“Avdyl Loshaj denoncoi Remzi Hoxhën”
Armand Bajrami
Anibal Basha, një nga ish-agjentët e Shërbimit Informativ Kombëtar që ka marrë në pyetje në vitin 1995 “gazetarin” misterioz Avdyl Loshaj, pak ditë para se ai të arratisej dëshmoi dje në gjykatë në procesin që po zhvillohet kundër ish-eprorëve të tij. Nën statusin e ish-inspektorit të SHIK-ut, Anibal Basha tregoi para trupës gjykuese të dosjes “Remzi Hoxha” për mënyrën se si ishte njohur me Avdyl Loshajn. Ish-agjenti i SHIK-ut tha se është njohur me Avdyl Loshajn për shkak se në vitin 1995, ish-shefi i tij Ilir Kumbaro, ka kërkuar ta merrte në pyetje “gazetarin” misterioz austriak. Nga dëshmia e Anibal Bashës duket se ka qenë pikërisht Avdyl Loshaj ai që ka pretenduar se i zhdukuri Remzi Hoxha kishte lidhje me serbët, duke u bërë shkak për rrëmbimin e më pas humbjen e tij në zyrat e Shërbimit Informativ. Më poshtë botohet e plotë dëshmia e dhënë dje para gjykatës nga Anibal Basha, i cili është marrë në pyetje edhe në prokurori gjatë hetimeve më 26 qershor 2003.
Na thoni dëshmitar nëse keni punuar ose jo në SHIK. Në rast se po, në çfarë periudhe dhe në çfarë detyre?
Kam punuar në SHIK nga nëntori i 1992 deri në janar 1999, në detyrën e inspektorit.
Në kohën që ju keni punuar në këtë vend pune, nga kush drejtohej Shërbimi Informativ Tiranë?
Shefat janë ndërruar. Fillimisht kemi punuar me Kokonën në vitin 1992. Pastaj është ndërruar, ka ardhur një tjetër. Me Behar Bicin, me Mehmet Hoxhollin. Beni ka qenë vonë, rreth ‘96-ës.
Në detyrën që kryeje nga kush keni pasur varësi direkte?
Nga 1994 deri në 1996 kam qenë në varësi të degës së parë nga Ilir Kumbaro. Pastaj janë ndërruar.
Nëse gjatë kohës që keni qenë në krye të kësaj detyre keni dijeni për marrjen në pyetje të shtetasve Ziso Kristopulli, Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj? Në rast se po, në ç’rrethana?
Kam dijeni vetëm për Armando Loshajn.
Në ç’rrethana dhe çfarë dini rreth këtij person?
Kam shumë pak dijeni. Për një lloj çështje që jam marrë. Kam qenë duke dalë nga zyra me kolegun tim, inspektorin tjetër Skënder Shehu. Kemi qenë duke zbritur si zakonisht për të dalë në zonë. Kemi shkuar deri tek shkalla dhe jemi kthyer mbrapsht nga Ilir Kumbaro. Na tha që atë ditë nuk do të dilnim në zonë. Do të ngarkoheni me një detyrë tjetër. Na tha që është ndaluar një person dhe do të merret në pyetje. Por duke mos pasur inspektorë të tjerë se i kam shpërndarë në detyra, do të jeni të pranishëm. Do të jem i pranishëm. Pyetjet ia kam bërë unë, tha ai. Ju vetëm do të asistoni gjatë kohës. Kemi qëndruar me atë personin që ishte një djalë i ri. Ato shënimet pasi kemi mbaruar punë ia kemi dorëzuar kryetarit të degës. Më mbrapa nuk jam marrë më me të.
Ne thjesht ishim të pranishëm.
Ju çfarë bëtë konkretisht?
Të njëjtën gjë.
Gjykata: Kush ia drejtoi pyetjet? A kishte person tjetër aty?
