E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Furtuna" vë në pranga 6 hajdutë

OPERACIONI/ Policia e Fierit dhe Lushnjës kanë arrestuar 2 grupe vjedhësish që vepronin në këto rrethe

Hajdutët ishin të "specializuar" në vjedhje dyqanesh e lotosh, si dhe në vjedhjet e motoçikletave


FIER - Prangoset një grup kriminal që kryente vjedhje në Qarkun e Fierit. Kanë qenë strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, të cilët në kuadër të intensifikimit të masave për parandalimin, zbulimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në drejtim të veprave penale kundër personit dhe pronës, kanë zhvilluar një operacion të koduar "Furtuna".


Ky operacion është zhvilluar në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lushnjë, duke bërë të mundur dokumentimin e plotë ligjor të disa vjedhjeve të ndodhura. Si rrjedhojë, u bë i mundur arrestimi i 16-vjeçarit V.H., banues në fshatin Levan, si dhe bashkëmoshatarit R.M., banues në Fier.


Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur dy kioska, duke marrë materiale të ndryshme kinkalerie e ushqimore. Gjithashtu ata akuzohen se kanë vjedhur 330 000 lekë në një pikë loto sporti, 10 000 lekë dhe 20 karta rimbushëse në një dyqan, si dhe 30 000 lekë dhe 500 paketa cigare në një tjetër dyqan.


Gjithashtu në pranga janë vënë Besnik Tafa, 46 vjeç, Rrapush Manja, 34 vjeç, dhe Ledion Saraçi, të tre banorë të fshatit Karbunarë e Madhe të Lushnjës. Sipas policisë, këta shtetas, në bashkëpunim edhe me 27-vjeçarin Agron Tafa, i shpallur në kërkim, kanë vjedhur disa motoçikleta në fshatra të ndryshme të Lushnjës.


Kështu mësohet se ata kanë vjedhur dy motoçikleta në fshatin Krutje, një motoçikletë në fshatin Pirrë dhe një motoçikletë në fshatin Çukaj.


Në vërtetim të dyshimeve, nga kontrolli i ushtruar në banesën e Besnik Tafës u gjet dhe u sekuestrua një motor i markës "Honda", një armë zjarri automatike model 56, një armë zjarri artizanale, si dhe 30 fishekë. Edhe në banesat e tre autorëve të tjerë u gjetën 3 motoçikleta të vjedhura.


Në pranga mësohet të jetë vënë edhe 22-vjeçari Bledar Biba, banues në lagjen "Gafurr Muça" në Lushnjë. Ai akuzohet se ka vjedhur 5 televizorë të markave "Samsung" e "Grunding" në një loto-sport. Gjithashtu ai dyshohet se ka tentuar të vjedhë klinikën private të një shtetasi. Në banesën e tij, pas kontrollit të bluve u gjetën dy arka me 1000 fishekë, si dhe 5 televizorët që rezultonin të vjedhur.


Të shtatë hajdutët akuzohen për veprën penale të "vjedhjes në bashkëpunim", ndërsa ndaj disave prej tyre është ngritur edhe akuza e "armëmbajtjes pa leje". K.Thanasi

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›