E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode cakton numrin e punonjësve në gazeta

 

Me anë të një urdhri të marrë në datë 17 janar 2008 "Për numrin e të punësuarve në shtypin e shkruar", dega e Tatimeve duhet të penalizojë gjithë ato gazeta që nuk kanë të punësuar mbi 18 vetë, kur gazeta është 16 faqe, mbi 30 vetë, kur gazeta është 24 faqe dhe mbi 40 vetë, kur gazeta është 32 faqe. Duke iu referuar këtij vendimi arbitrar, Forumi Shqiptar për Mediat e Lira i drejtohet me një letër të hapur presidentit Topi, kryeministrit Berisha dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, Aidan White, ku thuhet se "ky vendim është arbitrar dhe penalizon qind për qind shtypin shqiptar. Ai nuk është i mbështetur mbi asnjë bazë ligjore dhe cenon rëndë misionin e shtypit të shkruar. Biznesi i shtypit të shkruar nuk është një biznes që licencohet, pasi aktiviteti i botimit të një gazete është i lirë. Një gazetë nuk ka faqe standarde, gazetarë të rregullt me kontratë të përhershme dhe rëndësi standarde për çdo faqe. Për këtë shkak, një gazetë mund të ketë të punësuar aq njerëz sa ajo ka fuqi të punësojë për të rezistuar në treg. Detyrë e Tatimeve është të verifikojnë punën e zezë, por jo të pengojnë njerëzit të bashkëpunojnë me shtypin e shkruar. Një gazetë me 16 faqe nuk ka se si të punësojë 18 vetë, kur mund të bëhet dhe me 5 vetë. Pjesa tjetër mund të jetë e marrë nga shërbimet e shtypit, apo nga bashkëpunëtorët. E njëjta gjë vlen dhe për gazetat me 24 apo 32 faqe. Biznesi i gazetës është specifik. Në të punojnë gazetarë të rregullt, bashkëpunëtorë dhe blihen shërbime shtypi, si agjenci lajmesh dhe shërbime fotografike. Ka gazeta, të cilat po ashtu kanë prioritet reklamat dhe jo personat e punësuar me paga fikse. Dalja e një urdhri të tillë arbitrar është një mekanizëm për të penalizuar shtypin në mënyrë selektive, pasi, nëse zbatohet në mënyrë uniforme, njëqind për qind e gazetave shqiptare duhet të mbyllen sot". Forumi Shqiptar për Mediat e Lira, ka informuar Federatën Ndërkombëtare të Gazetarëve për këtë zhvillim tepër negativ që cenon lirinë ekonomike dhe të drejtën e botimit të gazetave në Shqipëri. Forumi i bën thirrje Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit të Shqipërisë, të ndikojnë në shfuqizimin e këtij vendimi dhe në normalizimin e klimës mes shtetit dhe shtypit, që rëndohet natyrshëm nga ky vendim absurd.

J.Ll

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›