Lirohet nga burgu "gjyshi" i drogës
Gjykata la në arrest shtëpie 64- vjeçarin Hamit Doçi pak ditë më parë nga RENEA në banesën e tij në Mamurras, ku iu gjetën 23 kg heroinë
Pesë persona të tjerë mes të cilëve edhe djali i të pandehurit, janë marrë nën hetim nga akuza si pjesë e një rrjeti të trafikut të drogës
TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet, me kërkesë të avokatit mbrojtes, i caktoi masën e sigurisë "arrest shtëpie" plakut Hamit Doçi, në banesën e të cilit në Mamurras, u gjetën dhe u sekuestruan 23.5 kg heroinë pak ditë më parë nga RENEA.
Sipas vendimit të vlerësimit caktimit të masës së sigurisë , pensionisti 64- vjeçar, Doçi, nuk ka lidhje me drogën e sekuestruar dhe procedimin penal, ku organi i akuzës ka marrë nën hetim pesë persona, mes tyre djalin tij.
Gjyqtarja Liljana Baku, pasi dëgjoi pretendimet e avokatit Bledar Bajri, që tha se plaku 64 vjeçar Doçi vuante nga një sërë sëmundjesh dhe se nuk kishte lidhje me drogën, vendosi t'i caktonte masën e sigurisë "arrest shtëpie". Ndërkohë, pak minuta para se gjyqtarja Baku të shprehej me vendim, prokurori Xhevat Hana i kërkoi gjykatës që të moshuarin ta linte në qeli me masën e sigurisë "arrest me burg".
Kërkesë kjo që u rrëzua, pasi gjyqtarja Baku konstatoi nga kërkesa e prokurorisë se i arrestuari Doçi nuk ishte objekt i procedimit penal të filluar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Vetë i arrestuari, në fjalën e tij, mohoi të kishte dijeni për sasinë e drogës që ishte gjetur në dhomën e gjumit të djalit, duke u shprehur "se po ta dija që kam drogë në banesë, do ta djegia vetë shtëpinë".
Ndërkaq, në lidhje me një pistoletë të gjetur e sekuestruar në banesë, i moshuari u shpreh se atë e kishte blerë 50 lekë që nga viti 1990 dhe se e mbante pasi në lagjen e tij shfaqeshin shpesh hajdutë banesash.
Sipas prokurorisë, droga e sekuestruar në banesën e Hamit Doçit në lagjen "Demokracia" në Mamurras, ishte zbuluar pas një telefonate në sallën operative të Policisë së Durrësit.
Telefonuesi anonim, kishte identifikuar banesën e familjes Doçi që ndodhej në qytetin e Mamurrasit si vend strehimi të trafikantëve të drogës ku edhe kishte një sasi të konsiderueshme heroine.
Menjëherë pas këtij informacioni, efektivë të Policisë së Durrësit dhe të rajonit të policisë që ndodhet në qytetin e Mamurrasit, organizuan kontrollin e banesës, ku gjetën në dhomën së gjumit të djalit të shtëpisë një çantë, me 23.5 kg lëndë narkotike. Nga akt-ekspertimi i kryer ndaj kësaj lënde, rezulton që ajo të ishte heroinë.
Sipas akuzës, nën hetim janë vënë pesë persona mes tyre një femër dhe njëri nga djemtë e të arrestuarit që dje u lirua, 64 vjeçarit Hamit Doçi.
Nga kontrolli i banesës, policia ka gjetur dhe ka sekuestruar një armë gjahu me leje dhe një pistoletë të tipit "Bereta" dhe 24 fishekë të ndryshëm.
Sipas burimeve të prokurorisë, personat që tashmë janë në hetim, janë pjesë e një rrjeti të sofistikuar të trafikut të drogës nga Shqipëria në drejtim të Italisë, por që "rrezikon" të zbulohet falë kësaj telefonate anonime në sallën operative të policisë.
Mendohet se telefonuesi mund të ketë qenë ndonjë pjesëtar i ndonjë rrjeti rival të trafikut të drogës nga Shqipëria në Itali, por, gjithçka mbetet për tu sqaruar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në ditët në vazhdim.
*********************************
Pretenca
Akuzohet për fshehje të fondeve e të pasurive dhe financim të terrorizmit
6 vite burg e 5 mln lekë gjobë administratorit të Jasin Al- Kadi
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda, lexoi dje konkluzionet përfundimtare ndaj jordanezit Hamzeh Abu Rayan i njohur si administrator i pronave të Jasin Al- Kadi (Yasin Al-Qadi) në Shqipëri, duke kërkuar në pretencën e saj, dënimin e tij me 6 vite burg dhe 5 milionë lekë të reja gjobë. Sipas prokurorit, kjo masë e dënimit duhet të jepet pasi i pandehuri Hamzeh Abu Rayan me veprimet e tij ka konsumuar veprën penale të "fshehjes së fondeve dhe pasurive të tjera që financojnë terrorizmin".
Sipas fjalës së prokurorit, Edvin Kondili, gjatë shqyrtimit të rreth 60 seancave gjyqësore, është provuar se i pandehuri Abu Rayan ka kryer këtë vepër penale, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej rreth 80 mijë euro.
Sipas prokurorisë, i pandehuri Abu Rayan është i punësuar me detyrën e administratorit të shoqërisë "Loxhall" sh.p.k me pronar sheikun arab Yasin Al-Qadi i cili ndodhet që nga 17 shtatori 2001 në listën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara si i dyshuar për financimin e terrorizmit.
Kjo shoqëri, nën administrimin e Abu Rayan, në kundërshtim me kërkesat e ligjit, vazhdonte prej kohësh të ushtronte aktivitetin e biznesit nëpërmjet dhënies me qira të pasurive të paluajtshme.
Nga hetimi gjyqësor është provuar se vetëm në kryeqytet, shoqëria "Loxhall" sh.p.k. ka 19 objekte, të cilat janë dhënë me qira, ku të gjitha pagesat për këto aktivitete janë kryer kesh dhe nuk kanë kaluar nëpërmjet sistemit bankar.
"Në përfundim të hetimeve gjyqësore është provuar se Hamzeh Abu Rayan ka konsumuar akuzën për "fshehjen e fondeve dhe pasurive të tjera që financojnë terrorizmin", pasi ka rezultuar se me dashje ka fshehur dhe tjetërsuar në mënyra të ndryshme shumën mbi 10 milionë lekë të reja, shumë e cila sipas akt-ekspertimit kontabël, duhej të ishte në arkën e shoqërisë "Loxhall""-thuhet në konkluzionet e prokurorit.
Kështu në përfundim të këtyre pretendimeve, sipas akuzës, theksohet se në tërësinë e provave të administruara në këtë proces gjyqësor, nuk provohet se fondet e shoqërisë "Loxhall" sh.p.k janë përdorur nga i pandehuri Hamzeh Abu Rayan për të financuar terrorizmin dhe se veprimet e të pandehurit nuk përbëjnë elementët e kësaj vepre penale, por vetëm të fshehjes së këtyre të ardhurave.