Ekspertim mendor pengmarrësit
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria e Krimeve të Rënda vendosi të zhvillojë një ekspertim mbi gjendjen mendore të Romeo Lekës, 25-vjeçarit të akuzuar për grabitje me armë të bankës tri ditë më parë në Tiranë dhe për pengmarrje. Burime nga prokuroria, thanë se vendimi për të kryer ekspertimin mendor të 25-vjeçarit është marrë bazuar në sjelljen e të riut pas arrestimit si dhe në veprimet e kryera në vazhdimësi prej tij që nga grabitja e bankës, rrëmbimi i vajzës 19-vjeçare Lori Hatellari dhe përdorimi i armës pa fishekë gjatë lëvizjes në afërsi të Librit Universitar në Tiranë. Dyshimi për çrregullimet mendore të Romeo Lekës, është formësuar akoma më shumë nga grupi i hetimit, gjatë seancës së marrjes në pyetje të personit të arrestuar. Ndërkohë që i kërkoheshin shpjegime për bëmat e tij, 25-vjeçari nga Lezha bënte filozofi duke thënë: Zoti është në anën time!!! "Jam besimtar dhe një ditë do të përgjigjem para Zotit, ai i di veprat e mia të mëdha", ka pohuar më tej 25-vjeçari i arrestuar me akuzat për grabitje me armë të bankës tek "Rogner", rrëmbim e mbajtje peng të personit ndaj vajzës studente e Juridikut, armëmbajtje pa leje dhe grabitje me armë mbetur në tentativë në një bankë si dhe ndaj një taksisti, para se të arrestohej. Gjatë gjithë seancës së marrjes së deklarimeve të tij, sipas burimeve nga Prokuroria, i arrestuari ka mbajtur një qëndrim të çuditshëm ndërsa lëvizte herë pas here në karrige, duke qëndruar i mbështetur e herë herë, duke improvizuar skena të ngjashme me të pandehurit e filmave policorë amerikanë. Pas marrjes së deklarimeve të Romeo Lekës, i cili ka pranuar grabitjet, armëmbajtjen dhe pengmarrjen, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar në Gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë. Seanca për vlerësimin e masës është lënë të zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë të martën në ora 09:30. Sipas burimeve nga prokuroria, ndaj të riut është kërkuar masa "arrest me burg" deri në përfundim të hetimeve. Pas kërkesës për caktimin e masës së sigurisë, Prokuroria ka vendosur të kërkojë ekspertim mendor për të arrestuarin i cili pritet të ekzaminohet nga një komision mjekësh të cilët do të shprehen me raport pasi të testojnë gjendjen psikike të 25-vjeçarit. Një ditë më parë, prokuroria tha se kishte verifikuar armën e përdorur nga Romeo Leka në grabitjen e bankës dhe rrëmbimin e vajzës 19-vjeçare. Nga ky verifikim rezultoi se arma nuk ka pasur fishekë e megjithatë 25-vjeçari ia ka arritur të alarmojë zonën në zemër të Tiranës pak ditë më parë me bëmat e tij. Grupi i hetimit ka verifikuar gjithashtu se shuma e parave që Romeo Leka kishte marrë në bankë nën kërcënimin e armës ishte 30 milionë lekë të vjetra.
Grabitësi vrasës i emigrantit në Athinë
TIRANE - Romeo Leka akuzohet nga të afërmit e emigrantit Renato Krasniqi për vrasjen e tij në një banesë në Athinë. Policia nuk ka bërë ende asnjë konfirmim në lidhje me këtë akuzë, megjithatë dy ditë më parë, babai i emigrantit nga Kukësi, tha se djali i tij ishte vrarë me thikë në banesën e tij në Greqi. Sipas babait të 22-vjeçarit nga Kukësi, Romeo Leka e ka kryer vrasjen në banesën e viktimës në Athinë ku ka qenë i pranishëm edhe një emigrant tjetër shqiptar. Ky i fundit është qëlluar një herë me thikë nga pengmarrësi Romeo Leka, por ka arritur të mbijetojë duke i dëshmuar më pas motrës së Renato Krasniqit, identitetin e personit që kreu vrasjen e 22-vjeçarit nga Kukësi në 8 mars 2010 në Athinë. Dy të rinjtë mësohet se njiheshin prej kohësh ndërsa mes tyre ka lindur një konflikt i cili shkaktoi përleshjen e cila përfundoi me vrasjen e Renato Krasniqit.