Autostradë dixhitale mes Shqipërisë dhe Kosovës

Kryeministrat Berisha dhe Thaçi përuruan autostradën dixhitale që rrit mbi 4 herë kapacitetet e shpejtësisë së internetit në të dy vendet. Kryebashkiaku Basha pret në Tiranë zv/kryeministrin e Maqedonisë Xhaferri dhe inkurajon ndërtimin e projekteve infrastrukturore mes dy vendeve
Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Thaçi kanë përuruar sot autostradën dixhitale. Kështu gjatë paradites së sotme dy krerët e qeverive morën pjesë në ceremoninë që u zhvillua në Qafe Morinë, për inaugurimin e projektit të Postës Shqiptare "Linja ndërkombëtare e internetit 100 GBps". Kryeministri, Hashim Thaçi e vlerësoi si të rëndësishme këtë ditë, pasi sipas tij, të dy vendet ndihen dhe më të bashkuar përmes kësaj rruge. “Dikur na ndante Serbia, ndërsa më të bashkuar në rrugën integruese. Jam i gëzuar që ndodhem në vendlindjen e Berishës”, u shpreh Thaçi. Nga ana e tij, kreu i qeverisë shqiptare theksoi faktin se përmes këtij përurimi u faktua se mazhoranca qeverisëse i ka mbajtur dhe do të vazhdojë të mbajë premtimet. “Këtu jemi për të inauguruar autostradën që nuk njeh kufij në Shqipëri dhe në botë. Ndaj dhe unë jam këtu për t’u zotuar së bashku me kryeministrin Hashim Thaçi se do të bëjmë gjithçka që këto ndërtesa t’i shndërrojmë në virtuale, në simbolike. Do të bëjmë gjithçka që projektin e madh të grave dhe burrave shqiptarë që u mblodhën në Prizren, në Pejë, në Gjakovë, në Prishtinë, në Shkup e Mitrovicë, do të bëjmë gjithçka që ëndrrën e luftëtarëve të Drenicës dhe mbarë Shqipërisë ta bëjmë realitet të prekshëm për ju, për fëmijët tuaj dhe brezat që vijnë. Kombi do të qëndrojë një dhe vetëm një”, vuri në dukje Berisha. Për realizimin e këtij projekti është investuar mbi 9 milionë euro nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), 2.6 milionë euro nga Posta e Shqipërisë dhe rreth 2 milionë euro nga kompania “Kujtesa” në Kosovë, një premtim i mbajtur që i bëhet Shqipërisë 100 vjeçare në këtë përvjetor.
Basha: Më 26 nëntor, Tirana do të ketë Memorialin e Shqiponjës
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha priti në një takim zv/Kryeministrin e Maqedonisë z. Musa Xhaferri. Z. Xhaferri shprehu kënaqësinë që ndodhej në Bashkinë e Tiranës, në këtë moment të rëndësishëm të kremtimit të 100 vjetorit të Pavarësisë, pasi Tirana është kryeqendra e festimeve të shqiptarëve, në këtë 100 vjetor, theksoi Xhaferri. Kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha i ka bërë të ditur z. Xhaferri, disa nga aktivitetet që do të zhvillohen në këtë 100 vjetor në Tiranë, duke u ndalur në vendosjen e simbolit kombëtar, shqiponjës. Në ditën e ngritjes së flamurit në Tiranë, Bashkia do të vendosë në vendin që sot njihet si rreth-rrotullimi i Doganës, Memorialin e Shqiponjës dhe do të emërtojë sheshin “Shqiponja”. Simboli i shqiponjës do të vendoset më 26 nëntor dhe është bashkëfinancuar nga një familje shqiptare nga Tetova. Në këtë ceremoni do të marrin pjesë drejtues të pushtetit vendor nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi. Kryebashkiaku Basha ka theksuar se kjo ceremoni, në këtë 100 vjetor të Pavarësisë do të shërbejë edhe për rigjallërimin e lidhjeve mes drejtuesve vendorë shqiptarë. “Përmirësimi i infrastrukturës i ka sjellë më pranë shqiptarët”- theksoi z. Basha, sipas të cilit përfundimi i autostradës Tiranë - Elbasan dhe Rruga e Arbrit do ta shkurtojnë edhe më shumë kohën e lëvizjes mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Zv/Kryeministri i Maqedonisë Musa Xhaferri e ka informuar z. Basha se ka përfunduar projekti teknik i linjës hekurudhore mes Kërçovës dhe Linit që do ta lidhë Shqipërinë me Maqedoninë, edhe në linjë hekurudhore.
...