E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët në qendër të Pranverës pariziane

Gjatë javës së fundit të Pranverës së Parisit që organizohet nga Maison dEurope et dOrient, (Shtëpia e Evropës dhe e Orientit), u është lënë hapësirë edhe artistëve shqiptarë, kryesisht shqiptarëve nga Kosova apo historive që kanë lidhje me botën shqiptare. Ky aktivitet zhvillohet në kuadrin e Vitit Evropian të Dialogut Ndërkulturor

Mbrëmë është shfaqur filmi “Dy motrat”, i regjisores belge Jasna Krajinoviç. Subjekti i filmit flet për dy motra. Violeta dhe Vjollca Dukaj banojnë në jug të Kosovës, pranë kufirit me Shqipërinë. Pas konfliktit luftarak në Kosovë, për shkak të papunësisë, motrat nisën të merren me çminime. Për gati gjashtë vjet ato shkojnë përditë në fushat e minuara. Kanë një lidhje shumë të fortë mes tyre, çka i ndihmon të kapërcejnë frikën dhe të mos humbin shpresën, pavarësisht se jeta e tyre rrezikohet çdo ditë.

Një tjetër aktivitet ku prezantohen artistët tanë, është koncerti i motrave Mustafa nga Kosova. Më 6 qershor, në orën 20:30, në studion “Ermitazh” shfaqet koncerti i dy prej këngëtareve të muzikës popullore, me origjinë nga Kosova. Ato kanë nisur të këndojnë qysh fëmijë. Hera e parë ka qenë në vitin 1981, në mikrofonin e radio “Zagrebit”, në kuadrin e bashkëpunimit të kësaj radioje me Televizionin e Prishtinës. Albumi i tyre i parë doli më 1986, duke u siguruar një sukses këngëtareve. Qysh atëherë, ato kanë marrë pjesë në shumë festivale në ish-Jugosllavi dhe kanë realizuar rreth 20 albume. Repertori i tyre bazohet në muzikën tradicionale, por e ndërtuar në mënyrë bashkëkohore. Ato kanë dhënë koncerte në shumë vende, përfshi edhe koncertet për bamirësi. Është e zakonshme që t’i gjesh ato sa në Prizren, ashtu dhe në Mitrovicë. Dhjetë vjet pas koncertit të paharruar të Vjollca Lukës, turbofolku shqiptar kthehet në Paris. Një ditë më pas, më 7 qershor, Shtëpia e Evropës dhe e Orientit organizon lexime nga “Ballkani nuk ka vdekur”, i dramaturgut maqedonas Dejan Dukovski. Në këtë pjesë rimerret historia e vdekjes së përgjakshme të Cvetas, simbol i Maqedonisë, para se ky vend të fitojë pavarësinë. Gjatë “Pranverës së Parisit” shfaqet një tjetër film që ka në fokus një temë shqiptare, parë nga autorë serbo-malazezë. Quhet “Pas luftës”, me regji të Srdjan Kea. Bën fjalë për goranët, një komunitet i islamizuar me origjinë sllave, pa atdhe. Lufta e Kosovës i prishi qetësinë edhe këtij komuniteti: goranët, që ishin të lidhur me serbët, tashmë janë të vetëm mes shumicës shqiptare. Kështu mendon autori. “Pranvera e Parisit” është një iniciativë e “Maison d'Europe et d'Orient”, në kuadrin e Vitit Evropian të Dialogut Ndërkulturor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›