Pyetjet ia kam drejtuar unë dhe kolegu im Skënderi. Ka qenë edhe ai dhe një tjetër njeri i bazës, nuk më kujtohet. Pyetjet i kishte bërë Iliri që më përpara. Ne vetëm kemi asistuar.
Kush ishte ky personi që ishte marrë në pyetje?
Ky djali ri e kishte emrin Armando Loshaj.
A keni dijeni se çfarë u bë më tej me këtë person?
Nuk e di se ç’ka bërë, se vetëm atë gjysmë dite e kam parë. Shënimet e tij më pas ia kaluam kryetarit të degës dhe ikëm në punën tonë.
Ka ndodhur gjatë kësaj kohe ndonjë ngjarje me këtë person në Drejtorinë e Tiranës?
Thuhet që ka bërë një tentativë të iki. Thuhet, sepse unë nuk e di.
Keni dijeni për hedhjen e këtij personi nga ambientet e kësaj drejtorie?
Besoj se kjo është, tentativa për të ikur.
E ka realizuar apo jo?
Nuk e di.
A keni dijeni se çfarë është bërë më tej për këtë person, për pengmarrjen?
Jo, nuk kam.
Po në lidhje me këta dy personat e tjerë, Remzi Hoxha dhe Ziso Kristopulli?
Jo, jo, vetëm kur i dorëzuam ato shënimet Ilirit, ato fletët që u shënuan, përmendej brenda emri i Hoxhës?
Për çfarë përmendej?
Në lidhje me aktivitetin që bëhej fjalë.
Për çfarë aktiviteti bëhej fjalë?
Tani nuk i vura shumë rëndësi, por për Loshajn për aktivitet zbulues, për llogari të shërbimit serb. Në këtë kuadër jepte shpjegimet, por unë këtë person as nuk e kam takuar, as nuk kam pasur ndonjë rast më përpara.
Në lidhje me këtë person a keni bërë ndonjë informacion për organin qendror? Në rast se po kur ka ndodhur?
Më kanë pyetur ata drejtuesit e shërbimit. Kryesisht shpjegim kam dhënë për Loshajn.
Avokati Zef Nika: Në procesverbalin e pyetjes së këtij personi të datës 26 qershor 2003 keni dhënë disa shpjegime në lidhje me çfarë keni kuptuar nga shpjegimet e Loshajt?
Ai ishte zbulues serb.
Avokati Nika: Zbulues, apo spiun keni thënë?
Njësoj është.
Avokati Remzi Ponari: Gjatë pyetjes ka pasur ndonjë keqtrajtim të këtij personi?
Jo. Gjatë kohës që kam qenë unë, jo.
Nga pamja dukej që ishte keqtrajtuar?
Jo, deri në momentin që kemi dalë ne, jo.
A keni dijeni ku ndodhen shënimet e atij?
Ai bëri shënime me shkrim dore...
Ish-drejtori i SHIK-ut të Sarandës:Avdyl Loshaj përdorte tre emra
TIRANE – Në seancën e djeshme ka dëshmuar në gjykatë edhe avokati Alfred Duka, ish-punonjës i SHIK-ut në vitet kur ndodhën rrëmbimet e Remzi Hoxhës dhe Ziso Kristopullit. Më poshtë vijon dëshmia e avokatit Duka:
Na thoni dëshmitar nëse keni punuar ose jo në SHIK. Në rast se po, në çfarë periudhe dhe në çfarë detyre?
Kam punuar në SHIK nga data 10 tetor 1992 deri në 20 dhjetor 1997. Detyra ime ka qenë fillimisht kryetar i degës së SHIK-ut në Tropojë, deri më 15 qershor 1995, pastaj po me këtë detyrë në Sarandë nga 15 qershori deri më mars 1997, kur jam larguar nga Saranda.
Gjatë kohës që keni qëndruar në këtë detyrë në Sarandë, jeni njohur me shtetasin Ziso Kristopulli?
