E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhëtimi i dytë i trubadurit

 

Pas 35 vjetësh nga vizita e parë, poeti Cezar Ivanescu, një zë nga më përfaqësuesit e poezisë rumune vjen në Tiranë për "Lojë dashurie"

Në këtë udhëtim të dytë e shoqëron e bija, Klara. Është radha e saj të njohë vendin e gjyshes. Poeti 67-vjeçar Cezar Ivanescu nuk mund të mos i tregojë se ashtu si sot (dje) ishte ulur në tavolinë me një gazetare nga Tirana, me të cilën nuk mundi të shkëmbejë dot asnjë fjalë më tepër pas intervistës, pasi përgjohej nga agjentët e sigurimit. Në vizitën e vitit 1973 nuk i kuptonte parullat e shkruara në hotel "Dajti": "Askush nuk ka të drejtë të hyjë në dhomën e dikujt tjetër!". Ndërsa sot qesh. Pas 35 vjetësh nga vizita e parë, poeti Cezar Ivanescu, një nga zërat më përfaqësues të poezisë rumune vjen në Tiranë për të promovuar librin me poezi "Lojë dashurie" ("Jeux d'amour"), shqipërim i Luan Topçiut, botimet "Ora". Ceremonia prezantuese u zhvillua mbrëmë në hollin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, në formën e një mbrëmjeje poetike-muzikore. Solistë të TKOB-it si Mihali, Kamenica, Gjyzeli, Sata, Zeraliu, etj, interpretuan arie të zgjedhura nga repertori shqiptar e rumun. Në një intervistë për gazetën "Shekulli", Ivanescu tregon për vizitën e parë në Shqipëri dhe shpjegon konceptin e letërsisë evropiane.

Z. Ivanescu, kjo nuk është hera e parë që vini në Shqipëri, na tregoni pak për lidhjet tuaja me këtë vend.

Udhëtova për herë të parë në Shqipëri në vitin 1973, i dërguar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Rumanisë për disa shkëmbime kulturore me homologët tanë shqiptarë. Qëndrova tri javë në Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës. Por përtej letërsisë e bashkëpunimeve, doja të plotësoja një dëshirë të nënës sime. Ajo ka lindur në Shqipëri dhe ma la amanet që të shoh vendin e saj të lindjes. Atëherë pata mundësinë të shoh gjithë Shqipërinë, qendrat arkeologjike, kështjellat në Krujë, Gjirokastër, etj. Ishte kontakti i parë me popullin shqiptar, një pjesë të gjakut tim dhe pavarësisht regjimit e adhurova këtë vend. Edhe atëherë në shtypin shqiptar e kam thënë që jam "i përzierë". Kam pak gjak turku, greku, shqiptari e moldavi. Nga turqit kam marrë çmendurinë, nga grekët inteligjencën, nga shqiptarët guximin dhe nga pjesa rumune, durimin.

Me çfarë idesh erdhët në Shqipëri?

Për Shqipërinë dija atë që më kishte treguar nëna ime. Ishin tregime për qytetin e saj të lindjes, Korçën, nga ku më vijnë skenat tradicionale të autoritetit patern, roli i babait në shtëpi, karakteri i ashpër… Një pjesë të legjendave të fëmijërisë i kam hedhur edhe në një prej librave të mi.

Kujtoni ndonjë ngjarje nga vizita e parë?

Kam pasur një përvojë interesante. Atëherë dhashë një intervistë për një gazetare, trupvogël, simpatike. Intervista u zhvillua në gjuhën italiane. Pas intervistës e ftova të rrija me të, të bisedoja. Ai që e shoqëronte (punonjësi i sigurimit) i bëri me shenjë të mos bënte gabim e të qëndronte. Tek Hotel "Dajti", ku unë rrija shkruhej një parrullë "Asnjë person nuk ka të drejtë të hyjë në dhomën e një personi tjetër". Ky është një nga kujtimet që i kam shkruar në ditarin tim mbi udhëtimet e vitit 1973, të cilin do ta pasuroj me kujtimet e udhëtimit të fundit. Dhe besoj se do të botohet. Është fat që Luan Topçiu mori përsipër të përkthejë poezitë e mia në gjuhën shqipe. Ai gjeti edhe shtëpinë botuese "Ora" që ishte e gatshme të botonte këtë antologji poemash në varg të bardhë dhe besoj se do të vazhdojmë bashkëpunimin edhe më tej. Në koleksionin e "Orës" është edhe kolana "Shënime udhëtimi të të huajve për Shqipërinë", ku përfshihen ditare dygjuhëshe dhe jam i bindur që do të përfshihet aty.

Si ju duket sot Tirana?

Krejt e ndryshuar. Një vend tjetër. E kam të vështirë ta njoh. Është një ndryshim për të mirë, i jashtëzakonshëm. Shoh një vrull ndërtimi në Shqipëri. Ajo që është e jashtëzakonshme është kuadri gjeografik, që besoj se do të jetë një nga pikat më interesante të udhëtimit të evropianëve. Ka shumë për të zbuluar. Jo vetëm në aspektin arkeologjik, për pasuritë e jashtëzakonshme që janë trashëguar nga antikiteti, por edhe vendi modern që po ndërtohet.

