Autostrada "zhduk" Kullat
Fadromat e autostradës kanë rrafshuar kullat legjendare që ishin në pritje për tu bërë monumente kulture e muze. Zhduket fshati dhe e gjithë historia e tij
Mashtërkorin e kullave tipike veriore
MIRDITË- Tashmë ndodhi ajo që pritej, fshati Mashtërkor i komunës Orosh, ndër ngulimet e hershme e më të hijshmit e luginës së Fanit të vogël për nga kalon autostrada e re Durrës-Prishtinë, është në grahmat e fundit. Me shtëpitë e shembura, kulla të njohura tre e katërkatëshe, fshati duket si të ishte pas një bombardimi të frikshëm. Në mes të fshatit kalon traseja e piketuar, dhe pikërisht aty konfigurohej ashti i fshatit me kullat e vëna si në vijë të drejtë që nga lisat e famshëm 3-400 vjeçarë të Marpepës, për të filluar me kullën e Sinanajve, e më tej atë katërkatëshe të Skanajve, më pas të Dod Ndrecës e të Llesh Pjetrit, kjo e fundit një alternim fantastik i dy ndërtimeve, njëra 300- vjeçare e ndërtesa e re ngjitur me të veçse 3-4 vjeçare.
Tashmë aty kalohet vetëm mbi rrënoja, asgjë nuk pipëtin. "Fadromat e turkut", thonë banorët gati si me urrejtje, na kanë rrafshuar gjithçka sa hap e mbyll sytë, ndërsa shihen të shpërndara aty këtu qoshet e gdhendura me mjeshtëri nga daltuesit e këtyre anëve prej qindra vitesh; dyer të vjetra, trarë të lëndës së lisit, shkallare e plot gjëra të tjera. Në ndonjë kullë të vjetër, nga të zotët e tyre thuhet se kanë qenë fshehur gjëra të rralla, por pak gjë mund të jetë zbuluar deri më tash, ndonjë nga hutat, pushkë të vjetra të gjata të strehuara në muret e gjëra prej 50 vitesh apo hutica për gra, ndërsa njëri prej banorëve është i bindur se në themelet e kullës së tij duhet të ketë pasur qypa me serm.
Por dita e ardhjes së fadromave ka qenë fare e beftë, me dy orë ditë, na rrëfen Gjergj Skana, të cilit i mbeten shumë gjëra merak, por mbi të gjitha se pikërisht atë ditë, fadromat me polici, ua hynë si të ishin më keq se pushtues, duke mos u lënë kohë të merrnin asgjë, madje as dhe një thes mielli që e kishte blerë për bukën e fëmijëve. Ndaj atë natë e kanë kaluar pa bukë në kasollen që e ka vënë poshtë në arat ku mbillnin perime.
Të njëjtën gjë kanë përjetuar dhe familjet e tjera, që janë vënë në çadra a baraka me dërrasa të kalbura. "As lekë a gja", nuk kemi marrë deri qetash, thotë me lot në sy e moshuara Gjela Ndreca, duke mos e krahasuar këtë gjendje as me vitet më të zeza që mund të ketë kaluar. Të paktën të na ishte thënë dhe dhanë paret gjashtë muaj më parë, që të fusnim dikund kokën, e jo të na vijnë kështu hajdutçe me hordhi policie.
Zullumi i këtyre prishjeve është i paimagjinuar, vetëm kur gjendjen e sheh në vend. Këto kulla ishin piketuar që me kalimin e autostradës të ktheheshin në monumente kulture. Madje në derën e njërës prej kullave ishin shënuar pesë kryqe, që tregonin "pesë gjaqe të lame" prej qindra vjetësh. Ajo mund të kthehej në një muze shumë interesant të zonës me frymën e njerëzve brenda, dhe djemtë e emigruar kishin rënë dakord për këtë. Por tashmë gjithçka është zhdukur aty, edhe dera me gjithë kryqet e shënuara mote më parë ka humbur në muranën e gurëve e dherave.
Duke ecur më tej nëpër fshatin e rrënuar, Kulla e Skanës dhe ajo e Sinanajve kanë pasur ca shkallë shumë të veçanta, por dhe ato janë nën grumbulline mbetjeve. Ndërkohë kullat katërkatëshe shënoheshin me gishtat e dorës në tërë Veriun, një prej tyre u zhduk nga papërgjegjshmëria e projektuesit të huaj dhe syleshtësia e të tanëve, thotë një mësues i fshatit.
Edhe duke kaluar në lagjen tjetër Zajs, rruga ka rënë përmesi duke e zhbërë dhe atë lagje. Fshati është ndarë më dysh nga "trupi" i pritshëm i autostradës, ndaj dhe shumica e banorëve e kanë ndarë tashmë mendjen për të ikur nga ky vend, duke iu shtuar kështu numrit të banorëve të shpërngulur nga viset e Mirditës, e cila po braktiset.
