E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tokat turistike, KLSH: Mijëra hektarë të grabitur

 

Mijëra hektarë tokë në komunën Dajt, bashkinë Orikum, në komunën Radhimë dhe Tragjas

Kallëzim penal për 9 zyrtarë

Skandali i përfitimit të pronave në mënyrë abuzive shtrihet në të gjithë zonat turistike

Skandali i përfitimit të tokave në zonat turistike ka marrë të tjera përmasa pas publikimit të një kontrolli të fundit, të realizuar nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) në të gjithë vendin. Kontrolli i realizuar nga ana e KLSH në Këshillin e Qarkut Korçë, komunën Dajt, ZVRPP Vlorë, bashkinë Orikum dhe Këshillin e Qarkut Vlorë. Në këto kontrolle të realizuara nga ky institucion është kërkuar zgjidhja e të gjitha kontratave të shitjes së trojeve dhe pronave publike në kushte abuzive. Sipas KLSH, janë me mijëra hektarët që janë përfituar në mënyrë të padrejtë nga e ana e personave të ndryshëm juridikë dhe fizikë, në këto zona turistikë, për të cilat tashmë janë lëshuar edhe 9 kallëzime penale.

Skandalet në komunën Dajt

Sipas raportit të kontrollit të realizuar nga ana e KLSH, në komunën Dajt janë realizuar shkelje në rreth 2 milionë dollarë. Pjesa më e madhe e këtyre dëmeve ka ardhur për shkak të mospagesës së 1 përqindëshit "për investimin e studimeve urbanistike". Shkelje të mëdha financiare janë konstatuar nga ana e KLSH edhe në shpenzimet e telefonisë celularë në këtë komunë, ku rezulton se janë dhënë shpërblime në masën e 20 mijë dollarëve.

Skandalet e abuzimeve vazhdojnë më tej në komunën Linzë, me tokën e shpërndarë në mënyrë abuzive. Kështu, sipas të dhënave të publikuara nga ana e KLSH-së janë ndarë për tokë "arë" sipërfaqja prej 33 350 m2 që në Librin e Ngastrave figuron në zërin kadastral "Pyll", veprime këto që janë në kundërshtim me Ligjin 7501. Në Formularin numër 6, në këtë komunë veç personave të tjerë që kanë përfituar tokë bujqësore, është shënuar në mënyrë flagrante edhe një person që ka marrë 2 300 m2 e cila është Pyll. Të gjitha këto shkelje janë realizuar në një kohë që dihet që toka në komunën Linzë e marrë në mënyrë të padrejtë, është përdorur për të ndërtuar.

Shkeljet në Vlorë

Sipërfaqja e tokës së regjistruar në kundërshtim në të gjithë ligjet dhe rregullat në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Vlorë, shkon në 157 810 metër katrorë. Si numër rastesh, ato llogariten në 19 që kanë këtë sipërfaqe toke të përfituar në shkelje flagrante të ligjit. Por shkelje janë konstatuar edhe në fshatin Radhimë dhe Tragjas, pas regjistrimit fillestar të kryer nga ZRVPP në bashkëpunim me Agjencinë Topografike "ATA". Toka që është konstatuar se është përfituar në mënyrë të padrejtë në këto 2 komuna, shkon në 1 282 328 metër/katror. Për këto arsye KLSH ka kërkuar nga ZVRPP, të trajtojë të gjithë përfituesit në sasinë e caktuar me ligj të tokës bujqësore, duke kërkuar që të shmangen të gjitha përfitimet që deri tani rezultojnë në shkelje me ligjin.

Tokat në Orikum

Në fshatin Orikum, Tragjas dhe Radhimë janë dhënë në pronësi apo përdorim një sipërfaqe prej 123.14 hektarë tokë për zhvillim turizmi, që sipas KLSH janë në kundërshtim me vendimet dhe aktet ligjore në fuqi. Gjithashtu në zonat bregdetare të mësipërme ekzistojnë edhe një sërë shkeljesh të tjera. Sipas dokumentacionit të këtyre njësive vendore janë dhënë toka në pronësi dhe përdorim, të cilat nuk kanë qenë të cilësuara si toka "ara" dhe që nuk kishin si destinacion ndarjen e tyre në baza të Ligjit 7 501 për tokën. Gjithashtu, sipas të dhënave të bëra publike nga ana e KLSH-së janë ndarë më tepër 157 000 metër/katror tokë bujqësore sesa kanë pasur realisht parcelat në këto zona. Shkelje KLSH ka konstatuar edhe në rastet e mbivendosjes së pronave. Sipas të dhënave të këtij institucioni janë 27 raste ku Aktet e Marrjet e Tokës në Pronësi janë në mbivendosje deri në tre pronarë njëkohësisht, për të njëjtin lloj akti dhe për të njëjtën parcelë. Në fshatin Orikum, KLSH ka konstatuar sërish shkelje të rënda në një sipërfaqe toke prej 121 229 metër/katror të përfituar padrejtësisht, në një kohë që këta përfitues kishin marrë njëherë tokë me normë të plotë në Dukat, me një sipërfaqe prej 406 854 metër/katror.

9 kallëzime penale dhe 33 masa administrative

Për shkeljet e konstatuara në zonat turistike në këto zona turistike në vend, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka marrë 33 masa organizative, 2 masa disiplinore, ndërkohë që ka përgatitur kallëzim penal për 3 ish-Kryetarë të Komisionit të Ndarjes së Tokës në Bashkinë Orikum, për 2 ish-Kryepleq dhe anëtarë të Komisionit të Ndarjes së Tokës në fshatin Radhimë, për ish-Kryetarin e Ndarjes së Tokës për fshatin Tragjas dhe për 2 ish-Përgjegjës të Këshillit të Qarkut Vlorë dhe për ish-Kryetarin e Bashkisë Orikum.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›