Thatë që në dejet tuaja rrjedh gjak i "përzierë", sa ka ndikuar kjo në "racën" e poezisë tuaj?

Poezia, kultura janë sublime. Të gjitha këto origjina, nuk bëjnë gjë tjetër veçse shtojnë cilësitë. E rëndësishme është gjuha në të cilën shprehesh. Unë shprehem në gjuhën rumune në mënyrë të natyrshme. Jam i gëzuar që kam në gjakun tim këtë përzjerje gjakrash, që më jep mundësi shprehëse më të madhe në pikpamjen sentimentale. Kjo pasuron shpirtin e njeriut dhe përjetimin. Në të njëjtën kohë besoj se origjinat e ndryshme më kanë dhënë mundësi të jem tolerant dhe të mund të komunikoj natyrshëm edhe me një turk, grek, apo rumun. Çdo lloj teorie për etni të pastra është një çmenduri dhe një budallallëk. Thelbësor është qytetërimi, kultura. Nuk ka rëndësi se çfarë etnie i takon një shkrimtar. Vlerat e vërteta shihen në gjuhë, ide.

Na flisni pak për "Lojën e dashurisë" që ju ka sjellë në Tiranë.

Duke u nisur nga ky titull, "Jeux d'amour" mund të kuptosh që poeti që shkruan rumanisht nuk mund të mbetet vetëm rumun, por një poet evropian. Mjeshtrat e mi (mësuesit), më shumë kanë qenë të huaj, se rumunë. Shumë janë francezë, që nga trubadurët francezë tek Baudelaire. Poezia ime klasike është e shoqëruar me muzikë dhe mund të quhem si vazhdues i trubadurëve francezë në gjuhën rumune. E gjithë trashëgimia evropiane i takon gjithë evropianëve pavarësisht nga gjuha, italiane, gjermane, apo franceze. Dhe çdo evropian ka qasje me kryeveprat e shkruara në gjuhët evropiane. Prandaj një shkrimtar nacional nuk mbetet asnjëherë i tillë.

Kjo do të thotë se i largoheni "shkollës" së famshme të poezisë rumune?

Absolutisht jo, sepse një nga mjeshtërit që më ushqen shpirtërisht është Eminesku, por një poet nuk duhet të ndalet vetëm tek shkrimtarët nacionalë, duhet të tejkalojë kufijtë e gjuhës. Një poeti të madh nuk i lejohet të mbetet vetëm tek burimet e brendshme, prandaj asimilon traditën e madhe evropiane.

Çfarë e trondit botën e një poeti?

Gjithçka. Asgjë në këtë botë nuk më duket e huaj. Më trondit gjithçka, por në radhë të parë ajo që është e bukur. Urrej gjithçka që është e shëmtuar, jonjerëzore.

Në një studim të tijin, z. Topçiu nxjerr përafritë mes poezisë shqipe dhe asaj rumune, ç'mendoni për këtë? Është kjo ngjashmëri rrjedhojë e burimit të përbashkët evropian për të cilin folët?

Sigurisht që po. Ngjashmëritë fillojnë që nga folklori. Unë vetë kam zbuluar motive folklorike të përbashkëta. Dihet mirë që ekzistojnë edhe afërsi në gjuhë mes shqipes dhe rumanishtes, mes kulturave tona dhe ka disa ngjashmëri të çuditshme mes nesh. Më vjen keq që nuk e njoh shqipen. Babai im ishte ushtarak karriere dhe ishte e ndaluar që fëmijët të mësonin gjuhën e nënës që ishte e huaj. Jam shumë i sigurt që do të gjeja në poezinë shqipe poetë që më ngjajnë. Të gjitha kulturat evropiane janë në dialog. Mund të shfaqet një poet gjerman që mund të dashurohet me poezinë shqipe dhe mund të bëjë që shqipja të kthehet në mjedisin e tij, në një burim frymëzimi. Një nga ideologët e Evropës thotë që në një të ardhme shkrimtarët, pavarësisht nga origjina, do të kenë mundësinë të zgjedhin jo vetëm vendin ku do të jetojnë, por edhe gjuhën në të cilën do të shkruajnë.

Sa e pranishme është letërsia shqipe në Rumani?

Kohëve të fundit po bëhet gjithnjë e më pranishme, përkundër një periudhe që nuk botohej fare. Nga autorë të njohur si Kadare apo Mustafaj na kanë ardhur vepra të përkthyera nga Topçiu, të cilat unë i lexoj me ëndje, por letërsia shqipe është shumë më e gjerë. Ka shumë shqiptarë që janë edhe letrarë, që botojnë libra, merren me përkthime, botojnë nëpër revista. Interesant është fakti që ka autorë shqiptarë që shkruajnë në rumanisht artikuj dhe janë të pranishëm në shtypin letrar.

----------------------------------------------Tokës së nënës

"! më qofsh, Ti,/ Shqipëri,/Varr i dashur,/Dhe i thellë Lumturie/i poetit Shiva,/Poeti i fatkeqësisë-Vallëzimit-Yllësish-Pa-Fund!"

"Shqipërisë, Tokës së nënës sime", është poezia më e fundit e shkruar nga Cezar Ivanescu. E shkruar pikërisht më 7 prill në prag të vizitës së dytë në Tiranë. Një poezi ende e pabotuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›