E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenderi, gjyq Berzanit pas lirimit

 

Fatos Mahmutaj

Ilirjan Berzani ish-drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve do të gjykohet me procedura të përshpejtuara në procesin e dytë në ngarkim të tij në lidhje me abuzimin në tenderët e rrugëve. Në këtë proces ish-kreu i Rrugëve Berzani, i cili u lirua nga qelia pasditen e së hënës, akuzohet bashkë me Gentian Karulin, ish-jurist i njësisë së prokurimeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Mimoza Prushin, ish-kryetare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave pranë kësaj drejtorie. Sipas prokurorisë tre të pandehurit akuzohen për shpërdorim detyre në bashkëpunim, në lidhje me tenderin e vendosjes së sinjalistikës rrugore në aksin rrugor Berat-Lushnjë, ndërsa akuza ndaj tyre mbështetet në përgjime telefonike e ambientale të realizuara gjatë hetimeve si dhe disa dokumente shkresore. Në bazë të përgjimeve është zbuluar se tre të pandehurit kanë kryer presion ndaj firmës fituese të tenderit për tërheqje me qëllim që t’i jepnin tenderin firmës së dytë. Sipas organit të akuzës Berzani dhe dy të pandehurit  e tjerë, me anë të ushtrimit të ndikimit të tyre, dyshohen të kenë përfituar një shumë që shkon në dhjetëra milionë lekë. Ish-kreu i Rrugëve, i cili vuajti një dënim me dy vjet burg për një akuzë tjetër të ngjashme, u lirua nga Gjykata e Tiranës, dy ditë më parë duke iu pranuar kërkesa për shuarje të masës së sigurimit ndaj tij. Ai qëndroi në qeli që nga mesi i shtatorit të vitit 2007, kur u arrestua së bashku me tetë persona të tjerë gjatë operacionit të koduar “Me duar të pastra”. Ndërkohë në këtë proces të dytë, prokuroria nuk ka kërkuar vendosjen e ndonjë masë sigurie ndaj tij. Vetë Berzani, i cili ndodhej i pranishëm dje në gjykatë bashkë me avokatin e tij mbrojtës paraqiti kërkesën për aplikimin e gjykimit të shkurtuar në këtë proces. Sipas palës mbrojtëse, prokuroria nuk kishte sjellë prova të mjaftueshme për të provuar fajësinë ndaj klientit të tij, që procesi të zhvillohej me procedura të përshpejtuara. Po kështu, edhe vetë i pandehuri Berzani dhe dy të akuzuarit bashkë me të kërkuan në gjykatë pafajësi. Pas pranimit të gjykimit të shkurtuar, gjykata i dha fjalën prokurorit, i cili lexoi kërkesën për gjykim si dhe dorëzoi për shqyrtim dosjen gjyqësore. Seancën e ardhshme pritet që prokuroria të paraqesë pretencën për të akuzuarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›