E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aventura e Hykës

Si u realizua kalimi i Jahmir Hykes, talentit shqiptar tek Mainci i Gjermanise

Mainci e ndoqi Hykën ndaj Polonisë

Trajneri i Maincit, Shtefan Kunert, ishte vetë i pranishëm në stadiumin e Rojtlingenit, kur Shqipëria luajti ndaj Polonisë. Në një bisedë për mediat gjermane, menaxheri i klubit, Kristian Hajdel, foli shkurt se “ne e njohim Hykën”. Kaq i zënë ishte me punë Hajdeli, saqë harroi se kishte ditëlindjen para dy ditësh.

Elvir Raça: Hyka na mashtroi në Mal të Zi

Firma është hedhur mbi letër, por nga Ballkani ka zëra mbi një tradhti të Jahmir Hykës ndaj Dinamos së Zagrebit. Vetë kroatët nuk thonë gjë, por këtë e shpreh menaxheri shqiptaro-kroat Elvir (apo Eljver) Raça, që bisedoi me futbollistin në emër të klubit zagrebas, të paktën siç njofton “Veçernji Listi”. “Hyka u tregua tepër jokorrekt, - protestoi Raça. - Ai gjithë kohën bëri lojë me dy porta, dhe Dinamoja nuk ishte aspak zgjedhja e tij e parë. Sapo u ndamë, në vend të Zagrebit fluturoi për në Mainc”. Sipas “Veçernjit”, bisedimet u kryen në Mal të Zi (nuk jepet qyteti se ku), por Raça thotë se bindja e tij është që këtë punë e prishi Ari Han. “Dyshoj shumë se Hykën në Mainc e dërgoi trajneri i shqiptarëve, Ari Han”.

Jahmiri, 1 milion euro në 3 vjet

Ky është pohimi i bërë nga vetë futbollisti, pasi nënshkroi kontratën me skuadrën FSV Mainc 05, të kategorisë së dytë gjermane. Ndonëse mediat shqiptare shkruan për kontratë 4-vjeçare me të ardhura prej 1.4 milionë eurosh, nga vetë Hyka saktësohet për 1 milion euro rrogë në 3 vjet zgjatje kohore. Mediat kroate shkruajnë se Hyka do të fitojë 350 000 euro në vit (pak a shumë aq sa thotë vetë lojtari).

Gabimi: Tirana, 500 000 euro

Mediat kroate gabojnë kur shkruajnë se Tirana do të fitojë 500 000 euro nga kalimi i Hykës tek Mainci. Në të vërtetë, eurot do t’i fitojë një menaxher shqiptar, që është edhe president i klubit të Olimpikut të Tiranës, pasi ai e zotëron kartonin e lojtarit. Meqë Tirana ende nuk di të fitojë para nga lojtarët që merr, këtë rol e luajnë të tjerë. Sidoqoftë, shuma që do të duhet të paguhet për Hykën besohet se do të jetë të paktën dy herë më e ulët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›