E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështoi trafiku, peng për 7 mijë euro

 

DURRES / OERD ULQINI

Pengmarrja 48-orë-she e një kamerieri durrsak nga tre lushnjarë, zbulon "majën e ajsbergut" të një trafiku klandestin. Me të rënë "në erë" të këtij informacioni të rëndësishëm policia e Durrësit ia delegon çështjen e rrëmbimit të Gazmir Lekës, Krimeve të Rënda. Në pranga kanë përfunduar shtetasit Ismail Hamiti, 47 vjeç i dënuar më parë për "vrasje të mbetur në tentativë", Andrea Leka, 28 vjeç dhe Arselona A. 20 vjeçe, që të gjithë banorë të Lushnjës. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata rrëmbyen në mes të qytetit të Durrësit 37-vjeçarin Leka, duke e futur me dhunë në autoveturën "Rover" me targë italiane, për ta fshehur më pas në banesën e Ismail Hamitit në Lushnjë. Gjithçka ka ndodhur për 7 mijë euro të pakthyera, shumë e cila i ishte dorëzuar kamerierit nga tre lushnjarët që në muajin nëntor të vitit 2008. Në pamje të parë dukej si pengmarrje e motivuar nga një borxh i dhënë në mirëbesim, por hetimet profesionale të policisë së Durrësit nxorën kokën e një rrjeti klandestin që operonte në linjë tokësore përmes Malit të Zi, Bosnjës, Kroacisë, Sllovenisë me destinacion final Italinë. Pasditen e së hënës familjarët e kamerierit të zhdukur denoncuan në Durrës marrjen e një telefonate nga Lushnja, ku kërkoheshin 7 mijë euro në këmbim të lirisë së Gazmir Lekës. Plani i policisë u thur me urgjencë dhe agjentë të veshur civilë futën në një valixhe të vogël shumën e parave, të gjitha në prerje 100-she. Policët e shtirur si familjarë i dorëzojnë shtetases Arselona A., shumën e parave. Vajza që luante negociatoren mes pengmarrësve dhe familjarëve të Lekës urdhëron me telefon Ismail Hamitin dhe Andrea Lekën të lirojnë pengun. Me t'u siguruar se ai ishte në duar të sigurta në duart e vajzës hidhen prangat. Vetëm 30 minuta më pas arrestohen edhe bashkëpunëtorët e tjerë të pengmarrjes. Hetimet e mëtejshme mbi motivin e pengmarrjes zbuluan faktin, se Leka u kishte premtuar dërgimin e tre personave klandestinë në Itali, kundrejt shumës prej 7000 eurosh. Shuma ishte dhënë paradhënie, por tentativa e tre personave për të kaluar në Itali dështoi që në muajin nëntor. Lushnjarët i kërkonin me çdo kusht rikthimin e parave, por Leka, banor i lagjes 10 në Durrës nuk ishte në gjendje t'i paguante, pavarësisht shantazheve. Për shkak të keqtrajtimit të ushtruar mbi 37-vjeçarin dhe tronditjen e tij nga ngjarja, policia e Durrësit e ka lënë të lirë, për të hetuar më vonë mbi rrjetin klandestin. Hetuesit kanë bindjen se dëshmitë e Lekës do të jenë tepër të rëndësishme për goditjen e këtij rrjeti, që trafikonte klandestinë përmes rrugëve tokësore të Ballkanit.

Merret peng dhe keqtrajtohet për një celular

LEZHE - Për një celular bie peng i katër personave. Emiliano Colaj nga Lezha denoncoi në polici, pasi i kishin hequr lirinë në mënyrë të paligjshme dhe më pas e kanë keqtrajtuar. Policia e Lezhës konfirmoi dje, se janë arrestuar Sokol Ivanaj, 34 vjeç nga komuna Zejmen, Florian Rudi 33 vjeç, kushëriri i tij, Anton Rudi, 30 vjeç si dhe Ferdinand Palaj 30 vjeç, që të tre nga fshati Ishull Lezhë. Arrestimi i tyre u bë për veprën penale të "heqjes së paligjshme të lirisë së personit në bashkëpunim". Ngjarja mësohet se ka ndodhur të hënën në hyrje të qytetit. Sipas policisë, të arrestuarit, pasi e kanë ngjitur me forcë Emiliano Colajn në automjetin tip "Alfa-Romeo", me targa LE 4064 A, që ishte në pronësi të Sokol Ivanajt, kanë ushtruar dhunë ndaj tij për rreth 10 minuta dhe më pas e kanë lënë të lirë. Në sajë të hetimeve, u zbulua se shkak i pengarrjes së Colajt nga katër të rinjtë, ishte konflikti për një telefon celular. I dëmtuari i ka akuzuar ata për humbjen e telefonit të tij dhe në shenjë hakmarrje ai ua ka zënë vendin e parkimit. Por të rinjtë, i janë kundërpërgjigjur hakmarrjes së tij, duke e marrë peng për disa minuta dhe keqtrajtuar.                    r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›