E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mori 500 mijë lekë, arrestohet polici i patrullës

VLORË - Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka arrestuar mbrëmë në orët e vona një efektiv të Patrullës së Përgjithshme me detyrë në Policinë e Vlorës, me akuzën e mitmarrjes.


Vendim Ferraj është prangosur nga kolegët e tij të SHKB- së, pasi ishte zbuluar se kishte marrë një shumë prej 500 mijë lekësh të vjetra në formën e mitës me qëllim për të ndihmuar, një qytetar në një nga institucionet e tjera të qytetit.


Ferraj, ishte emëruar si efektiv në Patrullën e Policisë së Vlorës disa muaj më parë, ndërsa është arrestuar pikërisht në këtë qytet nga agjentët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, pas informacioneve për veprimet e tij.


Sipas burimeve policore, Ferraj është arrestuar në orët e vona të ditës mërkurë, si person i dyshuar për konsumimin e veprës penale të mitmarrjes. Ndërkohë, burimet e policisë janë treguar të rezervuara për arrestimin e efektivit të patrullës së përgjithshme, për sa i përket informacioneve për hetimet që janë kryer nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›