E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreditë e këqija, gati ligji i ri

Pas kritikave të forta të Fondit Monetar Ndërkombëtar, qeveria ka dërguar për miratim në Kuvend një ligj që u jep bankave më shumë fuqi për të sekuestruar dhe shitur pasuritë e patundshme që qytetarët lënë peng për të marrë kredi. Ligji i ri, që është pjesë e reformës për drejtësi, u jep të drejtën bankave që të nxjerrin në treg dhe t‘i shesin pengjet e kredive të pakthyera, jo më me çmim tavan, siç e detyron ligji ekzistues. Aktualisht ligji i ndalon bankat private që të shesin pasuritë e patundshme, që janë vënë si garanci kredish, me një çmim më të ulët nga sa i kanë vlerësuar ato në momentin që është bërë aplikimi për kredinë. "Kjo ka qenë një nga pengesat më të mëdha të ekzekutimit të kolateraleve në vendin tonë. Ky ishte dhe shqetësimi kryesor i Fondit Monetar", thotë zëvendësministri i Drejtësisë, Eduart Halimi. Ligji pritet të miratohet në Kuvend javën që vjen. Misioni i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Tiranë e konsideroi mungesën e këtij ligji si një nga problemet themelore të vendit, që minon stabilitetin financiar. Gerwin Bell u kërkoi autoriteteve që të miratonin me urgjencë ligjin, i cili është bërë i domosdoshëm për shkak të rritjes së fortë të kreditimit.

Kreditë

Rritja e fortë e kredisë në tri vitet e fundit po shoqërohet veç stimujve pozitive për ekonominë edhe me një efekt anësor të padëshirueshëm, atë të rritjes së kredive të pakthyera. Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, deri në shtator të vitit 2007, kreditë e këqija në Shqipëri arritën në 3.4 për qind të totalit të kredisë, me një tendencë të qartë rritjeje në 3 vitet e fundit. Në vitin 2005 ky tregues ishte vetëm 2.3 për qind. Ndonëse niveli prej 3.4 për qindësh nuk cilësohet si alarmant, Banka e Shqipërisë ka filluar sakaq të shqetësohet nga ky fenomen, i cili dy deri në tri vite më parë ishte inekzistent për sistemin financiar. Guvernatori Fullani, së fundmi gjithmonë e më shumë po paralajmëron bankat që të kenë kujdes me kredinë dhe mos të abuzojnë për shkak të konkurrencës në treg. Por pse ky shqetësim? Ekspertët parashikojnë se gjatë viteve të ardhshme kreditë e pakthyera në Shqipëri do të pësojnë një rritje të konsiderueshme. "Në Shqipëri kredia është e re, sepse vetëm para tri vitesh filloi bumi i kreditimit të ekonomisë", thotë Gramoz Kolasi, drejtor i Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë. "Nuk ka vend që të ketë një rritje kreditimi në shifrat 70 për qind në vit dhe pas 5 vjetësh kreditë e këqija të mos rriten me 5 herë", thotë ish-guvernatori Shkëlqim Cani.

Kreditë, mina me sahat

Pritshmëritë për shtimin e huave të pakthyera dhe kriza e ndërtimit, sinjale paralajmërimi

Kreditë e pakthyera në Shqipëri, ndonëse ende në nivele të ulëta, janë një kërcënim serioz për stabilitetin financiar të vendit në të ardhme. Aktualisht, më shumë se 3.4 për qind e totalit të kredisë në vend është raportuar nga bankat private si borxh i keq që nuk mund të mblidhet më. Por ekspertët parashikojnë që kjo shifër të rritet me ritme të larta gjatë viteve në vazhdim, kur shumica e kredive do të maturohen. Ndonëse Shqipëria konsiderohet si një vend jashtë rrezikut të krizës ndërkombëtare financiare, FMN paralajmëroi se qëndrueshmëria financiare e vendit kërcënohet nga disa probleme të brendshme. Bankat e kanë shumë të vështirë për të marrë masa ndaj kredive të pakthyera, ndërkohë që sektori i kreditimit prej dy vitesh ndodhet në një krizë. Të gjitha këto janë sinjale alarmi, që paralajmërojnë se stabiliteti financiar mund të tronditet në një të ardhme jo shumë të largët.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›