cilësinë e dobët të autostradës, për faktin se sidomos para se të shtrohet asfalti, duhet të ngjeshet mirë toka, të lihet disa ditë me çakull (apo stabilizant) dhe të ngjeshet nga makinat që e bëjnë atë rrugë.


Në rrugë me probleme të tilla, duhet të merren parasysh edhe lëvizje sizmike, si dhe paqëndrueshmëria e malit apo luginës ku ajo kalon. Shumë nga firmat e ndërtimit nuk i bëjnë siç duhet punimet, edhe nga shpenzimet që mund të ketë, por edhe që të fitojnë diçka më tepër.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›