Ligji, skaner për pagesat mbi 18 mijë USD
Qeveria kërkon nga bankat dhe institucionet financiare, deklarata për burimin e transaksioneve mbi 18 mijë USD
Me anë të një projektligji që është diskutuar dje edhe në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, qeveria ka vendosur që të gjitha transaksionet e vëna në një kufi mbi 1.5 milionë lekë (rreth 18 mijë USD) të kenë një deklaratë të burimit të të ardhurave. Projektligji është vlerësuar edhe nga ana e deputetëve të opozitës të pranishëm në Komisionin e Ekonomisë, por nga ana e tyre është vlerësuar se zbatueshmëria e ligjit është më e rëndësishme në këtë rast. "Mendoj se edhe kuadri ligjor i deritanishëm ka parashikuar masa të mjaftueshme ligjore në kuadrin e pastrimit të parave, por duhet të theksoj se edhe në këtë rast, duhet që theksin ta vendosim tek zbatimi i ligjit",- tha Ermelinda Meksi gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit të Ekonomisë. Edhe deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj ka vënë theksin në zbatimin e këtij ligji nga e institucioneve financiare dhe kryesisht të bankave të nivelit të dytë.
Nga ana tjetër ligji parashikon deklarim parash edhe për shuma më të vogla, siç është rasti i lojërave të fatit dhe kazinove, ku shuma të luajtura nga ana e klientëve mbi 2 mijë dollarë duhet që të deklarohen se nga e kanë burimin e tyre.