E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ballkani dyshon në tradhti

Drejtuesit e Ballkanit ende janë të tronditur nga humbja me Lepencin, e cila u kushtoi me largim nga Superliga. Therandasit mendojnë se janë tradhtuar nga lojtarët kryesorë të ekipit, për të cilët dyshojnë se ia kanë dhuruar fitoren ekipit nga Kaçaniku. Trajneri i portokallinjve, Zymer Elshani ka dhënë dorëheqje, pasi është zhgënjyer me mosangazhimin e futbollistëve. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 18 qershor 2011 në ora 13:40

Udhëheqësit e klubit të Ballkanit ende nuk po besojnë se nuk do të jenë pjesë e Superligës edhe sezonin e ardhshëm. Therandasit u befasuan të enjten, pasi u mposhtën në ndeshjen e barazhit nga ekipi i Ligës së parë, Lepenci (1:0).

Në këtë mënyrë skuadra nga Kaçaniku e largoi ekipin nga Theranda prej Superligës për t’u inkuadruar vetë. Ky epilog i ‘papritur’ ka zemëruar tej mase qytetarët e Therandës dhe trajnerin Zymer Elshani, i cili menjëherë ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Portokallinjtë as sot nuk mund të besojnë që Lepenci i largoi nga Superliga. Për këtë Therandasit po dyshojnë se janë tradhtuar nga futbollistët e tyre, për të cilët po mendojnë se ia kenë lëshuar lojën Lepencit.

“Po flitet që disa nga lojtarët kryesorë kanë manipuluar. Dyshohet se ata ta kenë ndrequr lojën. Kështu po flitet, por unë nuk mund të them të jetë kështu, pa pasur fakte. Por, unë mund të them se jam shumë i zhgënjyer me angazhimin e futbollistëve të mi në atë takim. Në atë ndeshje, ata nuk ishin as hije e atyre lojtarëve që luanin në ndeshjet e mëparshme”, deklaroi për Express, trajneri i deritanishëm i Ballkanit, Zymer Elshani.

“Jam shumë i zhgënjyer me angazhimin e lojtarëve. Andaj, menjëherë pas ndeshjes kam dhënë dorëheqje. Nëse ata kanë manipuluar me atë ndeshje, e vërteta do të kuptohet herët apo vonë. Por tani nuk mund të them. Më vjen shumë keq nga qytetarët e Therandës dhe gjithë dashamirët e donatorët e Ballkanit”, theksoi ai.

Njëkohësisht me Elshanin, dorëheqje nga detyra ka dhënë edhe drejtori i këtij klubi, Besim Kuçi. Këtë vendim Kuçi e ka marrë pasi ishte i zhgënjyer me faktin që klubi i tij e humbi statusin e anëtarit të Superligës.

“Nuk dua të paragjykoj a manipuluan lojtarët me atë ndeshje. E vërteta do të dalë në shesh. Por, futbollistët nuk e dhanë as 20-përqindëshin që jepnin në ndeshjet e kaluara, duke e ditur rëndësinë e atij takimi, që kishte karakter ‘të jesh apo të mos jesh’. Nuk është që s’kemi mundur të fitojmë, por lojtarët nuk e dhanë maksimumin”, tha Kuçi i zhgënjyer.

Pakkush ka pritur që Ballkani ta humbë statusin e anëtarit të elitës në duel me Lepencin. Pas fitores me rezultat 6:0 ndaj Trepçës në xhiron e fundit të garave të rregullta, portokallinjtë e kishin siguruar pozitën që çonte në ndeshje barazhi.

Me këtë rast, therandasit e kishin festuar ‘mbetjen në Superligë’, sepse ishin të bindur se pa problem do ta mposhtin Lepencin në barazh. Por, të enjten ndodhi e kundërta, me ç’rast Lepenci iu bashkua Gjilanit e Dritës, skuadra këto që nga Liga e parë u inkuadruan në Superligë.

Ndërsa, Ballkani iu bashkua Flamurtarit e Ferizajt drejt Ligës së parë. Në këtë mënyrë, portokallinjtë vetëm pas një viti të kaluar në elitë, u rikthyen sërish në Ligën e parë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›