E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërhiqen e aktet e "Dosjes 3" të "14 shtatorit"

Prokuroria


Dy javë më parë, organi i akuzës kërkoi rihetimin e dy dosjeve të tjera, por më pas mbylli hetimin e tyre


TIRANË- Prokuroria e kryeqytetit, pas tërheqjes së dy dosjeve të tjera penale nga Gjykata e Shkallës së Parë, e cila prej 11 vitesh po i gjykonte të pandehurit e ngjarjes së "14 shtatorit 1998", tërhoqi dje edhe dosjen e tretë penale, me argumentimin e ri kualifikimin e veprave penale.


Ashtu si dy javë më parë, edhe paraditen e djeshme, ishte vetë drejtuesi i organit të akuzës në kryeqytet, prokuror Gent Xholi, i pajisur me një urdhër të kryeprokurores Ina Rama që e caktonte atë si përfaqësues të këtyre dosjeve, që i kërkoi treshes gjykuese të kryesuar nga gjyqtari Artan Broci, tërheqjen e akteve hetimore. Togat e zeza, pasi u njohën me kërkesën e organit të akuzës, vendosën që dosja t'i kalojë për rikualifikim të veprave penale institucionit të prokurorisë.


Kështu, dje dosja penale me të pandehurit: Avni Metalija, Bajram Hidri, Bajram Martini, Cen Doçi, Gezim Qordja, Hysni Gjyriqi, Muharrem Boshnjaku, Qamil Byberi, Sokol Gashi, Uk Celkola dhe një ish-agjent i shërbimeve të fshehta Jugosllave, i kaloi prokurorisë. Me kalimin e kësaj dosjeje, pushohen kështu edhe proceset më të gjatë gjyqësorë në historinë e drejtësisë në vend.


Ndërkohë, tashmë konfirmohet nga prokuroria se dy dosjet penale për ngjarjet e 14 shtatorit 1998 janë pushuar, me argumentimin se në këtë ngjarje nuk ka elementë të veprës penale të "Kryengritjes" në ditën e varrimit të deputetit Azem Hajdari. Nga rivlerësimi i kryer, ka rezultuar se ato veprime i përkisnin tri veprave të tjera penale, duke bërë që akuza ndaj tyre të riformulohej.


"Në analizën e provave dhe fakteve të grumbulluara që nga dita e ngjarjes e deri më tani, rezulton se ngjarja e 14 shtatorit 1998 nuk ka qenë një "kryengritje", pasi të akuzuarit nuk kishin si qëllim të tyre cenimin e Rendit Kushtetues, por vetëm zëvendësimin e qeverisë me një qeveri teknike deri në zgjedhjet e parakohshme.


Në këtë ngjarje kemi vetëm element të veprave penale të "veprës së dhunshme ndaj pasurisë"; "krijimit të turmave të armatosura" dhe "vjedhjes me armë".


Nga analizimi i provave dhe fakteve, sipas prokurorisë, është provuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale të "Krijimi i turmave të armatosura", për të cilën nuk mund të akuzohen pas 11 vitesh, pasi vepra është parashkruar (ka kaluar mbi 10 vjet, sa parashikon ligji dënimin).


Ndërkohë, për akuzën e "Veprave të dhunshme ndaj pasurisë", me ndryshimet e Kodit Penal në vitin 2007, nuk ekziston më pasi dhe ligji nuk ka prapaveprim. Kështu akuzat ndaj tyre pushohen automatikisht. Ndërsa, në rastin e 14 shtatorit 1998 kemi vetëm kryerjen e veprës penale të "vjedhjes me armë", por pa autor, pasi nuk mund të identifikohen autorët.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›