Ziso Kristopullin drejtpërdrejt nuk e kam njohur. Kam qenë njëherë tek një kioskë e tij. E kam marrë vesh që ishte kioska e tij pasi kam dalë. Duhet të ketë qenë viti 1996. Kioska ndodhej në Ksamil.
E keni njohur shtetasin Avdyl Loshaj?
Jo.
Armando Loshaj?
As këtë.
Armando Ditermiter?
Këtë po. Madje, Armando Diterments, nëse flasim për të njëjtin.
Ka qenë vjeshta e 1995. Kisha pak muaj që isha në Sarandë. Më vjen një informacion se një gazetar austriak ishte shndërruar në rezident në qytetin e Sarandës. Më pas marr informacion se ky gazetar kishte marrë dy persona me profesion fotograf i kishin dhënë atij nga 20 mijë marka për t’u sjellë një laborator fotografik. Informacionet shtoheshin pasi personat ishin trembur mos po binin pre e ndonjë mashtrimi. Ndërkohë ky gazetar filloi të lëvizte dhe qarkullonte me furgonin e policisë. Madje, në mënyrë sharlatane vendosej në vendin e parë të këtij furgoni dhe bridhte nëpër Sarandë. Një ditë kishte arritur deri aty sa ishte futur në ambientet e komisariatit. Në këtë moment vendosa ta thërras e të bëj një bisedë me të. Dërgova një inspektor, një oficer policie që më duket se quhej Ardian. Fillimisht refuzoi, pastaj e solli tek dega ku unë punoja. E solli vetë me furgonin e policisë. Duke qenë se ky gazetar nuk fliste shqip marr dy inspektorë të mi, një përkthyese që ishte sekretarja, si edhe një mësuese anglishteje. I kërkova të më prezantohej se kush ishte. Ai më tha quhem Armando Diterments. Jam shtetas austriak. Gazetar i një gazete vjeneze, (emri i gazetës nuk më kujtohet). Jam reporter i luftës. Dhe kam qenë 2-3 vjet gazetar në Bosnje dhe Serbrenicë. Pa ia kërkuar menjëherë filloi të zbërthente këmishën të më tregonte disa plagë që kishte marrë gjatë luftimeve të kryera atje. Ishin shenja të një plagosje. Paraqiti një pasaportë austriake. Dokumentin e gazetarit, dokumentin e një anëtari të lidhjes ndërkombëtare të gazetarëve. Filloi të shpjegonte rreth luftës në Bosnje. Pasi e pyeta se a është në natyrën e gazetarit, sidomos një gazetari lufte të qëndrojë në një qytet për javë të tëra, mbaj mend se m’u përgjigj, se jam me pushime. Dhe për hir të shërbimeve që kam kryer për gazetën time, më kanë dhënë si shpërblim këto pushime që po bëj këtu. Pasi patëm një lloj hije dyshimi se mund të mos ishte shtetas austriak, ndoshta përdorëm ndonjë fjalor pak provokues për të, por ai ishte absolutisht gjakftohtë dhe nuk i lëvizte asnjë nerv. Kur e pyeta po ambientet e policisë përse i frekuenton, mbaj mend se më ka thënë që është afër profesionit që unë bëj. Dhe jam i pasionuar pas shërbimeve policore, meqë kam qenë për një kohë të gjatë në luftë. U largua. Nuk e kam parë më, por njëri prej personave, të cilët i kishte dhënë sasinë e parave që parapërmenda, më duket se quhej Luan, më tha që ishte mashtruar. As para dhe as studion fotografike nuk e ka sjellë.
Këto deklarime janë marrë apo jo me shkrim?
Janë marrë me shkrim.
Është informuar organi qendror për këtë shtetas?
Organi qendror nuk njoftohej për çdo lloj pune. Nuk mbaj mend, por më shumë besoj se nuk është njoftuar.
Nga organi qendror është kërkuar informacion nga ana juaj?
Nuk është kërkuar.