E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi, ekipet mjekësore nuk paraqiten në shkolla

SHKODËR - Ndonëse ka ditë që Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë një udhëzim për praninë e ekipeve mjekësore nëpër shkolla me qëllim që nxënësit të njihen me shenjat e gripit që rrezikon të kthehet në një epidemi, në shkollat e qytetit të Shkodrës ka pak raste kur mjekët apo punonjësit e shëndetësisë e bëjnë këtë.


Sipas drejtuesve të disa shkollave të qytetit, por dhe të komunave, punonjësit e shëndetësisë nuk janë dukur akoma nëpër ambientet e shkollave për të bërë sensibilizimin e nxënësve dhe dhënë informacion për gripin që qarkullon, si dhe atë të AH1N1.


Janë vetë mësuesit që përmes informacioneve dhe disa fletëpalosjeve që kanë siguruar me ndihmën e drejtorisë arsimore rajonale, po përpiqen të informojnë nxënësit për gripin, edhe pse kjo është një punë që i përket punonjësve të institucioneve shëndetësore. Çdo ditë shkollat raportojnë në drejtorinë arsimore rajonale numrin e mungesave të nxënësve dhe ky informacion i përcillet dhe drejtorisë së shëndetit publik në Shkodër.


Deri tani, situata është e ngjashme me atë të viteve të tjera , por rreziku i AH1N1 dhe mungesa e informacionit për të është shqetësuese si për mësuesit, ashtu dhe për nxënësit. Në shkolla si "Shejnaze Juka", "28 Nëntori", "Isa Jakupi" etj, pohojnë se nuk ka pasur asnjë rast kur punonjës të shëndetësisë të vijnë e t'u flasin nxënësve për shenjat e gripit të zakonshëm dhe atij AH1N1, dhe informacionet përkatëse për këtë janë tepër të pakta.

*********************************

Pranga policit, vodhi xhamat e makinës së bllokuar

SHKODËR - Policia e Shkodrës ka prangosur një efektiv tësaj i cili akuzohet për "vjedhje duke shpërdoruar detyrën".


Çlirim Shimaj, 41 vjeç, lindur e banues në Shkodër, me detyrë trupë shërbimi në komisariatin e policisë së Shkodrës, është prangosur nga kolegët e tij pas caktimit të masës së sigurisë "arrest në burg", dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër. Shimaj ishte denoncuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm.


Disa ditë më pare kishin nisur hetimet e bazuara në kallëzimin e një shtetaseje nga Shkodra, pronare e një mjeti të bllokuar në polici për verifikim. Në momentin që gruaja ka shkuar për ta tërhequr mjetin sipas rregullave përkatëse, ajo ka konstatuar mungesën e pasqyrës dhe dy fshirëseve të xhamit.


Menjëherë ajo ka bërë kallëzim dhe në mjet janë marrë si provë materiale shenjat e gishtërinjve të lëna në të, si dhe janë kryer veprimet përkatës . Duke qenë se të dyshuar për këtë vjedhje kanë qenë efektivë policie, ka qenë SHKB-ja që ka zhvilluar hetime disaditore dhe ka çuar në prangosjen e 41-vjeçarit.


LEZHË
Vetëdorëzohet vrasësi i 42-vjeçarit në Manati


LEZHË - Është vetëdorëzuar në polici në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, autori i vrasjes së Gjon Përvathit, nga fshati Manati. Ndue Lekgjonaj është vetëdorëzuar në policinë e Lezhës bashkë me armën e krimit, ndërsa i janë vënë prangat për akuzat e ngritura ndaj tij. Ngjarja ndodhi ditën e shtunë kur Lekgjonaj ka qëlluar kundër Gjon Përvathit duke e vrarë, ndërsa ka mbetur i plagosur edhe djali i tij 14-vjeçar, Gjergji.


Ky i fundit është aksidentuar nga autori gjatë tentativës për t'u larguar me mjetin e tij. Por për pasojë të kësaj tragjedie është vetëhelmuar me fostoksinë bashkëshortja e Gjon Përvathit, Martine Përvathi dhe ka gjetur vdekjen në spital. Ndërkohë 52-vjeçari Ndue Lekgjonaj ishte shpallur në kërkim për veprën penale të "vrasjes" dhe të "plagosjes".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›