E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avancimi i papritur

Agonit Sallaj është ftuar në Kombëtaren shqiptare, për ndeshjen miqësore kundër Argjentinës. Mbrojtësi kosovar nuk e kishte pritur ftesën nga Josip Kuze, pasi vetëm para pak muajve ishte bërë pjesë e ekipit U21 të Shqipërisë. 19-vjeçari ndihet i privilegjuar që do të luajë kundër yjeve argjentinase. Nga Driton Berisha më 18 qershor 2011 në ora 13:00

Agonit Sallaj para gjysmë viti as që i kishte shkuar mendja që për një kohë shumë të shkurtë mund ta veshë fanellën e Kombëtares A të Shqipërisë.

Mbrojtësi kosovar, në janar të këtij viti kishte konkurruar që të marrë pjesë në grumbullimin e organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) me talentet që jetojnë në Zvicër.

Anëtari i ekipit zviceran, FC Biel, gjatë grumbullimit ra në sytë e trajnerit Josip Kuze. Ky i fundit i rekomandoi trajnerit të shpresave, Artan Bushati, që 19-vjeçarin ta ftojë në ekipin U21.

Pas kësaj, Sallaj zhvilloi pesë ndeshje me shpresat kuqezi dhe la përshtypje të mira. Kur më së paku e priste, mbrojtësi mori një telefonatë nga trajneri kroat, e cili e ftoi në ekipin A, për ndeshjen miqësore kundër Argjentinës, e cila do të zhvillohet më 20 qershor.

“Në ndeshjet me ekipin kombëtar U-21 e kam dhënë maksimumin dhe tani u ftova në Kombëtaren A, të cilën nuk e prisja. Ndihem shumë i gëzuar që jam ftuar për këtë ndeshje. Unë jam shqiptar dhe ndihem krenar që jam ftuar në një ndeshje të madhe, edhe pse miqësore, për t’i mbrojtur ngjyrat kuqezi”, ka thënë ish-mbrojtësi i Xamaxit për Express.

“Nuk e di a do të luaj. Trajneri është ai që vendos. Më ka ftuar trajneri për këtë takim, pasi disa lojtarë kryesorë të Kombëtares do të mungojnë. Por, nëse luaj, do ta jap maksimumin nga vetja, në mënyrë që trajneri të ketë arsye për të më ftuar edhe në ndeshjet e tjera të ardhshme, pra edhe kur të kthehen lojtarët kryesorë të ekipit”, theksoi Sallaj.

Sipas kosovarit, përfaqësuesja e Argjentinës është njëra prej skuadrave më të mira në botë, e cila në mesin e lojtarëve ka shumë yje, siç është ylli i Barcelonës, Lionel Messi dhe sulmuesi i Real Madridit, Higuain.

“Është privilegj për mua që më erdhi shansi të jem pjesë e Kombëtares sime në këtë takim. Pas ndeshjes, do të përpiqem ta ndërroj fanellën me ndonjërin prej lojtarëve kryesorë të Argjentinës. Do të kisha dëshirë që fanellën ta ndërroj me Messin”, ka përfunduar Sallaj.

Aktualisht, në ekipin kuqezi aktivizohen pesë kosovarë: Samir Ujkani, Debatik Curri, Armend Dallku, Lorik Cana, Ahmed Januzi dhe Arian Beqaj. Ndërsa vetëm ky i fundit do të jetë pjesë e kuqezinjve në Bonos Aires.

Kuze, mezi grumbullon 19 lojtarë

Kombëtarja shqiptare të premten pasdite është nisur drejt Bonos Airesit, ku të hënën (23:15) do ta zhvillojë ndeshjen kundër yjeve të Argjentinës. Josip Kuze mezi i ka grumbulluar 19 lojtarë për këtë takim, pasi futbollistët kryesorë nuk u lejuan nga klubet e tyre t’i përgjigjen pozitivisht ftesës.

“Unë doja t’i kisha të gjithë lojtarët, por ata kishin probleme me klubet, që nuk i kanë lënë, pasi nuk është një datë e lirë e FIFA-s. Megjithatë, ne i kemi 19 lojtarë. Momenti nuk ishte optimal për ne, ishte vështirë të organizoheshim për këtë ndeshje. Gjithsesi, ne e morëm përsipër këtë risk, dhe thamë që do të shkojmë të luajmë, sepse është një mundësi e madhe që Shqipëria të luajë kundër Argjentinës”, ka thënë kroati.

Futbollistët e ftuar

Arjan Beqaj, Isli Hidi, Kristi Vangjeli, Renato Arapi, Agonit Sallaj, Tefik Osmani, Franc Veliu, Ditmar Bici, Endri Vrapi, Andi Lila, Gilman Lika, Ervin Bulku, Armand Vajushi, Igli Almuça, Emiljan Vila, Jahmir Hyka, Gjergj Muzaka, Edmond Kapllani e Elis Bakaj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›