Ujërat e zeza mbyllin shkollën, 1300 nxënës në protestë
DURRËS/ Nxënës dhe drejtues të shkollës "Neim Babameto" kanë protestuar para bashkisë së qytetit bregdetar
DURRËS - Për 60 minuta, rreth 1300 nxënës të shkollës 9-vjeçare "Neim Babameto" kanë protestuar para bashkisë së Durrësit paraditen e së mërkurës, duke kërkuar që të gjenden fajtorët e gjendjes katastrofike të shkollës që ka vetëm 2 vite që është përuruar dhe që është, sipas drejtuesve të saj, jashtë çdo kushti teknik dhe higjienik për mësimdhënie.
"2 vjet pas përurimit, - ankohen drejtuesit, - në të kanë shpërthyer ujërat e zeza nëpër korridoret e katit të parë dhe ka filluar që të bjerë suvaja në mure e tavane. Situata në këto kushte është në prag katastrofe, prandaj inspektorë të Institutit të Higjienës dhe Epidemiologjisë kanë vendosur mbylljen e saj.
Pas këtyre përplasjeve rezulton se shkolla nuk është marrë ende në dorëzim nga Drejtoria. Në protestën e bërë para bashkisë së qytetit, drejtuesit e shkollës "Neim Babameto" në Spitallë kërkojnë hetim të menjëhershëm të KLSH-së për të zbardhur vjedhjet që mund t'i jenë bërë fondit qeveritar.
Në protestë ata u shprehën se "mjediset e kësaj shkolle janë mbyllur nga mjekët sanitarë, pasi nxënësit rrezikohen të preken seriozisht nga disa lloje hepatitesh dhe sëmundje të tjera infektive". Para 2 javësh, në gazetën "Shekulli" u pasqyrua gjendja e rëndë, kur nëpër korridoret e shkollës shpërthyen ujërat e zeza dhe mësimi nëpër klasa ishte i pamundur.
Konflikti
Shkolla ka dy vjet që është vënë në përdorim, por drejtuesit e saj nuk kanë pranuar ta marrin në dorëzim për shkak të mangësive që janë parë në ndryshim nga projekti fillestar, për të cilin janë derdhur rreth 90 milionë lekë, të akorduar nga MASH-i. Projekti kishte si qëllim ngritjen e një shkolle model në zonën informale të Spitallës.
Por tashmë që shkolla ka filluar nga funksioni, ankesat për cilësinë e punimeve kanë ardhur duke u rritur vazhdimisht. Ujërat e zeza kanë shpërthyer nëpër korridore dhe klasa, pjesë të suvasë së mureve janë shpërbërë nga cilësia e dobët e punimeve dhe për arsye sigurie një javë më parë inspektorët sanitarë vendosën mbylljen e saj.
Si pasojë e kësaj gjendjeje 1300 nxënës nuk kanë se ku të bëjnë mësim. Në protestë merrte pjesë edhe drejtori i shkollës "Neim Babameto" Mark Laska, i cili tha: "Nëse do të ishin investuar 900 milionë lekë, atëherë ajo shkollë do të ishte një shembull i higjienës dhe kushteve të mësimdhënies.
Por aty kam bindjen se janë investuar më pak se gjysmat e këtyre parave. I bëj thirrje Kontrollit të Lartë të Shtetit të hetojë këtë investim që është një vjedhje e shëmtuar në dëm të nxënësve dhe të gjithë shoqërisë".