E pritur nga banorët e zonës si një mundësi zhvillimi, autostrada ka përfunduar në një fushatë prishjesh
Autostrada, mirupafshim impakt social
Ndër anët fondamentale të një rruge sido të jetë ajo e aq më tepër të një autostrade të këtyre përmasave, pos të tjerash, është impakti social që ato sjellin në komunitetet nga ku ato kalojnë. Prej kësaj arsyeje, përgjithësisht synohet kalimi nga qendra të banuara dhe kështu ka ndodhur dhe me këtë rrugë që nga tre variantet edhe në këtë sens u përzgjodh pikërisht lugina e Fanit të Vogël, duke e menduar çlirimin e kësaj krahine nga varfëria ekstreme.
Dhe në fakt, që nga momenti kur filluan punimet e autostradës, banorët duke parë se kjo do të sillte gjëra pozitive, e stopuan braktisjen e vendeve të tyre të banimit madje iu kthyen investimeve edhe në shtëpitë që nuk kishin vënë dorë prej vitesh dhe që ia kishin vënë syrin ndonjë copë toke nga këneta e Durrësit, rrethinat e Tiranës, Lezhës a gjetkë për tu ngulur për jetesë.
Ka qenë një ndër prioritetet e vëna nga investitori dhe vetë qeveria shqiptare diskutimi me komunitetet nga kalon rruga që në projektim, por asgjë nuk u bë, madje në komunën e Oroshit as që është ulur kush të diskutojë me ta për projektin, vetëm kur kanë filluar prishjet masive të shtëpive. Edhe vetë banorët, thonë se kemi qenë të çorientuar që nga momenti i piketimeve, kur herë i shihnin nga njëra anë e fshatit e herë nga ana tjetër, duke mos e pandehur se piketat po i vinin rrëzë shtëpive të tyre pikërisht për t'i shembur muaj më pas. Fakti është se qoftë për këtë fshat por dhe të tjera ka pasur disa mundësi devijimi të rrugës, për të ruajtur banesat, si rrjedhim dhe numrin e banorëve në këtë krahinë. Kështu, në Mashtërkor ka pasur tri variante të mundshme, një sipër fshatit, një nga ana tjetër e lumit ku nuk prekej asnjë shtëpi dhe një tjetër, fundit të arave, çka do të sillte dhe mbrojtjen lumore të fshatit. Por projektuesi ia ka hyrë për më kollaj përmes fshatit, pa pyetur fort se do zhdukej apo jo një fshat i tërë.
Harrohet identiteti kulturor
Ishte për të mos iu zënë shumë besë fjalëve të një grupi spanjoll që u mikpritën sipas traditës e zakonit në një nga këto kulla vjeshtën e kaluar, kur u sajdisën me produkte vendi nga të zotët e banesës karakteristike pikërisht në anë të oxhakut. Ata e vizituan vend për vend kullën ku hynë, duke parë me kërshëri tërë atë arkitekturë primitive por interesante në të ndërtuar të ustallarëve të vjetër të këtyre anëve, me histori po aq interesante sa do t'i grishte për të ardhur e ardhur sërish.
Por ardhja e një rruge moderne rrezikon identitetin, u thanë para pak muajsh banorëve, ndaj zotësia juaj është ta ruani të pabjerrun këtë pasuri të trashëguar. Madje para se të largoheshin me aq emocion nga ky fshat, nuk harruan të luteshin se njerëzit e qeverisë do të mund ta shmangnin projektin që të mos dëmtohej fshati. Por ja që "gjëma" ndodhi, projekti nuk u devijua, dhe kullat u rrafshuan të tëra.
Është njëlloj si të ishte rrafshuar nga ndërtimet moderne tërë ansambli arkitekturor i godinave të ministrive në mes të Tiranës, ndërkohë që shihet se asnjë nga projektet që vijnë për aty, nuk e synon ndonjëherë vënien dorë mbi to, thotë Vasili, njëri prej banorëve të Mashtërkorit, kulla e të cilit mbante pesë kurorë familjesh brenda. Ndërsa për një fshat të tillë, kullat janë parë thjesht si ca murana që nuk i duhen më as bujtësve e as historisë.
Ky është veçse një krim i pastër kulturor në emër të një emocioni patetik të një rruge kombëtare! Dhe për këtë askush nuk e ka marrë mundimin të vinte të shihte, as Ministria e Kulturës apo institucioni i ruajtjes së monumenteve, sesi mund të bëhej rruga, por të ruhej dhe kjo trashëgimi e pasur ndërtimore dhe kulturore.