E Diel, 1 Nëntor 2026

“Vizat, banda e trafikut e lidhur me ambasadat”

 

Trazhgim Sokolaj

Grupi kriminal me 14 anëtarë të arrestuar tri ditë më parë në pesë qytete, kishte ngritur një megaindustri të vërtetë trafiku. Njëri nga tre personazhet kryesore të bandës mësohet se ka lidhje me ambasada të caktuara apo me persona të punësuar në to. Një dyshim i tillë po hetohet për shkak se Prokuroria ka zbuluar që grupi kriminal arrinte të siguronte vizat e kërkuara brenda një kohë të shkurtër, edhe pse aplikimi bëhej me dokumente false. “Një anëtar i bandës ka lidhje të ngushta dhe dyshohet se ka bashkëpunuar me persona diplomatikë, që kanë akses mbi vizat”, thanë zyrtarët e Prokurorisë së Tiranës. Sipas tyre, dëshmitë e të paktën 14 klandestinëve kanë provuar për hetuesit se tre “kokat” e bandës Alfred Çikani, 44 vjeç, Luan Klosi, 36 vjeç dhe Thanas Todhri, 50 vjeç, pasi hynin në kontakt me klandestinët, u ofronin atyre tre mundësi për t’i trafikuar drejt Greqisë. Komoditeti dhe siguria e secilit nga tre variantet varej nga mundësitë financiare të personave të interesuar për kalim në Greqi. “Nëse kërkonin të lëviznin drejt Greqisë të pajisur me viza false, klandestinëve u kërkoheshin 5 mijë euro. Në rast se do të kalonin në Greqi ilegalisht, por me makinë, të interesuarve u kërkohej të paguanin 3 mijë euro dhe në rastet kur kalimi i klandestinëve bëhej në këmbë nga kufiri i gjelbër mes Shqipërisë dhe Greqisë, pagesa e kërkuar ishte vetëm 1200 euro”, thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës. Sipas tyre, mësohet se krerët e grupit kriminal kishin krijuar lidhje me ambasadat, ku arrinin të siguronin viza me anë të sekserëve dhe më tej, drejtuesit e bandës kishin infrastrukturën e nevojshme që të trafikonin klandestinë me makina, duke korruptuar punonjësit kufitarë apo edhe në këmbë, duke vendosur udhërrëfyes, që u tregonte klandestinëve rrugën për kalim në Greqi.
Klandestinët
Ndjekja policore ndaj grupit kriminal që u arrestua gjatë aksionit “Triumf” ka zbuluar se pjesa më e madhe e klandestinëve, që janë trafikuar prej të pandehurve, kanë kaluar nga zona e Ersekës. Një grup klandestinësh, konkretisht 14 persona është kapur pak kohë më parë në këtë zonë ndërsa sipas dëshmive, trafikimi po kryhej nga të arrestuarit e tri ditëve më parë. Ata gjithashtu kanë kaluar edhe në dhjetëra raste të tjera grupe klandestinësh në drejtim të Greqisë, ndërsa të dhënat e policisë flasin për 14 raste. Në të gjitha këto kalime të paligjshme në kufi mësohet se është arritur të kalohen grupe klandestinësh nga 7 deri në dhjetë persona, të cilët grumbulloheshin nga qytete të ndryshme të vendit, strehoheshin në hotele në Përmet, Ersekë apo Gjirokastër dhe më pas niseshin për kalim ilegal në Greqi. Në organizatën e trafikut mësohet se bënin pjesë edhe taksistët, të cilët realizonin transportimin e klandestinëve nga qytetet ku ata ndodheshin në drejtim të zonave kufitare me Greqinë prej nga bëhej kalimi në mënyrë ilegale drejt vendit fqinj. Burimet nga organi i akuzës thanë se në dosjen penale është arritur të dokumentohen deklarimet e 14 klandestinëve të ndaluar ndërsa në total gjatë muajve të fundit, grupi kriminal ka trafikuar mbi 100 klandestinë.

Kërkohen anëtarët e grupit në Greqi
Organizata kriminale ku bënin pjesë 14 personat e arrestuar për trafik klandestinësh dhe falsifikime, mësohet se ka disa anëtarë të saj me qëndrim në Greqi. Këta persona mësohet se prisnin dhe përcillnin klandestinët, që trafikoheshin nga pjesa kryesore e bandës, e cila vepronte në Tiranë, Elbasan, Fier, Korçë dhe Gjirokastër. Policia tha se po punon me autoritetet greke për kapjen e këtyre personave.

Prokuroria: Po verifikojmë arrestet
Grupi hetimor i dosjes së koduar me emrin "Triumf" tha dje se ëhstë duke verifikuar pozicionin e të arrestuarve për akuzat e trafikut të klandestinëve dhe falsifikimit të dokumenteve zyrtare. Nga 14 të prangosurit vetëm tetë prej tyre u arrestuan me urdhër nga gjykata ndërsa gjashtë të tjerë janë ndaluar me urdhëra të prokurorisë. Kjo e fundit tha se po verifikon provat për këta gjashtë persona disa prej të cilëve mund të hetohen në gjendje të lirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›