Hapet ekspozita e fotografive
Kompania celulare AMC ka hapur dje për herë të parë në Shqipëri, ekspozitën e fotografisë së realizuar me aparat celular. Në galerinë FAP, pranë Akademisë së Arteve, u ekspozuan punët më të mira, dalë nga konkursi i përvitshëm AMC i MMS-ve, i cili u fokusua në fotot më të bukura të vitit 2008, të bëra me celular. Konkursi u zhvillua në një prej rrjeteve më të njohur në internet në bashkëpunim me grupin "Fotografia, pasioni i përjetshëm". Pjesëmarrësit e shumtë dorëzuan mbi 250 fotografi nga datat 1 deri më 30 nëntor, muaj gjatë të cilit u zhvillua konkursi. Pjesëmarrës kanë qenë të gjithë anëtarët e grupit, të apasionuar pas fotografisë. Me çmim të parë u nderua Nesa Llapashtica, me çmim të dytë Isli Islami dhe me çmim e tretë, Vasjan Golka. Për tre vendet e para kompania AMC dhuroi nga një aparat celular Nokia 6500 Classic, ndërsa për 7 fituesit e tjerë AMC dhuroi deri 2 orë kohë bisede falas për secilin.